Pretendimi: Vuçiqi njeh Kosovën dhe dërgon Vulinin për ngushëllim te Putini në Rusi

Verdikti: E pavërtetë

Titulli provokues i një artikulli të portalit online NTV.al: “Vuçiqi njeh Kosovën dhe dërgon Vulinin për ngushëllim te Putini në Rusi”, ka tërhequr menjëherë vëmendjen e lexuesve.

brendësi të artikullit, përmbajtja është e varfër në informacion dhe argumente. Artikulli përfshin një deklaratë të ish-deputetit serb Dragan Sormaz, i cili bën disa komente për situatën politike në Serbi dhe marrëdhëniet me Rusinë, por nuk jep asnjë provë ose citim konkret që të mbështesë pretendimin se Vuçiçi ka njohur Kosovën. Mungesa e informacionit konkret, si data dhe vendi i deklaratës, e bën këtë artikull të prezantohet si një lajm mbi një zhvillim konkret më shumë sesa një opinion personal.

Një nga pikat kyçe të artikullit është përmendja e ngjarjes tragjike të Banjskës, e cila, sipas Sormaz, ishte një lëvizje e mençur nga ana e Vuçiçit për Serbinë. Megjithatë, ky koment nuk ka asnjë lidhje me njohjen e Kosovës. Vuçiç dhe zyrtarët e tjerë serbë kanë qenë të qartë dhe të qëndrueshëm në qëndrim, duke e mohuar vazhdimisht njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Serbisë në vitin 2022, Vuçiç deklaroi se “derisa unë të kem ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës”.

Një tjetër aspekt shqetësues i këtij artikulli është se ai përdor retorikë të papërshtatshme për të paraqitur situatën politike, duke sugjeruar se Vuçiçi po përpiqet të hedhë hi syve votuesve të tij dhe Kremlinit. Kjo krijon një narrativë të keqinformuar dhe manipulative që mund të ndikojë në perceptimin e opinionit publik mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në Ballkan.

Shtimi i tensioneve në rajon, veçanërisht në kontekstin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, kërkon një qasje të përgjegjshme dhe të bazuar në fakte nga ana e mediave.

Ky artikull, i verifikuar edhe nga kolegët tanë të Sbunker në Kosovë, është një shembull klasik i praktikës së titujve “karrem”, ku qëllimi është tërheqja e klikimeve pa ofruar ndonjë përmbajtje të vlefshme ose të vërtetë.