BallinaPertejGjiknuri: Uzina e Ferrokromit Burrel prodhon 36 mijë ton në vit

Gjiknuri: Uzina e Ferrokromit Burrel prodhon 36 mijë ton në vit

ANXHELA RUÇI

Qeveria ka marrë masa për ringjalljen e industrisë përpunuese dhe rezultatet janë të dukshme- këto tha ndër të tjera ish-ministri Damian Gjiknuri nëpërmjet një postimi në Twitter në shtator të vitit 2018. Në po të njëjtin postim Gjiknuri thotë: “Uzina e Ferrokromit Burrel nga një objekt në konservim tashmë prodhon 36.000 ton/vit duke i dhënë ekonomisë kombëtare 28 milionë USD vlerë të shtuar”.

 

“Faktoje”, mori në shqyrtim deklaratën e ish- ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, atëherë në detyrë për të parë nëse vlerat që ai jepte ishin të sakta dhe nëse vërtet prodhimi i ferrokromit në Burrel ka arritur vlerën e 36 mijë ton në vit.

Institucioni i parë që është pyetur për prodhimin e ferrokromit është Ministria e Energjisë dhe Infrastukturës, pra ai institucion që drejtohej nga vetë Damian Gjiknuri, i cili ka dhënë shifrat për prodhimin e ferrokromit. Në përgjigje të saj ministria thotë se nuk ka asnjë shifër apo informacion për prodhimin e ferrokromit në Shqipëri, duke na sugjeruar t’i drejtohemi INSTAT.

Institucioni i dytë ku kërkuam informacion ishte INSTAT, nisur nga sugjerimi i ministrisë dhe duke marrë parasysh se ky është institucioni që merret me përpunimin e statistikave. Por edhe ky institucion nuk ka asnjë të dhënë. Nëse kërkon me fjalëkyç në websiten e INSTAT “ferrokrom”, motorri i kërkimit nuk gjeneron asnjë të dhënë.

Përpjekja e rradhës nga  “Faktoje” ishte Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore(AKBN). Drejtoria Minerare kthen të njëjtën përgjigje si ministria përkatëse dhe INSTAT-i se nuk ka asnjë të dhënë për sasinë e ferrokromit të prodhuar në Shqipëri.

I vetmi informacion për sasinë e ferrokromit të prodhuar në  qytetin e Burrelit gjendet në faqen online të kompanisë private që operon në këtë fushë. Sipas të dhënave të cilat janë publike, por edhe janë konfirmuar nga kjo kompani për “Faktoje”, sipas tyre në vit prodhohet 60 mijë ton ferrokrom. Por edhe kjo shifër nuk përputhet me shifrën prej 36 mijë ton që ka thënë në postimin e tij Damian Gjiknuri.

Duke qenë se janë tre institucione shtetërore që nuk kanë asnjë të dhënë për sasinë e ferrokromit të prodhuar në Shqipëri, natyrshëm na lind dyshimi se ku i ka gjetur shifrat ish-ministri për këtë produkt dhe nëse këto shifra nuk janë askund publike a duhet t’i besojmë? Kjo mbetet në dorë të lexuesve për ta vlerësuar deklaratën e Damian Gjiknurit se industria përpunuese është ringjallur dhe se Uzina e Burrelit prodhon 36 mijë ton ferrokrom në vit.

Mungesa e të dhënave është një nga problemet kryesore me të cilat “Faktoje” është përballur shpesh gjatë punës për të verifikuar deklaratat e politikanëve. Duke mos dashur ta klasifikojmë si gënjeshtër deklaratën e Gjiknurit për shkak të mungesës së të dhënave do ta lëmë PA KATEGORI.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img