Planifikimi urban ka disa parametra që duhen ruajtur.
I pari është komponenti i intensitetit që tregon sasinë e metrave katrorë që të duhen për të ndërtuar në një parcelë të caktuar. Kjo është e shprehur në kate. I dyti është koefiçenti i shfrytëzimit të territorit, që lidhet me sa mund të ndërtohet në katin e parë, i cili përcaktohet në rregulloren e planit të përgjithshëm vendor të Tiranës.
Leja e zhvillimit të territorit, sipas rregullores së Bashkisë së kryeqytetit parashikon edhe distancat mes ndërtesave, si dhe distancën e objektit nga rruga.
Ndër të tjera kjo rregullore pëcakton se “distancat duhet të mos cënojnë lirinë e përdorimit të pronës, të krijojnë hapësira publike dhe funksionale të nevojshme për shërbimet ndaj komunitetit…”
Imeld Sokoli, planifikues Urban sqaron për Faktoje se Bashkia e Tiranës e ka Planin e Zhvillimit por problemi qëndron tek zbatimi. “Ne nuk e zbatojmë planin. Një parametër ose tjetri përherë shmanget, sic është edhe rasti i sasisë së shfrytëzimit të territorit.” – tregon ai.