JOEL ÇELA
Prej kësaj të hëne, më 16 mars ka hyrë në fuqi urdhëri i qeverisë për ndalimin e kalimtarëve në rrugë, pas orës 18:00. Si reaguan qytetarët pas këtij kufizimi të radhës, kundër përhapjes së koronavirusit? Nga vëzhgimi i “Faktoje” përgjatë dy ditëve të fundit kuptuam se sanksioni me gjoba i bindi qytetarët në Tiranë “të mblidhen” në shtëpi pas këtij orari.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Përshkallëzimi i masave nga qeveria për të shmangur përhapjen e COVID-19 nuk u ndal vetëm me aktin normativ të miratuar në 15 mars, por vijoi me masa të tjera shtrënguese që u komunikuan në vijim nga kryeministri Rama. Një prej tyre është ndalimi i qarkullimit të kalimtarëve pas orës 18:00. Ndërsa të hënën qytetarët duhet të këshilloheshin, nga dje do të fillonte zbatimi i gjobave për shkelësit.
“Faktoje” vëzhgoi dy ditët e fundit situatën në rrugët e Tiranës pas orës 18:00. Ashtu siç kemi shkruar më parë, gjatë ditës së hënë në 16 mars, rrugët e Tiranës kishin numrin e zakonshëm të këmbësorëve në këto ditë karantine.
Situata ishte krejtësisht ndryshe një ditë më pas, kur hyri në fuqi vendosja e gjobave në vlerën 10 mijë lekë për kalimtarët e pabindur. “Faktoje” shkoi në rrugën e Elbasanit, zonën e Xhamllikut, kryqëzimin e Brrylit, kryqëzimin tek “Ushtari i Panjohur”, sheshin “Skënderbej”, si dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Kryqëzimi tek “Ushtari i Panjohur”
Rruga e Elbasanit
Qendra e Tiranës
Të gjitha këto rrugë ishin pothuajse të boshatisura, pak minuta pas orës 18 00 dhe të vetmit këmbësorë që rastisëm ishin policët e patrullave. 24 orët e para të këtij urdhëri treguan se qytetarët e Tiranës janë treguar më të bindurit, pasi raporti ditor i Policisë së Shtetit konfirmon se në kryeqytet është gjobitur vetëm një kalimtar si shkelës, ndërsa në Durrës janë gjobitur 9 persona.
Kompleksi i Ministrive, pas sheshit Skënderbej
Kryqëzimi mes “Unazës” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”
Hyrja për në pedonale
Kryqëzimi mes “Unazës” dhe rrugës “Hoxha Tahsin”
Ashtu si në rastin e urdhërit për lokalet, këshillimi u injorua nga qytetarët, derisa kjo masë mori formën e një urdhëri të shoqëruar me penalizime.
LEXO EDHE:
“Testi” 24 orësh para se të mbylleshin lokalet, urdhëri nuk u respektua
“Funksionon” ultimatumi dhe kërcënimi me gjobë, mbyllen lokalet në Tiranë