BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëDurrës, asnjë banor nuk ka hyrë në pallatin e ri në lagjen 5

Durrës, asnjë banor nuk ka hyrë në pallatin e ri në lagjen 5

Banorët e lagjes 5 në qytetin e Durrësit nuk kanë hyrë ende në banesat e tyre, edhe pse kaluan katër vite nga tërmeti tragjik i nëntorit 2019. Nga verifikimi i Faktoje rezulton se 36 familje në këtë lagje presin prej muajsh hedhjen e shortit për apartamentin. Ata rrëfejnë se kanë 7 muaj pa bonus qiraje dhe detyrohen të paguajnë nga xhepi. Në njësinë 3 është rindërtuar vetëm një nga 9 pallatet e premtuar, ndërsa për 8 ende nuk ka nisur rindërtimi. Bashkia justifikohet me mungesën e fondeve nga qeveria.

Më 8 maj të këtij viti, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako ripërsëriti premtimin e ricikluar për strehimin në banesat e reja për të pastrehët nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019:

“Në takim me banorët e njësisë nr. 3 ku u angazhuam që pallatet DS5 të lagjes nr. 5 të rindërtohen në të njejtin vend”- shkroi në Facebook, kryebashkiakja Sako.

Postimi i shpërndarë nga kryebashkiakja Emiriana Sako

Në lidhje me këtë zotim të Sakos, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Ndër të tjera ne pyetëm sa pallate të reja do të ndërtohen në lagjen numër 5 dhe kur pritet që ato të jenë gati.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 4 shtator 2023

Zyrtarisht, Bashkia e Durrësit bën të ditur se në këtë lagje janë 9 pallate me shkallë dëmi DS5 dhe aktualisht është rindërtuar vetëm një pallat, ai në rrugën “Hysen Myshketa”.

“Nëse nga institucionet përkatëse të qeverisjes qendrore nuk do të lëvrohen fonde për këtë proces, Bashkia Durrës do të vlerësojë mundësinë e përfundimit të këtij procesi me fondet e saj duke filluar nga viti që vjen. Rindërtimi i këtyre objekteve është një proces i cili nuk varet   vetëm nga institucioni ynë, por që kryhet dhe realizohet në bashkëpunim ndërinstitucional”, thuhet në përgjigjen zyrtare të Bashkisë Durrës.

Por kur pritet që banorët të futen në shtëpitë e tyre në pallatin e vetëm që ka përfudnuar në këtë lagje?

“Aktualisht në pallatet e rindërtuara, akomodimi i banorëve parashikohet të realizohet deri në fund të këtij viti”, sqaron Bashkia.

Situata në terren?

Faktoje ishte në Durrës më 6 tetor, për të parë nga afër si kishte ecur procesi i rindërtimit në lagjen numër 5, të njësisë 3. Në këtë zonë, vetëm një pallat kishte përfunduar punimet, por banorët nuk i kishin marrë ende në dorëzim banesat. Rona është një prej tyre, e cila ngre shqetësimin se prej 7 muajsh nuk kanë marrë as bonusin e qirasë.

“Pallati ka 3 muaj që ka mbaruar, ne nuk jemi futur brenda, sepse presim që tw japë urdhër Bashkia. Nuk kanë bërë as shortin për ndarjen e apartamenteve. Kemi edhe 7 muaj pa marrë bonusin, në muajin tetor bëhet muaji i 7-të qe ne nuk kemi marrë bonusin.

Kemi pyetur, na thonë nuk ka fonde, tjetri thotë nuk do merrni më se do futeni nëpër banesa. Nuk ka zgjidhje.

Po hyn viti i 4-t dhe jemi përjashta. Të paktën të na japin çelsat të futemi në shtëpi. Bonus jo, mbështetje tjetër jo. Jemi 36 familje te ai pallat që presim të hyjmë dhe asnjë zgjidhje nuk po jepet. Presim nga dita në ditë ishalla po na thërrasin për atë shorteun. Rrojmë vetëm me shpresë, hë ishalla po na therrësin sot, hë nesër. Edhe me qira nuk rrihet, se nuk kemi rroga të mëdha. Fëmijët pa punë, burri pa punë, vetëm unë çfarë do bëj? Qeveritarët nuk e mendojnë këtë, se xhepat e tyre i kanë plot”, shprehet e shqetësuar banorja.

Pallati i ri i ndërtuar në Durrës

Alma është një tjetër banore e kësaj lagjeje, por pallati ende nuk ka nisur të rindërtohet.  

“Po jetoj me qira dhe bonus nuk marrim. Vajtën 7 muaj pa i dhënë. Kemi paguar nga xhepi ne, se qiraxhiu nuk të pyet fare, dil përjashta nëse nuk paguan. Këta nuk duan t’ia dinë ku do rrijë ky popull.

Janë lekë që janë dhënë për ne të prekurit nga tërmeti. Tani se e vonuan ata, jo zgjati 5 vjet apo mund të gjasë edhe 6 vjet, ne çfarë faji kemi? Ta kishin mbaruar për 2 vjet pallatin dhe ne kishim hyrë në shtëpi”, tregon Alma.

Ndryshe nga çfarë pohojnë banorët, bashkia në përgjigjen e saj zyrtare konfirmon se familjet e 9 pallateve me nivel dëmi DS5 të lagjes 5 janë subjekte përfituese të procesit të rindërtimit dhe të bonusit të qirasë.

Në një sërë artikujsh, Faktoje ka raportuar se si është zvarritur procesi i rindërtimit në Durrësit, një prej bashkive më të goditura nga pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img