BallinaAktualitetCovid-19Çfarë plani ka Shqipëria për përballimin e gripit sezonal gjatë pandemisë së Covid-19 ?

Çfarë plani ka Shqipëria për përballimin e gripit sezonal gjatë pandemisë së Covid-19 ?

Shqipëria, ashtu si shumë vende të globit pritet të përballet më një situatë jo të lehtë në vjeshtë, kur përveç gripit stinor duhet të vijojë sfidën me pandeminë. Organizmat ndërkombëtare bëjnë thirrje që në këto kushte, shtetet të nisin më herët fushatat e vaksinimit për gripin e zakonshëm. Vitin e kaluar Shqipëria kishte 80 mijë vaksina në dispozicion të popullatës, ndërkohë që kërkesat e kategorive që duhet ta kryejnë atë ishin më të mëdha. Sivjet, Faktoje u interesua mbi numrin e vaksinave që do porositen nisur nga kushtet e krijuara nga pandemia, por as Ministria e Shëndetësië dhe as Komiteti I Ekspertëve nuk dhanë një përgjigje për këtë.

 

Ndërsa situata globale në lidhje me COVID-19 po rëndohet, Komisioni Evropian u ka bërë  thirrje shteteve anëtare të nisin më herët fushatën për vaksinimin e popullsisë kundër gripit stinor, për të ulur rrezikun e shpërthimeve të njëkohshme të gripit dhe të COVID-19.

Sipas të dhënave zyrtare nga KE gjatë 2018-2019, gripi sezonal ishte përgjegjës për 40,000 vdekje në vendet e BE. Fushatat për vaksinim kundër gripit normalisht fillojnë në vjeshtë, por sivjet këshillohet që ato të fillojnë gjatë verës.

Si po i përgjigjet Shqipëria kësaj thirrjeje?

“Faktoje” u përpoq të komunikonte me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtijes Sociale për të mësuar  nëse ka nisur porositja/blerja e vaksinave të gripit dhe sa të tilla do të vendosen në dispozicion të popullsisë shqiptare. Sikurse ndodh zakonisht ky institucion edhe pse i kaloi afatet e parashikuara nga ligji për të kthyer përgjigje refuzoi të përgjigjet.

Kujtojmë që edhe vitin e kaluar vendi ynë u përball me mungesa të vaksinave të gripit stinor, duke lënë kështu shumë qytetarë në pritje në të njëjtën kohë kur virusi i ri COVID-19 sapo kishte filluar përhapjen masive.

Në komisionin e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale në Kuvend, në muajin janar 2020 gjatë diskutimit për masat e marra nga strukturat e shëndetësisë për përballimin e situatës së gripit dhe koronavirusit Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se janë vaksinuar në kohë 80,000 qytetarë. Megjithatë kjo ishte dhe sasia e vaksinave të vendosura në dispozicion të spopullsë, ndërsa kërkesa ishte në rritje.

Sipas ISHP në datat 6 dhe 12 Nëntor 2019 në këtë institucion mbërritën përkatësisht 60 000 dhe 20 000 doza, pra në total 80 mijë doza vaksinash, aq sa deklaroi Ministrja Manastirliu. Në vazhdim, NJVKSH-të (Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor)  kanë kryer shpërndarjen dhe trajnimet përkatëse në QSH dhe spitale.

Nga kërkimet që Faktoje bëri rezultoi se numri i dozave të vaksinave të gripit është rritur nga viti 2018 dhe në vazhdim deri në vitin 2020, por numri i popullsisë së vaksinuar sipas qarqeve është më i ulët.

 

“Faktoje” komunikoi gjithashtu me Mjekun  Infeksionist Pëllumb Pipero  i cili është njëherësh edhe anëtar i Komitetit Teknik të Ekspertëve COVID-19. Pipero u shpreh se nuk kishte asnjë informacion në lidhje me vaksinat e  gripit që duhen për sezonin që po vjen. Sipas tij blerja rekomandohet nga mesi i vjeshtës. Megjithatë vetë Ministria e Shëndetësië planifikimin e bën më herët në mënyrë që  procesi porosi-blerje-shpërndarje të jetë i përfunduar në fillim të vjeshtës, që përkon me nisjen e procesit të vaksinimit.

 

Ndërkohë që numri i të infektuarve me COVID-19 po pëson rritje të vazhdueshme, ende nuk dihet  sesi do të përballohet periudha e gripit stinor paralelisht me pandeminë nga koronavirusi që shumë simptoma i ka të ngjashme me ato të gripit të zakonshëm.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img