Pretendimi: Kjo është fotografia e Ursula Von Der Leyen e shtruar në spital

Verdikti: Foto e gjeneruar me AI

Një foto që pretendohet se tregon në shtratin e një spitali presidenten e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen po qarkullon ditët e fundit në rrjet. Një prej këtyre postimeve në një profil shqipfolëse Facebook në 9 janar shoqërohet me gjuhë denigruese për shëndetin e politikanes gjermane. Fotografia nuk është publikuar në asnjë media serioze apo nuk përmban ndonjë burim zyrtar të autorit të saj.

Lajmi për një përkeqësim të shëndetit të Von Der Layen u bë publik nga Komisioni Evropian pas anullimit të takimeve të saj të programuara në dy javët e para të vitit 2025. Zyra e shtypit e Komisionit Evropian sqaroi se presidentja ishte prekur nga pneumonia dhe po vijonte punën e saj nga shtëpia, në Hanover të Gjermanisë.

Megjithatë, një raport nga Agjencia Gjermane e Shtypit (dpa) zbuloi se gjendja shëndetësore ishte më e rëndë seç thuhej dhe Von der Leyen ishte shtruar në spital. Pas këtij lajmi, një zëdhënës i Komisionit konfirmoi se Presidentja u shtrua në spital në 3 janar për të qëndruar për rreth një javë nën kujdesin e mjekëve, por duke shtuar se “ajo nuk ishte kurrë në kujdes intensiv”.

Këto deklarata kontradiktore ngjallën kritika për një tentativë për të minimizuar gjëndjen shëndetësore dhe këtu duket se e ka zanafillën edhe fotoja që qarkullon në rrjet e Von der Leyen në spital.

Fotoja shfaq në pamje të parë disa karakteristika joreale. Fytyra dhe drita në këtë foto duken jo reale dhe më shumë të ngjashme me ato të një pikture, një fenomen që tregon se ajo mund të jetë krijuar nga inteligjenca artificiale.

Pas një verifikimi në programin e “Sightengine“, një mjet verifikimi i fotove, rezulton se imazhi ka 99% mundësi të jetë i gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Ky lloj manipulimi i fotove është një fenomen në rritje, ku AI përdoret për të krijuar imazhe që duken shumë të vërteta, por që në të vërtetë janë të fabrikuara.

Mundësia e shpërndarjes së dezinformatave nëpërmje krijimit të fotove të gjeneruara është një shqetësim shmë i madh për botën online që ndikon në mënyrën se si informohemi dhe ndikon drejtëpërdrejtë në jetët e personave të prekur.