BallinaFaktometerPa kategoriPetrit Vasili: Dy miliardë euro rrezikon buxheti i shtetit nga arbitrazhet ndërkombëtare

Petrit Vasili: Dy miliardë euro rrezikon buxheti i shtetit nga arbitrazhet ndërkombëtare

ANDI BORA

Dy miliardë euro është dëmi financiar me të cilin buxheti i shtetit rrezikon të përballet nga katër çështje në arbitrazhin ndërkombëtar.

Ky fakt, u denoncua kohë më parë nga kreu i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në rrjetin social Facebook.

Sipas Vasilit, ky informacion i është bërë prezent Ministrisë së Drejtësisë, me shkrim nga Avokatura e Shtetit, më herët se ai ta bënte publike çështjen.

Në kohën kur ishte ministër i drejtësisë, Petrit Vasili, këtë informacion ia ka përcjellë edhe kryeministrit me një shkresë zyrtare, duke e vënë në dijeni për rrezikun me të cilin qeveria dhe buxheti i shtetit mund të përballen nga katër arbitrazhe të cilat sipas tij arrijnë shifrën e 2 miliardë eurove.

Në një intervistë televizive për “Report TV”, e cila mban datën 23.11.2017, Vasili u shpreh: “Së pari nuk është një alarm që ngre unë , është një alarm i vendosur kohë më parë nga Avokatura e Shtetit të Republikës së Shqipërisë, e cila po përballet me një seri procesesh gjyqësore shumë të mëdha, në të cilat Shqipëria është palë, për arsye të prishjes së njëanshme, arbitrare e në mënyrë klienteliste të disa marrëveshjeve të rëndësishme.”

Sipas shkresës së drejtuar kryeministrit nga ish-ministri Vasili, i cili mban datën 06.04.2017,  dëmi financiar në buxhetin e shtetit i shkaktuar nga çështjet e humbura nga Zyra Qendrore, avokatët e ministrive dhe zyrat vendore arrin shifrën e 8.5 miliardë lekëve.

‘’Faktoje’’, me anë të një shkrese zyrtare, iu drejtua Avokaturës së Shtetit për të marrë informacion lidhur me katër çështjet me të cilat qeveria ndodhet në arbitrazh ndërkombëtar . Fillimisht, institucioni në fjalë i pyetur se cilat ishin kompanitë dhe sa është dëmi financiar që mund të shkaktohet, refuzoi të përgjigjet duke iu referuar “Ligjit për të Drejtën e Informimit”, ku përcaktohen pengesat ligjore si më poshtë:

  1. E drejta e informimit mund të kufizohet në rast se është e domosdoshme, proporcionale dhe nëse dhënia e informacionit dëmton interesat e mëposhtëm:
  2. dh) barazinë e palëve në proces gjyqësor dhe mbarëvajtjen e procesit gjyqësor;

Sipas Avokaturës së Shtetit, informacioni i kërkuar është konfidencial dhe nuk mund të bëhet publik për arsye të cënimit të interesit të barazisë së palëve në proces gjyqësor dhe mbarëvajtjes së procesit gjyqësor. Gjithashtu kjo do të pasohej nga cënim i interesave të palëve ndërgjyqëse dhe palëve të treta të lidhura direkt apo indirekt me to.

Për shkak të refuzimit të dhënies së informacionit të kërkuar nga Avokatura e Shtetit, “Faktoje” e ankimoi këtë çështje tek Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Në datën 15 Janar 2018 u zhvillua një seancë dëgjimore me përfaqësues nga Avokatura e Shtetit dhe ne si palë ankimuese.

Komisioneri e vlerësoi pjesërisht të drejtë kërkesën e ‘’Faktoje-s” drejtuar Avokaturës së shtetit dhe kjo e fundit, e detyruar ligjërisht na vuri në dispozicion një pjesë të përgjigjes si më poshtë:

  • Kompanitë private në arbitrazh ndërkombëtar për shkak të zgjidhjes së kontratës me shtetin shqiptar;
  • Kompanitë të cilat kanë fituar gjyqin ndaj shtetit shqiptar.

Institucioni i Avokaturës së Shtetit nuk na vuri në dispozicion shifrat që pretendojnë palët në gjyq, ashtu siç e parashikonte edhe vendimi i dhënë nga Komisioneri, por na vuri në dispozicion vetëm dëmin e shkaktuar ndaj buxhetit të shtetit deri në periudhën 20 shkurt 2018, ditën në të cilën na u vu në dispozicion përgjigja.

Sipas Avokaturës së Shtetit, dëmi i shkaktuar deri në periudhën që u përmend më sipër, është 4.9 milionë Euro (vetëm nga dy kompani).

Bazuar në përgjigjet e marra, “Faktoje” nuk mund ta verifikojë vërtetësinë e deklaratës së dhënë nga Vasili, sipas së cilës buxheti i shtetit rrezikohet me dy miliardë euro si pasojë e çështjeve në arbitrazh ndërkombëtar.

Këtë deklaratë e klasifikojmë PA KATEGORI.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img