BallinaPertejJetimët duan vëmendje gjithmonë jo veç një ditë

Jetimët duan vëmendje gjithmonë jo veç një ditë

JURGEN BAME

Jetojmë në një botë që vuan nga uria, jo vetëm nga uria për bukë por nga uria për dashuri”- ka thënë Nënë Tereza.

Sot më shumë se kurrë do të gjente zbatim kjo shprehje sidomos për fëmijët jetimë. Sot më shumë se kurrë të gjithë duhet të jenë solidarë me fëmijët jetimë për t’u falur atyre dashuri, këtë ndjenjë që në jo pak raste e kanë të mohuar nga familjarë të tyre.

E megjithatë, këta fëmijë në një formë apo tjetër gjejnë mbështetje nga strukturat shtetërore dhe jo vetëm, por kurrë nuk është mjaftueshëm për t’ua bërë jetën më të lehtë e me të bukur.

Shqipëria ka aktualisht mbi 31 mijë fëmijë jetimë, të cilët nga lindja deri në 15 vjeç trajtohen mirë nga shteti, por pas kësaj moshe ata përballen me vështirësi të mëdha. Ata dalin nga shkollat dhe jetimoret në rrugë të madhe midis rreziqeve dhe për ta nuk parashikohet më asnjë mbrojtje sociale. Është ky një konstatim i dhënë edhe nga personat që merren dhe trajtojnë problematikat e fëmijëve jetimë në vendin tonë. Edhe pse 20 Maji është “Dita Kombëtare e Jetimëve” në Shqipëri, shteti, organizatat e fëmijëve si dhe shoqëria nuk duhet të kujtohen vetëm sot për ta.

20 Maji nuk cilësohet si ditë feste por një ditë apelimi, reflektimi sesi institucionet apo operatorët që merren me këtë target-grup duhet t’i trajtojnë fëmijët jetimë, për t’i dhënë dinjitetin që meritojnë dhe vendin e duhur në shoqëri.

Nga studimet e kryera nga “Instituti Kombëtar i Jetimëve Shqiptarë”, nga ana e shoqërisë vihet re një qëndrim injorues e neglizhues ku shfaqen hapur në jo pak raste edhe emocionet negative  ndaj kësaj kategorie fëmijësh.

Drejtuesi i Institutit Kombëtar për Integrimin e Jetimëve, Ilir Çumani, në një intervistë për mediat shqiptare u shpreh se “Statusi i Jetimit” është një nga problemet thelbësore. Prej 22 vitesh ekziston një ligj por ka qënë i pazbatueshëm për shkak të ndryshimeve të realitetit dhe politikës në Shqipëri.

Shumë nene të ligjit nuk janë zbatuar për shkak të reformave dhe politikave që janë ndjekur për të decentralizuar shërbimet nga pushteti qëndror në atë lokal.

Edhe pse është zgjeruar dhe rritur roli plotësues i OJF-ve në ofrimin e shërbimeve sociale, shteti mbetet  faktori kryesor për shërbimet për fëmijët jetimë.

Nga statistikat e qendrave rezidenciale rezulton se pjesa më e madhe e fëmijëve janë të braktisur dhe vijnë nga familje me probleme social – ekonomike kryesisht nga Shqipëria e Mesme dhe Veriore. Në këtë kuadër Shërbimi Social Shtetëror i kushton vëmendje dhe ka prioritet të punës, nxitjen e shërbimeve alternative të kujdesit ndaj fëmijëve të braktisur, nëpërmjet birësimit, kujdestarisë dhe shërbimeve në komunitet. Vendosja dhe qëndrimi në institucion është alternativa e fundit e shërbimit ndaj fëmijëve dhe për këtë duhet të punohet më shumë për fuqizimin dhe funksionimin e mekanizmave të cilët operojnë në fushën e mbrotjes së të drejtave për fëmijë.

Aktualisht rrjeti i Institucioneve Rezidenciale Publike të Përkujdesit për Fëmijet përbëhet nga 9 institucione publike dhe 18 qendra rezidenciale jopublike.

Sipas z. Çumani, institucionalizimi i këtyre fëmijëve është varianti më i keq i mundshëm për të vendosur dhe sistemuar fëmijët jetimë në institucione por është varianti më i domosdoshëm për shkak të situatave me të cilat ata mund të përballen në rrugë ose për shkak të pozicioneve të vështira familjare ku ata jetojnë.

Problemi më i madh për fëmijët jetimë është shkëputja që bën shteti kur ai mbush moshën madhore. Në fakt në këtë moshë jetimët kanë më shumë nevojë për shtetin sepse ata janë përballë situatave të panjohura për ta përballuar jetën të vetëm.

Shumëkush apo të gjithë ne nuk duhet të kujtohemi për fëmijët jetimë vetëm në 20 Maj. Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme se çfarë “borxhi” i ka kësaj kategorie njerëzish ashtu sikurse shoqëria duhet të jetë më e emancipuar për këtë fenomen. 20 Maji duhet të jetë në 365 ditë të vitit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img