.

.

BallinaPertej"Faktoje" teston 61 bashkitë, vetëm 18 kthejnë përgjigje në kohë

“Faktoje” teston 61 bashkitë, vetëm 18 kthejnë përgjigje në kohë

MERXHAN DACI

Që prej vitit 2014, në Shqipëri është miratuar një ligj që lejon çdo qytetar apo gazetar të kërkojë informacion tek institucionet publike. Ligji i njohur si “Ligji për Të Drejtën e Informimit” nuk zbatohet i plotë në Shqipëri, me probleme që fillojnë që nga bashki që nuk kanë koordinator për të drejtën e informimit deri tek bashki që tejkalojnë kohën e kthimit të përgjigjes. Duke ditur problematikat e një ligji që shpërfillet nga bashkitë e vendit dhe jo vetëm, “Faktoje” kreu një testim duke u përpjekur të dërgojë elektronikisht njëkohësisht kërkesa për informacion 61 bashkive të vendit me një pyetje të njëjtë:

Sa para ka mbledhur bashkia juaj nga taksat dhe tatimet gjatë vitit 2018 dhe sa është buxheti i bashkisë i planifikuar për vitin 2019?

Rezultati ishte që 22 prej bashkive nuk kishin të dhëna të mjaftueshme për koordinatorët në portalin “Pyet Shtetin”, 20 kthyen përgjigje (dy prej tyre jo në kohë) dhe 19 nuk kthyen.

————————————————————————————————————————————————————-

Portali “Pyet Shtetin” është një platformë online e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, mbështetur nga Open Society e cila ka për qëllim të ndihmojë qytetarët dhe grupet e ndryshme të interesit për të patur një akses më të madh dhe për të gjetur më me lehtësi informacionin me karakter publik.

Përmes portalit, çdo individ mund të dërgojë në mënyrë elektronike kërkesat për informim apo ankesat në rast refuzimi.

Kështu bëri edhe “Faktoje”. Në 5 shkurt vendosi të dërgojë në adresë të të gjitha bashkive të vendit një kërkesë për informacion. “Ligji për të Drejtën e Informimit” sanksionon se përgjigja nga institucioni publik duhet kthyer brenda 10 ditëve punë ose përndryshe drejt institucionit aplikohet gjobë. Afati zgjatet vetëm kur institucioni ia delegon kërkesën një institucioni tjetër.

Gjatë këtij procesi “Faktoje” konstatoi se shumë bashki nuk kanë koordinator për të drejtën e informimit apo se të dhënat e tyre elektronike nuk ishin të plota e të sakta.

Bashkitë filluan të kthenin përgjigje që ditën e parë por teksa 10 ditëshi mbaroi, në adresën e “Faktoje” erdhën vetëm 20 përgjigje, dy prej tyre jashtë afatit.

Bashkitë që kthyen përgjigje pothuajse menjëherë ishin Durrësi, Patosi dhe Konispoli.

 

Ndërkaq plot 19 bashki nuk kthyen përgjigje, ndër të cilat bashki të mëdha si Vlora, Tirana apo Elbasani.

 

Po ashtu, një problem kryesor i kësaj historie është se 22 bashki nuk janë angazhuar maksimalisht për të deklaruar në portal koordinatorët, përgjegjësi kjo edhe e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale. Pra, nëse një qytetar apo gazetar do të dërgojë një kërkesë për informacion, nuk ka si të marrë përgjigje.

 

Gjatë gjithë punës së saj, “Faktoje’” ka dërguar afro 300 kërkesa për informacion në drejtim të institucioneve publike dhe shpeshherë është ndeshur me probleme ku disa prej tyre ende nuk e konceptojnë se në fuqi ekziston një ligj që i detyron ta japin infrmacionin publik zyrtar. Ky eksperiment konfirmoi problematikën e madhe të bashkive në raport me ligjin e vitit 2014.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img