Video që po qarkullon si provë e një demonstrate masive në Izrael kundër kryeministrit Netanyahu për shkak të luftës në Gaza është montazh. Verifikimi i Faktoje zbuloi se klipi që tregon turmat në rrugët e Tel Aviv është nga një protestë në Mars kundër reformave gjyqësore.
————————————
Në rrjete sociale po qarkullon një video që duket se tregon turma të mëdha njerëzish që protestojnë kundër kryeministrit izraelit Benjamin Netenyahu dhe luftës në Gaza. Në disa pjesë të videos dëgjohen protestuesit duke bërtitur “Bibi [Netenyahu] është një vrasës!”.
Pjesa e parë e videos, siç duket në imazhin e mësipërm, tregon një pamje nga larg të rrugëve të Tel Avivit të mbushura me njerëz.
Këto pamje pasohen nga një lidhje e drejtpërdrejtë me një gazetar të televizionit amerikan ABC i cili shpjegon se protestuesit fajësojnë Netanyahun për situatën në Gaza dhe e quajnë atë “vrasës.”
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se pjesa e parë e videos, e cila tregon rrugët e mbushura me protestues, është publikuar në Youtube në 12 mars 2023 nga gazeta britanike The Telegraph.
Sipas The Telegraph, pamjet tregojnë një nga protestat më të mëdha në Izrael që mblodhi rreth 500 mijë njerëz kundër reformës gjyqësore të planifikuar nga qeveria e Netenyahut.
Kjo reformë gjyqësore do të kufizonte fuqitë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër legjislativit dhe ekzekutivit, duke i dhënë parlamentit izraelit mundësinë t’i anashkalojë vendimet e Gjykatës së Lartë me një shumicë të thjeshtë (61 nga 120 vota).
Kritikët dhe protestuesit thonë se kjo reformë përfaqëson rrezik për demokracinë e vendit.
Megjithatë, në korrik 2023, parlamenti izraelit miratoi një nga ligjet që përbëjnë këtë reformë. Ky vendim u pasua me protesta, të cilat vazhduan deri në sulmin e Hamas më 7 tetor, dhe deklarimit të luftës nga Izraeli.
Ndërkohë, një tjetër kërkim në Google Reverse Image Search, tregon se pjesa e dytë e videos është marrë nga një reportazh i ABC nga 14 tetori 2023.
Ajo tregon vërtet një protestë në Izrael, në të cilën “dhjetëra protestues” ishin mbledhur për të kërkuar më shumë përpjekje nga qeveria për të liruar pengjet e marra nga Hamas.
Si përfundim, video që po qarkullon në rrjet është e përbërë nga dy pjesë që nuk kanë lidhje me njëra-tjetrën. Protestat masive në Tel Aviv nuk kanë të bëjnë me luftën në Gaza, por me reformën gjyqësore, dhe janë mbajtur në mars 2023, muaj para se Izraeli të deklaronte luftë ndaj Hamas.