Pretendimi: Drejtori i CIA pranon planet për gjeoinxhinierinë, ose gjurmët kimike (kemtrajle).

Verdikti: E pavërtetë

———————————–

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon një video e ish-drejtorit të CIA John Brennan, shoqëruar me pretendimin se në të, Brennan pranon ekzistencën e një plani të agjencisë për të përdorur teknologji gjeoinxhinierike, ose gjurmë kimike.

Në video, Brennan dëgjohet të thotë:

“Një shembull tjetër është grupi i teknologjive, shpesh të referuara kolektivisht si gjeoinxhinieri, që potencialisht mund të ndihmojnë në zbrapsjen e efekteve ngrohëse të ndryshimit të klimës globale. Njëra, që ka tërhequr vëmendjen time personale, është injektimi i aerosolit stratosferik, ose SAI: një metodë e mbjelljes së stratosferës. me grimca që mund të ndihmojnë në reflektimin e nxehtësisë së diellit, siç bëjnë shpërthimet vullkanike. Një program SAI mund të kufizojë rritjen e temperaturës globale, duke reduktuar disa rreziqe që lidhen me temperaturat më të larta dhe duke i ofruar ekonomisë botërore kohë shtesë për tranzicionin larg karburanteve fosile. Ky proces është, gjithashtu, relativisht i lirë. Këshilli Kombëtar Kërkimor vlerëson se një program i plotë SAI do të kushtonte rreth $10 miliardë çdo vit. Sado premtuese të jetë, ecja përpara me SAI do të ngrinte gjithashtu një sërë sfidash për qeverinë tonë dhe komunitetin ndërkombëtar. Nga ana teknike, reduktimet e emetimit të gazrave serrë do të duhet të shoqërojnë SAI për të trajtuar efektet e tjera të ndryshimeve klimatike, siç është acidifikimi i oqeanit, sepse vetëm SAI nuk do të largonte gazrat serrë nga atmosfera. Nga ana gjeopolitike, potenciali i teknologjisë për të ndryshuar modelet e motit dhe në dobi të disa rajoneve të botës dhe në kurriz të rajoneve të tjera mund të shkaktojë kundërshtim të mprehtë nga disa kombe. Të tjerët mund të shfrytëzojnë dobitë e SAI dhe të tërhiqen nga angazhimi i tyre për reduktimin e dioksidit të karbonit. Dhe si me teknologjitë e tjera përparimtare, normat dhe standardet globale mungojnë për të udhëhequr vendosjen dhe zbatimin e SAI dhe iniciativave të tjera gjeoinxhinierike.”

Faktoje zbuloi se video e mësipërme është shkëputur nga një fjalim më i gjatë, i mbajtur nga Brennan më 29 qershor 2016, në Këshillin mbi Lidhjet me Jashtë. 

Në këtë fjalim, Brennan shpjegon se teknologjitë e reja, përfshi ato që mund të jenë të dobishme për njerëzimin, mund të ndikojnë thellësisht në politikat e jashtme. Krahas SAI, Brennan foli edhe për ndikimet që trajtimet e reja kundër kancerin mund të kenë në politikat e jashtme.

Profesori i shkencës klimaterike në Rutgers University, Alan Robock, tha për USA Today se teknologjitë gjeoinxhinierike, si SAI, janë ende duke u zhvilluar dhe studiuar. 

Më tej, pretendimi që qarkullon mes konspiracionistëve ngatërron teknologjitë gjeoinxhinierike me “gjurmët kimike”, të quajtura dhe kemtrajle, të cilat ekzistojnë vetëm në teorinë konspirative që pretendon se qeveritë apo entitete të tjera keqdashëse spërkasin fshehurazi kimikate toksike në atmosferë me anë të vazhdave të avullit që lënë pas avionët.
Faktoje ka përgënjeshtruar edhe më parë lajme rreth kemtrajleve.