Institucionet publike e vështirësuan akoma më shumë gjatë pandemisë dhënien e informacioneve për gazetarët. Në kulmin e shqetësimit të qytetarëve nga koronavirusi dhe kërkesave të gazetarëve për të dhëna zyrtare, Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, apo institucione të tjera, shpesh refuzojnë të japin infomacionin e kërkuar, ose e ofrojnë atë të cunguar.


E drejta për informim nga institucionet publike u vështirësua nga pandemia

Shqipëria prej disa kohësh, shënon hapa pas, përsa i përket lirisë së medias dhe transparencës. Por gjatë muajve të fundit, kur vendi u prek nga dy fatkeqësi natyrore tërmeti dhe pandemia, gazetarët janë përballur në mënyrë të përsëritur me heshtjen e institucioneve ose refuzimin për të dhënë informacione që janë të rëndësishme për qytetarët shqiptarë. Në kuadër të bashkëpunimit mes Zërit të Amerikës dhe organizatës Faktoje, materiali në vazhdim na sjell qendrimin e disa ekpertëve të medias, të cilët pohojnë se kjo periudhë e jashtëzakonshme në Shqipëri është shoqëruar me një censurë të fortë informacioniOriginally published at: https://www.zeriamerikes.com/a/5510003.html

Gepostet von VOA – Zëri i Amerikës am Montag, 20. Juli 2020

Në disa prej sektorëve më të rëndësishëm që janë në përballje të parë me pandeminë, kryesisht me shëndetësinë dhe me fondet publike, që i akordohen emergjencës, me mënyrën se si reagon dhe si vepron pushteti vendor, mungesa e informacionit është e theksuar, burokracia në kuptimin më klasik të fjalës është jo vetëm penguese, por edhe sorollatëse dhe nuk jepet e nuk vihet në dispozion informacioni i kërkuar – shprehet kryetari i Unionit të Gazetarve Shqiptarë, Aleksandër Çipa.

Këshilltarja ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit me bazë në Leipzig, në Gjermani, Flutura Kusari argumenton se periudha e pandemisë në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë është shfrytëzuar nga qeveritë për të centralizuar informacionin, apo bllokuar atë.

Gjatë pandemisë, qeveria e z. Rama apo përfaqësues të tjerë qeveritarë kanë qenë shumë pak transparent. Në vend që të organizoheshin konferenca të rregullta për shtyp, në vend që gazëtarëve t’iu ofrohej mundësia për të bërë pyetje, por edhe t’u ofroheshin dokumenta të cilat dëshmojnë se simenaxhohet pandemia, kemi parë të kundërtën.Kemi parë që dokumentet e kërkuara nga organizatat joqeveritare, përfshirë “Faktoje”, nuk janë dhënë duke shfrytëzuar shpeshherë ose heshtjen administrative ose duke mos dhënë fare përgjigje  – shprehet zonja Kusari.

Ndonëse kryeministri Edi Rama apo Minstrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, në dalje të ndryshme publike vijojnë të kërkojnë transmetimin e informacionit të verifikuar nga burime zyrtare, vetë institucionet shtetërore refuzojnë ta jepnin atë.

Nga 35 “Kërkesa për informacion” të dërguara nga organizata mediatike “Faktoje”, institucionet u përgjigjën vetëm në 6 raste brenda afatit ligjor dhe në 2 raste, pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.

Ligji për të drejtën e informimit i miratuar në tetor të vitit 2014, ashtu si edhe shumë ligje të tjera, konsiderohet i mirë në parim, por nuk zbatohet nga institucionet publike.

Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi thotë se zyra e tij ka marrë shumë ankesa për të drejtpn e informimit.

Ligji për të drejtën e informimit së bashku me ligjin për konsultimin publik konsiderohen ligje që ndriçojnë skutat e errëta të administratës publike. Në përgjithësi ligji është zbatuar mirë, por duhet të kemi një gjë në konsideratë se ne, qoftë edhe për mentalitet të administratës sonë vijmë nga një administratë e mbyllur, ku çdo gjë që është zyrtare, konsiderohej e mbyllur, kur në fakt çdo gjë, pikërisht pse është zyrtare, duhet të jetë e hapur, transparente. Ky është një revolucion që duhet të ndodhë në mentalitetin tonë, të çdo qytetari në radhë të parë, por veçanërisht në administratën publike – shprehet Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi.

Përfaqësues të komunitetit të gazetarëve pohojnë se vështirësitë në marrjen e informacionit prej institucioneve vazhdojnë, e në rastet kur përgjigjen, të dhënat nuk janë ato që kërkohen.

Ka pasur ankesa jo vetëm nga organizata ose gazetarë që përdorin të drejtën e informimit për të mbledhur informacion, pro edhe nga organizata të tjera të shoqërisë civile, që kanë kërkuar informacion nga Ministria e Shëndetësisë për aspekte të pandemisë, ose të sistemit shëndetësor që lidheshin direkt me përgjigjen që ato kishin ndaj pandemisë “Covid-19”. Ka pasur ankesa nga Organizata e të Drejtave të Pacientëve se Ministria e Shëndetësisë nuk i jepte informacion për numrin e resipratorëve që ndodheshin në vend në fillimin e pandemisë – shprehet Besar Likmeta nga rrjeti investigativ BIRN.

Ne si Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, shpesh dhe përsëritshëm kemi ankesa. Në mënyrë të veçantë për periudhën e pandemisë jo vetëm që janë shtuar por janë bërë edhe më të theksuara – thotë zoti Çipa.

Përkundër përpjekjeve të gazetarëve dhe të shoqërisë civile, për të bërë gazetari dhe infomim cilësor, shpesh qëndron mungesa e vullnetit politik, thekson zonja Kusari nga Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe Shtypit

Në fund të fundit, e drejta për informim varet kryekëput nga vullneti politik, Në qoftë se ka vullnet politik për transparencë e drejta në informim do të respektohet, por nëse nuk ka vullnet politik, siç është rasti i Shqipërisë, për fat të keq gazetarët do të vuajnë dhe do ta kenë shumë të vështirë qasjen në informacione publike – argumenton zonja Kusari.

Në kulmin e nevojës për transparencë e njëherazi detyrimit ligjor, institucionet publike në Shqipëri duket se po shfrytëzojnë gjendjen e krizës shëndetësore për të mos dhënë informacion.