Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se ligjvënësit në Florida të SHBA-ve kanë ndaluar përdorimin e vaksinave mRNA, pasi i cilësojnë armë biologjike. Verifikimet tregojnë se lajmi është i pavërtetë, pasi administrata e Floridës nuk ka ndërmarrë hapa për të ndaluar vaksinat COVID-19.
Një postim në Instagram pretendon se Florida është e gatshme të ndalojë vaksinat e COVID-19 sepse ato janë armë biologjike.
“Florida do të ndalojë vaksinat mRNA si dëshmi të besueshme të armëve biologjike”, thuhet në imazhin e një postimi në Twitter.
I njëjti lajm është shpërndarë edhe në facebook. Një profil nga Shqipëria shkruan:
‘Ligjvënësit në Florida kanë njoftuar planet për të përcaktuar zyrtarisht vaksinat mRNA Covid si “armë bio” që janë të rrezikshme për shëndetin e njeriut.’
Pretendimi bazohet në kërkesat më të fundit të liderëve të Partisë Republikane në Florida që pretendojnë se vaksinat janë bioarmë dhe bëjnë thirrje që ato të ndalohen.
Por zyrtarët e shtetit të Floridës nuk kanë bërë asnjë lëvizje për të miratuar një ndalim të tillë.
Kolegët tanë nga Polifact.com kanë verifikuar se të paktën tetë parti lokale republikane në Florida kanë ngritur pretendime për vaksinat dhe kanë kërkuar që ato të ndalohen.
Vaksinat Moderna dhe Pfizer COVID-19 janë vaksina mRNA. ‘M në mRNA qëndron për mesazherin, dhe vaksinat mRNA kundër COVID-19 përfshijnë injektimin e materialit gjenetik në qeliza që prodhojnë proteina të koronavirusit që më pas shkaktojnë një përgjigje imune, duke i mësuar trupit se si të luftojë një infeksion të vërtetë COVID-19.’
Vaksinat mRNA u testuan tek njerëzit. Ato nuk ndryshojnë ADN-në.
Më shumë se 672 milionë doza të vaksinës COVID-19 janë administruar në Shtetet e Bashkuara dhe efektet serioze shëndetësore të lidhura me to janë të rralla, sipas Qendrave Federale për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Në maj, DeSantis nënshkroi projektligje që ndalojnë mandatet e maskave dhe vaksinave COVID-19. Por nuk ka asnjë njoftim public që zyrtarët e shtetit të Floridës të kenë marrë ndonjë veprim për të ndaluar vetë vaksinat.