Dy muaj pas gjobitjes së Shqipërisë me 109 mln euro nga gjykata e arbitrazhit, për padinë e biznesmenit, Becchetti, një tjetër faturë prej 44 milionë dollarësh vjen si ndëshkim për Shqipërinë. Rasti i fundit ka të bëjë me dëmshpërblimin e kompanive Copri dhe Aktor, për prishjen e kontratës për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan. Përtej akuzave të ndërsjella politike, dëmi përkthehet në kosto për taksapaguesit.
Vetëm në dy muaj kalendarikë, Shqipërisë i janë faturuar mbi 150 milionë euro, nga gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit. Pas 109 milionëve ndaj Becchettit, taksapaguesit shqiptarë do paguajnë edhe 44 milionë dollarë në formë dëmshpërblimi për llogari të kompanive Copri dhe Aktor, të cilat u kontraktuan në vitin 2012 nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan.
Më 1 shtator, Gjykata Ndërkombëtare e Arbitrazhit (ICC), i konsideroi të drejta pretendimet e këtyre dy kompanive, për kosto shtesë në ndërtimin e këtij segmenti, të cilat nuk u paguan nga qeveria.
Partitë politike konsumojnë akuzat, kostot i paguan qytetari!
Partia Demokratike, përmes ish-deputetëve Endri Hasa dhe Gent Strazimiri, akuzoi qeverinë për favorizim dhe klientelizëm.
Edi Rama gjobit shqiptarët me 44 milion euro për interes të mikut të tij dhe të Taulant Ballës, Edmond Bego. Qeveria shqiptare humbet gjyqin në Arbitrazh dhe duhet të paguajë kompanisë greke Aktor, shumën e majme e qytetarëve. Gent Strazimiri deklaratë për mediat – thuhej në reagimin e Partisë Demokratike.
Akuzave iu përgjigj përmes një statusi në facebook, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë:
Vendimi i fundit i arbitrazhit vërteton dhe njëherë se ndryshimet e njëpasnjëshme në këtë projekt, sipas oreksit të ministrave dhe drejtorëve që ndërroheshin dhe i përkisnin LSI, të ndjekur penalisht për shkeljet e kryera, do pasoheshin me faturë financiare për shqiptarët – thuhet në reagimin e MIE.
Pas akuzave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, reagoi edhe ish- ministri i Transportit dhe Infrastrukturës së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto ndërsa LSI publikoi letrën e informimit që ish ministri kishte bërë në mars të vitit 2016, mbi problematikat me firmën Greke në rrugën Tiranë-Elbasan.
Më 6 shtator, “Faktoje” pyeti në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit lidhur me çështjen mes shtetit shqiptar dhe kompanive Copri dhe Aktor.
Nga ICC na u komunikua se për shkak të rregullave të arbitrazhit, nuk mund të na informonte mbi detaje që lidheshin me çështjen në fjalë.
Shqipëria në Gjykatat Ndërkombëtare
Në muajin korrik, Faktoje iu drejtua me një kërkesë Avokaturës së Shtetit ku e pyeste mbi numrin e çështjeve të hapura ndaj Shqipërisë në gjykatat ndërkombëtare. Pas ankimimit në zyrën e komisionerit, për moskthim përgjigje brenda afatit, Avokatura e Shtetit na konfirmoi se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka në shqyrtim 205 çështje të komunikuara me palë shtetin shqiptar, që prej vitit 2008.