BallinaPremtimeErdhi uji... në 2020-n

Erdhi uji… në 2020-n

MERXHAN DACI & MARINA DYRMISHI

Kujt do t’ia merrte mendja se në Tiranën e vitit 2020, qytetarët do të kishin ende ujë me orar dhe do të mbushnin sërish bidona! Në periudhën pas tërmetit, disa lagje të Tiranës po përballen me një kufizim edhe më të madh të ujit. Depozitat që u siguronin qytetarëve ujë të vazhdueshëm, edhe pse të konsideruara një burim sëmundjesh dhe shëmti urbane, po hiqen pas vendimit të bashkisë që vuri afatin 30 janar. Çfarë do të bëhet për ujë?

………………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Pas tërmetit të 26 nëntorit, 140 pallate të vjetra të para viteve 1990 u dëmtuan. Bashkia Tiranë mori vendimin që deri në fund të janarit të këtij viti, depozitat e ujit mbi këto pallate duhet të hiqen.

Vendimin e mori Këshilli Bashkiak i kryeqytetit në dhjetor të vitit të shkuar.

Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha Veliaj.

Situata në terren është problematike. Qytetarët janë kryesisht pa alternativë duke u furnizuar me orar të kufizuar me ujë.

Hajro, që banon tek Rruga e Elbasanit thotë se furnizohet me ujë vetëm tre herë në ditë.

Kemi tre javë që i kemi hequr depozitat, i kemi boshatisur vetë mbas tërmetit pasi kishte lagështirë pallati. Vetëm shpresojmë të kemi sa më shpejt ujë tani se kemi vetëm me orar”, thotë ai.

Njoftim në një nga pallatet në Rrugën e Elbasanit

Edhe Mehdiu që jeton në “Myslym Shyr” ka probleme me ujin. Ai nuk e ka hequr ende depozitën e tij por thotë se vendosja e një të reje do të ishte kosto e madhe për të dhe familjen e tij.

Na shkon më shumë se 150 mijë lekë të vjetra për frymë. Janë shumë lekë, ne me pension jemi”, thotë ai.

Depozita uji në Rrugën Myslym Shyri

Afërdita, që banon në Kombinat thotë se situata po shndërrohet në groteske, pasi banorëve po ju rikthehen episode të së shkuarës, kur u duhej të mbushnin ujë me bidona.

Bashkia ka lënë afat deri në fund të muajit, por unë nuk e heq depozitën. Kemi vetëm tre orë ujë në ditë, ça të bëj më parë? Kam njerëz të sëmurë në shtëpi, luftë do bëj dhe depozitën nuk e heq pa pasur ujë të rrjedhshëm”, thotë ajo për “Faktoje”.

Pallat në Kombinat

Banorët e Kombinatit por jo vetëm e dinë që depozitat nuk janë zgjidhje, por kërkojnë zgjidhje të përhershme për ujin.

Gëzimi, banor i kësaj lagjeje po e vuan shumë mungesën e ujit. Ai jeton në kat të parë dhe depozitën ia kanë hequr.

Ujë kemi vetëm tre herë në ditë me nga një orë e gjysëm furnizim. S’mund të çohemi në 6 të mëngjesit për t’u larë. As lavatriçja nuk punon me aq pak ujë”, tregon ai.

A e ka bashkia seriozisht?

Tirana është ndoshta nga të vetmet kryeqytete me kaq shumë depozita mbi pallate. Heqja e depozitave është një proces i rëndësishëm, duke marrë parasysh se ato kanë qëndruar aty prej vitesh dhe nuk janë hequr pikërisht prej mungesës së furnizimit të plotë me ujë. Pyetja është: sa seriozisht po menaxhohet kjo si situatë?

“Faktoje” pyeti Bashkinë Tiranë për një sqarim se çfarë zgjidhje është parashikuar për furnizimin me ujë të qytetarëve pas heqjes së depozitave, por nuk mori një përgjigje.

Edhe Ujësjellës Kanalizimet Tiranë dhanë një përgjigje evazive dhe të shkurtër. Sipas tyre, brenda janarit volumi i ujit do të rritet me 30% nga basenet ku furnizohet kryeqyteti dhe si rrjedhojë oraret me ujë do të shtohen.

Bashkia e Tiranës nuk ka bërë asnjë përditësim në lidhje me situatën e depozitave, që pas urdhrit për heqjen e tyre pas tërmetit të 26 nëntorit. Njoftimet e fundit për media të këtij institucioni kanë qenë aktivitete të kryetarit Veliaj që nuk kanë asnjë lidhje me problematikën e krijuar nga heqja e depozitave.

5 njoftimet e fundit të Bashkisë Tiranë:

  • Bashkia e Tiranës me “shtëpi të re” në Bulevard
  • Veliaj takon Zv/Presidentin e Kongresit Amerikan Hebre
  • Vijon rikonstruksioni i shkollës 1 qershori në Kombinat
  • Jonida Maliqi i bashkohet nismës për mbjelljen e 100 pemëve në Parkun e Liqenit
  • Zall Bastari me rrugë të re

Uji 24 orë që s’erdhi kurrë

Deklaratat dhe premtimet për ujë 24 orë kanë qenë të hershme në Tiranë.

Kryetari aktual Veliaj e ka trumbetuar në mënyrë të herëpas’hershme furnizimin me 24 orë ujë.

Në korrik të vitit 2017, kryebashkiaku Veliaj tha se brenda pesë viteve Tirana do të bëhej si Korça me 24 orë ujë, por deri më sot, qytetarët në kryeqyet ende kanë ujë me orar.

1 nëntor 2017 Veliaj tha: “Një histori suksesi ka qenë një kompani e falimentuar që nuk furnizonte më shumë se 7 orë qytetin e Tiranës, një kompani që jo vetëm po nxjerr fitim, jo vetëm e ka çuar në 14 orë furnizimin e qytetit, por tashmë po përgatitet për investimet për të sjellë 24 orë ujë në Tiranë”.

Viti 2020 ka hyrë dhe kryeqyteti ende e ka problem të theksuar çështjen e ujit. Ujë 14 orë, zor të gjesh në ndonjë lagje të Tiranës (aq më pak furnizim 24 orë pa ndërprerje) teksa banorët janë pa informacion, përballë dy mundësive: të heqin depozitën dhe të vuajnë për ujë apo të rezistojnë për t’i mbrojtur depozitat, si e vetmja mundësi për ujë “24 orë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img