‘Dua të Luaj’ në Lezhë

Vera iku, por projekti ende s’ka përfunduar

942

Pak ditë pasi kishte siguruar mandatin e dytë në krye të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu u premtoi fëmijëve dhe të rinjve të qytetit se në verën e 2023 do të kishin gati parkun ‘Dua të Luaj’. Por verifikimet e Faktoje tregojnë se punimet për hapësirën multidimensionale ende nuk kanë përfunduar. Projekti me 3 fusha sportive, shatërvane, kënd lojërash dhe sipërfaqe të gjelbër parashikohet të jetë gati në maj 2024 dhe është investim i qeverisë, jo i pushtetit vendor.

Esmeralda Topi

Në nëntor të 2022 në Lezhë nisën punimet për projektin “Dua të Luaj”, një hapësirë multidimensionale dedikuar fëmijëve dhe të rinjve. 

“Projekti ‘Dua te Luaj’ që po zbatohet në qytetin e Lezhës do i sjellë qytetit një zonë me 3 fusha, tenis, basketboll dhe volejboll, shatërvane, kënd lodrash për fëmijë, sipërfaqe të gjelbër dhe zona atraktive në breg të lumit Drin!’, shprehej kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, në shkurt të 2023, gjatë një inspektimi në kantier përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. 

Video e projektit N’Drin Park

Pasi siguroi mandatin e dytë në krye të Lezhës me 18,229 vota, Pjerin Ndreu iu rikthye projektit ‘Dua të Luaj’, duke premtuar se parku i madh do të ishte gati në verë.

“Këtë verë fëmijëve dhe të rinjve të Lezhës do iu shtohet një hapësirë e re multifunksionale me 3 fusha sportive, tenis, basketboll dhe volejboll, me shatërvane, kënd lojërash e sipërfaqe të gjelbër pjesë e projektit ‘Dua të Luaj’ i shtrirë në disa qytete të vendit.’, premtonte një postim i Ndreut më 23 maj 2023.

Ripostimi nga profili i Pjerin Ndreut

‘Dua të Luaj’ nuk u hap në verë

“Dua të Luaj” është një program kombëtar i Qeverisë Shqiptare me vlerë totale 896 milionë lekë. Programi është i shtrirë në disa qytete dhe zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Referuar të dhënave zyrtare, financimi për ndërtimin e parqeve të mëdha urbane, ka nisur në 2022 dhe planifikohet të mbyllet në 2025. Lezha është qyteti i parë ku nisi zbatimin ky program. 

Punimet për realizimin e këtij projekti kanë filluar më datë 22.11.2022 dhe sipas kontratës afati për përfundimin e tyre është 18 muaj. Kjo nënkupton që Parku do të jetë gati në muajin maj të 2024. 

Sipas, informacioneve të dhëna nga Bashkia e Lezhës, vlera totale e investimit të Parkut ‘Dua të Luaj’ rezulton 147 milionë lekëve me TVSH, nga të cilat deri më tani janë financuar 71 milionë lekë.

Ndryshe nga ç’premtonte kryebashkiaku i sapozgjedhur, Bashkia e Lezhës pranon se projekti është ende në proces zbatimi. 

“Kanë përfunduar punimet për pjesën e parkut dhe po punohet për ndërtimin e platformës mbi lumë, ku janë kryer gërmimet dhe është bërë gati lidhja e hekurit të pilotave. Në vijim pritet të vazhdojë puna me shpimet me sondë ndërsa realizimi i platformës pritet të përfundojë për një periudhë 2-mujore. Pas ndërtimit të kësaj të fundit do të vijohet me kolaudimin e objektit, i cili më pas do të merret në dorëzim nga Bashkia Lezhë”, sqaron për Faktoje, Bashkia Lezhë.  

Verifikimi në terren

Faktoje udhëtoi drejt Lezhës për të verifikuar ecurinë e punimeve të projektit “Dua të Luaj”. Të martën e 21 nëntorit nuk po punohej.

Lezhë, 21 nëntor

Pjesa e parkut me lodra, përfshi fushat sportive, kishin përfunduar. Por sërish, vendi ishte i rrethuar ende si kantier pasi platforma mbi lumin Drin nuk kishte përfunduar. 

Ndue Përgjergjin e takuam teksa po fotografonim parkun. Pensionisti nga Lezha po kalonte enkas në rrugicat pranë parkut “Dua të Luaj” sepse siç na tha ishte kurioz për ecurinë e punimeve. 

“Kaloj herë pas here për kuriozitet me pa’. Edhe sot mora pensionin edhe kalova, a e kanë bërë apo jo.’ , tha ai për Faktoje duke shtuar se mezi priste të sillte nipërit aty.  

Ndue Përgjergji, banor i Lezhës

Përfundim

Nisur nga këto të dhëna dhe nga verifikimi në terren, premtimin e kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu lidhur me projektin ‘Dua të luaj’ e vlerësojmë si pjesërisht të mbajtur. Programi “Dua të luaj” hyn tek premtimet madhore, sepse realizimi bazohen tek fondet e qeverisë qendrore. Tashmë është bërë e zakonshme, që në fushata të zgjedhjeve vendore, kandidatët për kryetar bashkie, i ‘shfrytëzojnë’ këto premtime për propagandë elektorale. 

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.