Pretendimi: Elon Musk është veshur fshehurazi si një punëtor i thjeshtë
Verdikti: Gjeneruar me AI
Kur bëhet fjalë për persona me ndikim të madh sic është Elon Musk, rrjetet sociale mbushen me informacione qofshin këto të vërteta ose jo.
Në rrjete sociale kanë qarkulluar disa foto të Elon Musk, ku ai duket i veshur si një punonjës i thjeshtë me një mjekër të gjatë ngjyrë portokalli. Sipas postimit që shoqëron këto foto, Musk është duke u maskuar si punëtor për të kontrolluar rendimentin e punonjësve të kompanisë së tij “Tesla”.
Elon Musk është themelues dhe CEO i “Tesla”, kompania e famshme në të gjithë botën për prodhimin e makinave elektrike.
Fotot që po qarkullojnë tregojnë Musk-un në versione të ndryshme. Herë shumë i bardhë, herë më të rrudhur ndërkohë që kostumi ndryshon. Kostumi i punëtorit në njërën prej fotove shkruan “Tesla”, në tjetrën “SpaceX” dhe në foton e fundit mungon një etiketim. Këto imazhe nuk janë asgjë tjetër përveçse krijime të Inteligjencës Artificiale (AI).
Përpos faktit që me sy të lirë fytyra e Elon Musk duket e gjeneruar me Inteligjencë Artificiale edhe kjo larmi pamjesh është një tregues i qartë që fotot janë krijuar me teknologji të avancuar të AI-së.
Fabula që shoqëron këto foto, ajo e një presidenti të kompanisë që maskohet për të kontrolluar sa të përkushtuar janë punonjësit e tij, nuk është një veprim i konfirmuar deri më sot nga Musk. Edhe më i vështirë duket ky skenar tashmë që Musk është bërë pjesë e stafit të presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe është shfaqur në të gjitha daljet e fundit publike në pritjet zyrtare në rezidencën Mar-a-Lago, ku po caktohen emrat e qeverisë dhe drejtuesve kryesorë të pushtetit gjatë presidencës së re republikane.
Ajo që është shqetësuese është se këto fotografi janë rezultat i përdorimit të algoritmeve të inteligjencës artificiale, të cilat janë në gjendje të krijojnë imazhe realiste që i ngjajnë individëve të famshëm, por që nuk përputhen me realitetin. Me kalimin e kohës, kjo teknologji po përdoret më shumë teksa bëhet më e avancuar dhe po përdoret për të krijuar “deepfake” – imazhe dhe video të modifikuara që mund të manipulojnë realitetin në mënyrë që të mashtrojnë shikuesit.
Verifikimet e njëpasnjëshme të Faktoje.al janë një rikujtesë për të qenë skeptikë dhe për të mos besuar gjithçka që qarkullon në rrjet, qofshin këto edhe foto pothuaj “perfekte” të personazheve të njohur ose jo.