.

.

BallinaFaktometerKanabis nga Shqipëria? Rama e Lleshaj kritikuan RAI 3 por raporti italian konfirmon fenomenin

Kanabis nga Shqipëria? Rama e Lleshaj kritikuan RAI 3 por raporti italian konfirmon fenomenin

MARJO BRAKAJ

Pak muaj më parë, një dokumentar i RAI 3 që tregonte se në Shqipëri vijonte kultivimi i kanabisit u konsiderua ‘fake news’ nga ministri ynë i Brendshëm, Sandër Lleshaj ndërsa  kryeministri Rama e cilësoi si përbaltje “jo gazetareske”. Ministri i Brendshëm, Lleshaj përmes një postimi në Facebook, shprehej se autoritetet italiane do reagonin pas dokumentarit “mish-mash” të Rai-t.  Por çfarë thonë autoritetet zyrtare për këtë fenomen? “Faktoje” ballafaqoi gjetjet e gazetarëve të RAI 3 me një raport të para disa ditëve të paraqitur në Parlamentin Italian.

————————————————————————————————————————————————————-

 Një dokumentar i televizionit Italian Rai 3 “Narcotika” gushtin e vitit të kaluar, tregoi se në Shqipëri ende kultivohej kanabis, ndërsa Prokurori i Antimafias italiane, Nicola Gratteri shprehej se 1/3 e Shqipërisë vijon të kultivojë kanabis.

Kryeministri Rama, në një postimi në Twitter e konsideroi reportazhin e RAI 3 si “jo gazetaresk” dhe “garantoi” se realiteti është ndryshe nga ajo çka transmetohet.

Postimi i kryeministrit Rama në Twitter mbi dokumentarin e Rai Tre

Ky postim i kryeministrit erdhi pas një deklarate për shtyp nga selia e PD ku reagoi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i cili u shpreh se dokumentari i Rai Tre ka tronditur Italinë dhe Shqipërinë për nivelin e trafikut të drogës dhe kriminalitetit.

Më pas edhe ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj, përmes një postimi në Facebook shkoi më tej duke e konsideruar raportimin e RAI 3 “fake news” dhe theksoi se  fenomeni i kultivimit të kanabisit ishte një histori e të shkuarës.

Postimi i Sandër Lleshaj në Facebook

Pak muaj nga ky reagim nisur edhe nga deklaratat e vazhdueshme të ministrit të Brendshëm se në Shqipëri nuk kultivohet më kanabis, “Faktoje” bëri një verifikim, duke marrë në konsideratë edhe gjetjet e gazetarëve të RAI 3.

Këto gjetje i ballafaquam me informacionin zyrtar në raportin me të dhënat e gjashtëmujorit të parë të vitit 2019 që publikoi ministrja e Brendshme italiane, Luciana Lamorgese, pak ditë më parë në Dhomën e Deputetëve në Parlamentin Italian.

“Duhet evidentuar se “Shqipëria është një vend prodhues i marijuanës e një vend tranzit i heroinës së ardhur nga Azia Qëndrore e Afghanistani për tregun e Europës Qendrore (e ashtuquajtura rruga ballkanike).-thuhet në këtë raport.

Pjesë nga raporti i DIA-s

Rruga detare Shqipëri-Puglia për trafikimin e marijuanës konfirmohet në të njëjtin raport ku vetëm në njërën prej faqeve të tij përmenden të paktën 4 operacione, ndërsa thesohet se në brigjet e Puglias është arritur të kapet një sasi prej gjysmë tonelate marijuanë (gjithnjë gjatë, gjashtëmujorit të parë të 2019-s)

Gjatë kësaj kohe janë dokumentuar edhe raste kur janë ndryshuar pikat e zbarkimit të ngarkesave me marijuanë në brigjet italiane të Adriatikut për t’i shpëtuar kapjes nga autoritetet policore.

Këtë e dëshmon operacioni “SFIZIO” i Guardia di Finanza i Mesinës i cili dëshmoi zbarkimin e ngarkesave të mëdha me marijuanë që mbërrinin nga Shqipëria dhe kishin destinacion tregjet nga Kalabria e deri në Lombardi.

“Faktoje” konstaton përputhje mes gjetjeve të gazetarëve të RAI 3 dhe asaj çfarë konfirmon raporti i publikuar në parlamentin Italian, sa i përket Shqipërisë si vend i kultivimit të bimëve narkotike duke vënë në pikëpyetje deklaratën e ministrit të brendshëm Lleshaj dhe kryeministrit Rama.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img