Një vizitë e Papa Bergolios në qendrën përkujtimore të Holokaustit është rishpërndarë në rrjete sociale duke e nxjerrë nga konteksti. Përdoruesit në rrjet pretendojnë se në klip është Papa Françesku që po puth duart e anëtarëve të familjeve Rockefeller, Kissinger dhe Rothschild. 

Në fillim të këtij viti, në rrjete sociale u publikua për herë të parë një video në të cilën Papa Françesku shihet duke shtrënguar duart e disa personave gjatë një ngjarjeje publike. Video shoqërohej me një tekst të mbivendosur ku shkruhet se Papa puth duart dhe përkulet para të ‘fuqive të tokës’, Rockefeller, Kissinger, Rothschild. 

E njëjta video qarkulloi sërish në Facebook në muajin tetor nga një përdorues në Shqipëri, me mbishkrimin: ‘Pa koment, Papa puth duart e Rothchilds’. 

Verifikimet tregojnë se informacioni që po përcillet në rrjete përmes fotove apo kësaj video është i rremë. Kolegët tanë të verifikimit të fakteve në facta.news argumentojnë se përse përmbajtja është mashtrim. 

Skena e kapur në video nuk tregon Papa Françeskun duke shtrënguar duart e anëtarëve të familjeve të rëndësishme bankare Rockefeller dhe Rothschild apo ato të politikanit dhe diplomatit amerikan Henry Kissinger.

Klipi është një montazh i shkëputur nga disa fragmentevizitës që Papa ka zhvilluar më 26 maj 2014 në qendrën përkujtimore të Holokaustit në Jerusalem. Pamjet e videos tregojnë Papa Bergoglio duke përshëndetur autoritetet izraelite, Presidentin e atëhershëm izraelit, Shimon Peres, kryeministrin Benjamin Netanyahu si dhe disa të mbijetuar të gjenocidit të Luftës së Dytë Botërore.

Ata janë vërtetë hebrenj, por asnjëri pjesë e familjeve të mëdha që citohen në postimet që shoqërojnë videon dhe që shpesh akuzohen nga grupe të caktuara si financuesit dhe kontrolluesit e “agjendave botërore”.

Janë bërë të njohura gjithashtu skenat kur Papa Francesku refuzon që besimtarët të puthin dorën e tij gjatë ceremonive publike duke kërkuar që të trajtohet sa më i barabartë me njerëzit e tjerë të zakonshëm.