MARJO BRAKAJ
Mijëra banorë të fshatrave Zhupan, Drizë dhe Plyk në Fier prej vitesh ankohen për nivelin e lartë të ndotjes si pasojë e depozitimit të mbetjeve të rrezikshme në ambientet e ish-Azotikut dhe lëndët kancerogjene nga aktiviteti i Uzinës së Përpunimit të Naftës. Bashkia e Fierit në një dokument të vitit 2016 pranon se zona po bëhet e pajetueshme nga ndotja, por paradoksalisht kompania përpunuese është “ligjëruar” me leje mjedisore. Ish-Azotiku dhe hapësira preh 40 hektarë vijon të konsiderohet si një vatër e nxehtë që shkakton ndotje në mjedis.
Rreth 5,000 banorë të fshatrave Zhupan, Drizë dhe Plyk në qytetin e Fierit bashkëjetojnë prej vitesh me ajrin dhe tokën e ndotur. Një sasi prej 40 tonësh lëndësh toksike, përfshirë arsenikun është depozituar në territorin e ish Azotikut, saktësisht në zonën e Uzinës së Nitratit të Amonit.
Uzina e Nitratit të Amonit Fier
Bashkia Fier, në raportin përfundimtar të Vlerësimit Strategjik Mjedisor të viti 2016, raporton se territori i Azotikut paraqet rrezik real ndotjeje.
“Në territorin e Azotikut, respektivisht në zonën e Uzinës së Nitratit të Amonit, është depozituar një sasi prej 40 tonësh lëndë kimike helmuese, përfshirë arsenikun, i cili dikur përdorej si lëndë e parë për prodhimin e plehrave azotike. Pavarësisht çaktivizimit të mbetjeve të arsenikut dhe groposjes së standardizuar, me monitorim 30-vjeçar nga BE-ja, nuk është realizuar ende studimi i përbërjes së tokës dhe ujërave nëntokësore të zonës, për të parë impaktin afatgjatë të këtyre mbetjeve”, thuhet në raport.
Raporti shton gjithashtu se ndotja e trashëguar vijon të ndihet ende në ajër.
“Ndotja e trashëguar e Azotikut, e formuar nga sasia e cianurit dhe arsenikut, ndjehet ende në ajër, deri në fshatrat Drizë, Zhupan, Plyk e lagjen “11 Janari”, në një popullsi prej rreth 5,000 banorësh”.
Siç edhe AKM e konsideron, cianuri paraqet njërrezikshmëri të lartë për shëndetin e njeriut.
“Në zonën e Fierit, matjet indikative kanë regjistruar probleme serioze të shkaktuara nga industria prezente dhe e mëparshme e naftës. Në afërsi të industrive të mëdha mund të ekzistojnë probleme me CAM-in, por monitorimi i një burimi të vetëm nuk është një mjet eficient për strategjitë e pakësimit/zvogëlimit. Një monitorim i përshtatshëm i shkarkimeve, duhet t’i prezantohet kontrollit të shkarkimeve nga burime pikësore. Dampat dhe depozitat e krijuara nga aktivitetet të mëparshme industriale, mund të kontribuojnë gjithashtu, në shkarkimet dhe formimin e pezullive të grimcave”, thuhet në Fletoren Zyrtare referuar raportimeve të Entit Rregullator të Energjisë.
“Faktoje” ishte të martën më 5 maj edhe në fshatrat që shtrihen në afërsi të territorit të ish-azotikut.
“Jemi mësuar, nuk na bën më përshtypje. Hallin e fëmijëve kemi, se mushkëritë tona kanë mbaruar. Ne e kemi helim nga të gjitha anët. Helmet te ish-Azotik nga njëra anë, uji i pusit shpesh vjen aromë, uzina e naftës po e po. Ishin ca pisha, i prenë dhe ato”, i tha “Faktoje”, 55-vjeçarja, Drita Mysli nga fshati Drizë.
Për 75-vjeçarin Hekuran Mehmeti nga fshati Plyk, ish-Azotiku, një ndër veprat e sistemit të komunizmit, përbën sot kërcënim për për shëndetin banorëve, e veçanërisht fëmijëve.
“Ka mbetje që nga koha e komunizimit aty. U groposën, po ato përhapen e ndotin tokën. Kemi pasur probleme edhe me ujin. Është thëne se do pëhej park, do vinin ca kompani të huaja, do e gjelbëronin, por deri tanoi asgjë. Nuk e kam hallin për vete, por për fëmijët. Ca papunësia e ca ajri, nuk ka ça i mban më në Plyk, ikin”, tha 75-vjeçari Hekuran Mehmeti.
Por për rreth 5,000 banorët e fshatrave Zhupan, Drizë dhe Plyk, ish-Azotiku nuk është problemi i vetëm.
Rreth 500 mijë tonë naftë përpunohen çdo vit nga Uzina e Naftës në Fier, përmes kompanisë AL.Global Oil.
Rafineria e Naftës Fier
Sipas një përgjigjeje të depozituar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, AL.Global Oil, operatori që aktualisht menaxhon përpunimin e naftës në Rafinerinë e Naftës Fier, rezulton të jetë i pajisur me leje mjedisore.
Përgjigje nga AKM, leje mjedisore për AL.Global Oil
“Prezenca e rafinerisë së naftës në afërsi të ish Azotikut sjell gjithashtu probleme me ajrin, duke e bërë zonën të pajetueshme në terma afatgjatë”, thuhet në raportin e Vlerësimit Strategjik Mjedisor të viti 2016 nga Bashkia Fier.
“Çdokush që kalon në Qafën e Koshovicës e ndien erën në ajër. Është e rëndë dhe shpeshherë detyrohemi të vëmë ndonjë rrobë për të mbuluar gojën. Ndotje ka sa të duash. Kompania operon me infrastrukturën e vjetër”, i tha “Faktoje”, 62 vjeçari Alush Karemanaj nga fshati Drizë.
“Faktoje” pyeti edhe në Autoritetin Kombëtar të Mjedisit lidhur me shqetësimet e ngritura nga banorët e këtyre zonave, por AKM na informoi se nuk ka stacion monitorimi në atë zonë.
Përgjigjja nga AKM për FAKTOJE
“Faktoje” pyeti edhe në Bashkinë Fier lidhur me planifikimin për zvogëillimin e zonës së ish-Azotikut. Bashkia konfirmon se vijon të zbatohet vetëm në teori Plani i Përgjithshëm Vendor i vitit 2016, por ai nuk ka gjetur zbatueshmëri në terren.
Përgjigje nga Bashkia Fier
Ndërkohë që projekti për rehabilitimin e zonës së ish-Azotikut, mbetet ende në letër, komuniteti prej 5,000 banorësh i zonave përreth mbetet i kërcënuar nga lëndët toksike të depozituara dhe ndotja që po kryhet me leje mjedisore.
Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.