MARJO BRAKAJ
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut vijojnë të kenë një indeks performancë jo fort të kënaqshëm për sa i përket shkëmbimeve tregtare. Gjatë mbledhjeve të përbashkëta ndërqeveritare, krerët e dy shteteve janë zotuar të rrisin performancën bashkëpunuese tregtare mes dy vendeve. Por sipas shifrave zyrtare të import-eksporteve, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut paraqiten “afër dhe larg”.
Takimi i parë ndërqeveritar Shqipëri-Maqedoni e Veriut, i mbajtur më 16 dhjetor 2017 në Pogradec u konsiderua si “kapitull i ri” në marrëdhëniet mes dy vendeve. Krerët e dy vendeve premtuan rrije të bashkëpunimit dhe sidomos forcimin e shkëmbimeve tregtare. Komiteti i Përbashkët për Bashkëpunimin Ekonomik mes dy vendeve u pa si “instrumenti” që do mundësonte intensifikimin e shkëmbimeve tregtare.
Por, sipas Intitutit të Statistikave, INSTAT marrëdhëniet tregtare Shqipëri-Maqedoni e Veriut nuk janë shumë “optimiste”. INSTAT raporton se importet dhe eksportet me Maqedoninë e Veriut vijojnë të mos kenë qëndrueshmëri. Sipas INSTAT, gjatë vitit 2018 Shqipëria eksportoi drejt Maqedonisë së Veriut mallra me vlerë totale 68.832.000 euro.
Gjatë vitit 2019, vlera e mallrave të eksportuar drejt Maqedonisë së Veriut arriti në vlerën e 69,784,000 euro, pra një rritje thuajse minimale sidomos kur krahasohet me vendet e tjera të rajonit. Situatë aspak optimiste paraqitet edhe në importin e mallrave nga Maqedonia e Veriut. Gjatë vitit 2018, Shqipëria importoi mallra me vlerë totale 78.130.920 euro, shifër kjo që ra në 69,825,000 euro.
Referuar shifrave zyrtare të INSTAT, afërsia gjeografike dhe aspekte të tjera të përbashkëta mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, duken se nuk kanë ndikuar në rritjen e performancës tregtare mes dy vendeve.