A është ende e sigurt të kesh një kamerë në shtëpi? Rasti i fundit i publikimit të videove intime të personazheve të njohur, ka rikthyer frikën se hapësirat më private mund të mos mbeten më aq private sa mendojmë.
Një pajisje e vendosur për të mbrojtur shtëpinë, studion apo një ambient privat, nëse është e lidhur me internetin dhe nuk është e siguruar siç duhet, mund të shndërrohet në një problem.
Videot intime mund të përfundojnë në internet, në platforma të ndryshme apo edhe në faqe pornografike, duke shkaktuar pasoja të rënda për personat e përfshirë.
Pikërisht ky është shqetësimi që ka marrë vëmendje pas publikimit online të materialeve intime, të regjistruar në ambientin e një studioje muzikore.
Si janë siguruar këto materiale dhe kush i ka publikuar? Kjo mbetet për t’u përcaktuar nga hetimi.
Prej dy ditësh, publikimi dhe shpërndarja e tyre në portale dhe platforma online ka vënë në lëvizje Policinë e Tiranës, ndërsa Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike po punon për identifikimin e personave, adresave IP dhe profileve që kanë publikuar apo shpërndarë materialet.

Sa të sigurta janë kamerat që përdorim?
Por rasti ngre një pyetje që prek shumë më tepër njerëz se personazhet publikë: sa të mbrojtura janë kamerat që kemi vendosur në shtëpitë dhe ambientet tona private dhe çfarë ndodh me pamjet që ato regjistrojnë kur janë të lidhura me internetin?
Kamerat moderne të sigurisë janë gjithnjë e më shumë të lidhura me internetin dhe mund të kontrollohen përmes aplikacioneve në telefon. Kjo sjell lehtësi, por njëkohësisht krijon edhe një rrezik nëse pajisjet nuk konfigurohen dhe përditësohen siç duhet.
Eksperti i IT-së, Kadri Manaj, i pyetur nga Faktoje.al, ngre shqetësimin se zgjedhja e pajisjes dhe mënyra se si ajo mirëmbahet janë dy elementë të rëndësishëm për mbrojtjen e privatësisë.
Sipas tij, rreziku mund të jetë më i lartë kur përdoren kamera nga marka të panjohura dhe me standarde të paqarta sigurie.
“Nëse kanë kamera në shtëpi, e para është që, nëse janë marka të panjohura kineze, kanë risk shumë të lartë për t’u hakeruar”.
Eksperti shpjegon se pajisjet që lidhen me internetin mund të bëhen objekt i sulmeve kibernetike dhe se përdoruesit duhet të kenë parasysh se transmetimet e kamerave mund të ekspozohen nëse pajisja nuk është e siguruar siç duhet.
“Sepse qëllimi i shitjes me çmim të lirë i këtyre pajisjeve, është se kompanitë kineze gjenerojnë të ardhura shtesë nga shitja e këtyre informacioneve, ndaj ekziston si rrezik”.

Paralajmërimi
Një nga masat kryesore që Manaj rekomandon, është përditësimi i vazhdueshëm i pajisjeve.
“Ajo që duhet të kenë kujdes, është update-i i pajisjeve. Nëse ka një përditësim të ri, duhet patjetër që ta bëjnë”.
Sipas ekspertit, përditësimet nuk janë thjesht ndryshime teknike apo funksionale. Ato mund të jenë të nevojshme për të mbyllur dobësi sigurie që mund të jenë zbuluar te pajisja.
“Nëse ka ndodhur një hakerim, në mënyrën si ata i bëjnë stream videot në aplikacionin normal, del një update i ri për ta rregulluar këtë gjë”, – thekson Manaj.
Pra, nëse prodhuesi identifikon një mënyrë të re përmes së cilës një person i paautorizuar mund të aksesojë kamerën apo transmetimin e saj, përditësimi mund të shërbejë për korrigjimin e kësaj dobësie.
Për këtë arsye, eksperti këshillon që përdoruesit të mos neglizhojnë asnjë nga pajisjet që janë të lidhura me sistemin e kamerave.
“Mirë është që të përditësojnë çdo device që kanë lidhje me kamerat e vendosura”, – shton ai.

Çfarë parashikon ligji?
Nga ana tjetër, Kodi Penal parashikon dispozita të posaçme për përgjimin e paligjshëm të të dhënave kompjuterike, ndërhyrjen në të dhënat dhe sistemet kompjuterike, si dhe keqpërdorimin e pajisjeve të përdorura për kryerjen e veprave të tilla.
Në rastin e publikimit dhe shpërndarjes së materialeve intime, krahas dispozitave që lidhen me krimet kompjuterike, një rëndësi të veçantë ka neni 121 i Kodit Penal, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, si dhe dispozitave të tjera që lidhen me përndjekjen dhe zbulimin e sekreteve
Dënimi, nga gjoba deri në 2 vjet burg
Për këtë çështje ka reaguar edhe zëvendësministrja e Brendshme, Anisa Ruseti, e cila u ka bërë thirrje personave të cenuar që t’i drejtohen Policisë së Shtetit.
“Video që janë të regjistruara pa autorizimin e personit, apo që shpërndahen, apo që përdoren për shantazh, të bëjë një denoncim te Policia e Shtetit, sepse këto janë vepra që dënohen nga Kodi Penal, – u shpreh Ruseti. – Dënimi shkon që nga gjoba deri në dy vjet burg, nëse është thjesht për regjistrimin e paautorizuar”.
Sipas saj, në rastet kur ka elementë të tjerë, si shantazhi apo kalimi i materialeve nga një llogari në një tjetër dhe publikimi i tyre, policia mund të kryejë procedurat përkatëse dhe më pas t’ia referojë çështjen Prokurorisë dhe Gjykatës.

Komisioneri ndalon publikimin
Në të njëjtën linjë me mbrojtjen e privatësisë ka reaguar edhe Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi.
Komisioneri u ka bërë thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të internetit që të ndalojnë publikimin dhe rishpërndarjen e materialeve intime.
“Fakti që një video është publikuar apo është bërë virale nuk e kthen atë automatikisht në përmbajtje që duhet të ripublikohet nga mediat”, është shprehur Zyra e Komisionerit.
Sipas institucionit, materialet intime lidhen drejtpërdrejt me privatësinë e personave të përfshirë dhe rishpërndarja e tyre mund të shtojë dëmin ndaj personave të prekur.
Në të njëjtën kohë, legjislacioni për të dhënat personale mund të përdoret ndaj platformave, motorëve të kërkimit ose subjekteve të tjera që kontrollojnë përpunimin, për të kërkuar ndalimin ose heqjen e përmbajtjes.
Megjithatë, ndër sfidat kryesore mbeten nënraportimi, mungesa e informacionit, frika nga stigma dhe vështirësitë për heqjen e shpejtë të materialeve intime nga platformat online.






