.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaFatkeqësia nga tërmeti dhe nga zvarritja e rindërtimit

Fatkeqësia nga tërmeti dhe nga zvarritja e rindërtimit

Më shumë se shtatë muaj nga tërmeti i 26 nëntorit, qindra familje, veçanërisht ato në fshatra vazhdojnë të jetojnë në çadra dhe mijëra të tjera, të trajtuara me bonus qiraje, presin ende të nisë puna për rindërtimin. E njëjta situatë dhe për shkollat e dëmtuara, të cilat sipas premtimit të kryeministrit do ishin gati në shtator. Afatet për përfundimin e rindërtimit u zëvendësuan me ato për hapjen e kantiereve. “Faktoje”, gjatë verifikimit në terren në fund të qershorit gjeti zona ku ende nuk ishin shembur banesat  dëmtuara dhe as bëhej fjalë për kantiere ndërtimi.


Procesi i rindërtimit është zvarritur përgjatë një periudhe 7-mujore dhe premtimet për nisjen menjëherë nga puna për strehimin e të pastrehëve nga tërmeti i 26 nëntorit, janë tkurrur me kalimin e javëve dhe muajve. Ashtu siç kemi shkruar më parë, fillimisht u premtua që fundi i vitit 2020 do t’i gjente të gjithë në shtëpi të reja, më pas vetëm ata të zonave rurale e së fundmi vetëm 4000 mijë familje që jetonin në banesa individuale. Ndërsa shkollat e reja do të ishin gati për fillimin e vitit të ri shkollor.

22 maj, kryeministri Rama dhe ministri i Rindërtimit Ahmetaj ishin në një takim në Bubq të Fushë Krujës, për të inspektuar ecurinë e procesit të rindërtimit. Duke iu përgjigjur pyetjes së zotit Rama, se kur fillonte puna në kantieret e ndërtimit, ministri Ahmetaj deklaroi se në krye të 45 ditëve do të kishin edhe infrastrukturën shoqëruese.

Puna fillon në qershor, nga 20 qershori e tutje e gjithë zona e dëmtuar është kantier. Deri në fund të qershorit ne jemi në kantier me shkollat, me infrastrukturën, me shtëpitë individuale dhe jemi në fazë të avancuar me projektet e detajuara të ndërhyrjeve urbane – garantoi Ahmetaj.

Dy ditë më vonë, më 24 maj, kryeministri Rama e ndryshoi sërish afatin ndërkohë që komunikonte me qytetarët nëpërmjet një video-mesazhi në Facebook.

Tanimë jemi në hapat e fundit të proceseve përgatitore të rindërtimit, dhe në 45 deri në 60 ditët e ardhshme do të jemi në kantieret e shtëpive të reja individuale dhe të shkollave, kopshteve dhe qendrave të reja shëndetësore. Ndërsa në vjeshtë do të kemi në punë edhe kantieret e mëdha të lagjeve të reja, në Tiranë e në Durrës përveçse në Laç, Krujë, Fushë-Krujë, Shijak, Vorë etj. ku do të nisim më shpejt me blloqet e reja të banimit që do të jenë shëmbëlltyra të një transformimi të jashtëzakonshëm urban dhe social në ato zona – tha kreu i qeverisë.

“Faktoje” ishte në terren në fund të muajit qershor për të verifikuar nëse zonat e premtuara ishin kthyer në kantiere ndërtimi. Në shkuam në zonat e dëmtuara më rëndë nga tërmeti, përkatësisht në Thumanë, Ishëm, Fushë-Krujë dhe Shijak.

Në fshatin Gjuricaj të njësisë administrative Ishëm problemi kryesor janë shtëpitë individuale të cilat në masën më të madhe janë shpallur të pabanueshme, në nivelin DS4 ose DS5. Në këtë zonë konstatuam se shtëpitë e kësaj kategorie dëmtimi ende nuk ishin shembur.

Në Thumanë jo vetëm që nuk dukeshin gjurmë të kantierit të premtuar të ndërtimit, por gjetëm të palëvizura nga vendi pirgjet me inerte të papastruara që ‘datojnë’ prej 26 nëntorit të vitit të kaluar.


Inerte nga banesat e shkatërruara në Thumanë

As për kopshtin dhe shkollën “Ramazan Jangozi” në Thumanë nuk gjetëm kantier ndërtimi në vend të të cilit ngrihej grumbulli i mbetjeve inerte.

Në territorin ku është parashikuar të ndërtohet shkolla dhe kopshti “Kastriot Derven” në Fushë-Krujë gjetëm vendin e rrethuar dhe një tabelë që njoftonte nisjen e punimeve në ‘qershor 2020’, por nuk gjetëm as punëtorë dhe as makineri.


Projekt për rindërtimin e shkollës dhe kopshtit “Kastriot Derven” në Fushë-Krujë

I vetmi kantier ndërtimi që gjetëm në punë ishte në Fushë Krujë për ndërtimin e rrjetit rrugor dhe infrastrukturës urbane të dëmtuara nga tërmeti.

Kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë

Kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë

Kantieri i rindërtimit në Fushë-Krujë

Ne shkuam edhe në Shijak, ku gjetëm një situatë të ngjashme me Thumanën, ku në vend të kantierit kishte ende grumbuj të mëdhenj inertesh.

Madje një pjesë e ndërtesave që do të ndërtoheshin nga e para, ende ishin në proces shembjeje, ndërkohë që duhej të kishte nisur puna për ringritjen e tyre.

Në vendin ku u shemb shkolla e mesme “16 Shtatori”, në Shijak, sapo kishte nisur puna për largimin e inerteve për të vijuar me gërmimin dhe nisjen e rindërtimit.

Të dielën e datës 28 qershor kryeministri Rama bëri një përditësim në Facebook mbi rindërtimin. Ai garantoi se hapja e kantiereve të banesave të reja individuale do të niste nga java e ardhshme, ndërsa aktualisht po punohet në kantieret e ndërtimit të 33 shkollave.

Screenshot nga postimi i kryeministrit Rama në facebook

Afatet e ‘reja’ të kryeministrit shtyjnë ato të mëhershmet kur zoti Rama garantonte se nxënësit e zonave të dëmtuara nga tërmeti do ta fillonin vitin e ri mësimor në shkollat e reja, ndërsa më 12 mars ai firmosi financimin e parë të programit të rindërtimit për arsimin.

A mund të jenë gati shkollat në 2 muaj të mbetur nga nisja e vitit të ri mësimor, kur ende flasim për hapjen e kantireve?

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img