KLEVIS PALOKA
“Dhe sot që flasim ka një rekord historik sepse mbipopullimi në burgje është 0 % (0 përqind)”, kështu deklaronte në seancën parlamentare të 16 majit, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Në monitorimin e fundit të bërë nga “Faktoje” në tetor të vitit 2018-të, rezultonte se plot 12 burgje ishin të mbipopulluara.
Por çfarë ka ndodhur 7 muaj më pas, a është në të vertetë mbipopullimi 0 përqind siç deklaron ministrja Gjonaj apo vazhdon të ketë mbipopullim në nivele të konsiderueshme në sistemin penitenciar?
Në një verifikim nga “Faktoje” në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve rezulton se statistikat e fundit të publikuara i përkasin muajit prill për gjendjen e të dënuarve dhe të paraburgosërve në Institucionet e Ekzekutimit të Veprave Penale (IEVP).
Nga të dhënat e publikuara nga DPB-ja shihet qartë që nuk ka ndonjë përmirësim në disa prej IEVP-ve, madje në disa prej tyre ka edhe mbipopullime krahasuar me tetorin e 2018-ës.
Aktualisht janë mbi kapacitetin e tyre plot 12 burgje (IEVP), ku rekordin e mban IEVP “Jordan Misja” me 194 të burgosur mbi kapacitetin e lejuar. Pas këtij institucioni, renditet ai i IEVP Berat me 76 persona mbi kapacitetin e lejuar dhe ka si funksion të tij vetëm atë të paraburgimit. Në të vuajnë heqjen e lirisë edhe 47 të dënuar. Situata e mbipopullimit ndiqet nga IEVP Fushë-Krujë me 73 të burgosur mbi kapacitetin e lejuar.
Ndërkaq burgjet me një numër më të vogël mbi kapacitet janë IEVP Vlorë dhe IEVP “Mine Peza” me 3 të burgosur më shumë.
Duke qënë se të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tregojnë të kundërtën e asaj çfarë deklaroi ministrja Gjonaj për një rekord historik me 0 përqind në mbipopullimin e burgjeve, deklaratën e saj do ta kategorizojmë si GËNJESHTËR.
LEXO EDHE KËTË