BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookVaksinat kundër Covid të nevojshme edhe pse nuk ndalojnë transmetimin e virusit

Vaksinat kundër Covid të nevojshme edhe pse nuk ndalojnë transmetimin e virusit

 

Vaksinat kundër Covid-19 nuk e ndalojnë transmetimin e virusit, por rrisin imunitetin e të vaksinuarve dhe kjo dihej që në fillim të nisjes së procesit të vaksinimit. Artikujt e shpërndarë në portale mbi këtë çështje, duke përdorur tituj ‘sensacional’, thjesht përhapin informacione të rreme.

Artikuj të publikuar në portale flasin për një “lojë të fshehtë” të Brukselit në lidhje me çështjen e vaksinave të Covid-19. Ky pretendim është bazuar mbi një përgjigje zyrtare që ka dhënë Agjencia Europiane e Barnave (EMA), ndaj kërkesës së disa eurodeputetëve nëse në tetorin 2022, duke kërkuar pezullimin e autorizemeve të vaksinave të Pfizer dhe Moderna. Përgjigjja e EMA, është publikuar nga eurodeputeti holandez Marcel de Graaff, duke u fokusuar në një pjesë të saj, aty ku thuhet se “vaksinat e Covid-19 nuk janë autorizuar nga EMA për të ndaluar transmetimin e virusit”. Kjo pjesë ka mjaftuar për të ndërtuar në publik pretendimin se EMA e dinte që vaksinat nuk janë efikase, por megjithatë i detyroi qytetarët që të vaksinoheshin.

Shpërthen bomba’ në Bruksel: Europa e dinte që në fillim lojën me vaksinat dhe të Green Pass”-shkruan portali “Patriotik Media”.

Më tej, në brendësi të shkrimit thuhet: “EMA dhe për rrjedhojë Europa e dinin që në fillim se vaksina nuk e parandalonte ngjitjen e Covid”.

Por, çfarë ka deklaruar EMA në lidhje me vaksinat? Agjencia Europiane e Barnave dhe organizma të tjerë botërore kanë theksuar herë pas here se vaksinat kundër Covid-19 nuk janë të autorizuara në mënyrë specifike për parandalimin e transmetimit të virusit nga një person në tjetrin. Por, vaksina e Covid ndihmon në mbrojtjen e njerëzve duke krijuar një përgjigje imune, në mënyrë që pacientët të mos sëmurën rëndë nëse preken nga virusi.

“Vaksinat kundër Covid-19 mund të ofrojnë mbrojtje shtesë për njerëzit që kishin Covid-19, duke përfshirë mbrojtjen kundër shtrimit në spital nga një infeksion i ri”, sqaron gjithashtu Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Edhe publiku shqiptar është familjarizuar gjatë periudhës së pandemisë me rolin që luajnë vaksinat në rritjen e imunitetit ndaj viruseve. Në një sërë intervistash, mjeku Ilir Alimehmeti ka treguar rolin që kanë vaksinat në parandalimin e virusit.

“Vaksina nuk e ndalon transmetimin, por vetëm nuk lejon që të shtrohen të gjithë në spital, por një pjesë e popullsisë pra ul rrezikshmërinë. Vaksina duhet të bëhet për shëndetin personal jo për të shkuar turist apo për të pirë kafe”, ka thënë Alimehmeti një vit më parë.

Faktoje ka verifikuar një sërë artikujsh mbi teoritë konspirative që kanë qarkulluar në lidhje me vaksinat kundër Covid-19.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img