Trajektorja e pazakontë e një avioni në Itali po përdoret nga konspiracionistët si provë e spërkatjes së kimikateve për ndryshimin e motit nga “ata”. Verifikimi i “Fatoje” sqaron se avioni në fjalë po ndiqte një trajektore të pazakontë, sepse ishte duke filmuar garën çiklistike “Giro d’Italia.”

——————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjet, përfshirë edhe në hapësirat shqipfolëse, tregon trajektoren kaotike në hartë të një avioni që fluturon mbi Itali.

Për konspiracionistët, kjo nuk mund të ishte gjë tjetër veçse dëshmi e makinacioneve djallëzore për ndryshimin e motit, specifikisht spërkatja e kimikateve me avion (chemtrails). Disa përdorues e kanë kombinuar teorinë konspirative të spërkatjes së kimikateve me makinerinë çudibërëse, që shumë konspiracionistë shohin në projektin studimor shkencor HAARP për të dalë në përfundimin se avioni në fjalë po spërkaste kimikate, që më pas u shndërruan në breshër nga fuqitë e mbinatyrshme të HAARP.

Në të vërtetë, ka një shpjegim më të thjeshtë për trajektoren e pazakontë të avionit ASR153.

Një version tjetër i imazhit të mësipërm, i gjetur me anë të motorit te kerkimit të imazheve Google Reverse Image Search, përmban edhe datën kur avioni ka udhëtuar përgjatë kësaj trajektoreje: të dielën, më 14 maj 2023, në orën 11:41.

Rezulton se, avioni ASR153, tip BE20 (F-GJFA), shërbeu si avioni nga ku filmohej live gara  çiklistikeGiro d’Italia, që u mbajt këtë vit nga 6 më 28 maj. I njëjti avion përdoret edhe për transmetimin e garës më të njohur në botën çiklistike Tour de France.

14 maj, gara zhvillohej në segmentin Savignano sul Rubicone – Cesena, zona mbi të cilën ka fluturuar dhe ASR153.

Pra, avioni ASR153 nuk po spërkaste kimikate mbi Emilia-Romagna, por po ndiqte garë xhiros së Italisë, që zhvillohej në atë zonë.