Dezinformimi përmes lajmeve të rreme, dy vitet e fundit (2018-2020) është kthyer në një trend të manipulimit të opinionit publik në Ballkanin Perëndimor. Raporti i Komitetit për Politikën e Jashtme në Bashkimin Europian thekson se dezinformimi në të gjithë rajonin është i lidhur gjerësisht dhe kryesisht me politikën. Në Shqipëri dezinformimi është pjesë e politikës vendase dhe përdoret për qëllime oportuniste apo për fushata afatshkurta.
Ekspertët dhe autorët e këtij raporti kanë mbledhur dhe hulumtuar studime të rëndësishme akademike, shkencore, analiza të thelluara të të dhënave në internet por edhe në mediat sociale për të bërë një identifikim të qartë të trendeve kryesore të dezinformimit dhe kundër-dezinformimit në të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë raport vlerësohet se dezinformimi nuk është shkak, por simptomë e keq-qeverisjes dhe ndasive shoqërore në vendet e Ballkanit Perëndimor. Në vende si Shqipëria, Kosova, dhe në një farë mase edhe në Maqedoninë e Veriut, ku ambienti politik është më konkurrues në krahasim me vendet e tjera të rajonit, dezinformimi përdoret nga të gjitha palët për qëllime afatshkurtra dhe jo domosdoshmërisht për strategji afatgjata.
Në raport theksohet se dezinfomimi në Shqipëri është pjesë e politikës vendase që përdoret për qëllime oportuniste apo për fushata afatshkurtër.
Kërcënimi që vjen nga dezinformimi:
Në disa raste, interesa të fuqishme politike kanë qenë në gjendje të adoptojnë legjislacion kundër dezinformimit, me qëllim që të mbrojnë aftësinë e vet për të përfituar nga aktivitetet dezinformuese. Në Shqipëri, thuhet në raport, mediat ‘watchdog’ kanë akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka”përshtatur” legjislacionin kundër dezinformimit për t’i mbyllur gojën kundërshtarëve duke lënë hapësira për burimet e tij mediatike.
Raporti vlerëson mbi të dhëna të qarta, se burimet e mëdha të dezinformimit në rajon janë në tri linja kryesore: Sfida të jashtme për besueshmërinë e BE; dezinformimi në lidhje me pandeminë e COVID-19; dhe ndikimi i dezinformimit në zgjedhje dhe referendume.
Autorët e raportit kanë identifikuar edhe organizatat Fakt Verifikuese në rajon që janë pjesë e rrjetit ndërkombëtar të International Fact Checking Network dhe që operojnë jo vetëm në të gjithë Ballkanin, por edhe që kanë shtrirje në Europë dhe Botë.
Në Shqipëri, raporti vlerësoi kontributin e Faktoje në “luftën” ndaj dezinformimit. Në raportin mbi sfidat ndaj dezinformimit, Komiteti i Parlamentit Europian veçoi Faktojen si të vetmen organizatë “fact-checking” në Shqipëri, pjesë e Rrjetit Ndërkombëtar të Kërkimit të Fakteve (IFCN).
“Në Shqipëri, një portal për verifikimin e fakteve, www.faktoje.al u krijua në maj të vitit 2018 me mbështetjen e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID). Faktoje është anëtare e institutit “Poynter”, Rrjeti Ndërkombëtar i Kërkimit të Fakteve. Fokusi fillestar i projektit ishte roli monitorues dhe mbështetës në “drejtësi”, si pjesë e projektit të USAID-it, “Drejtësi për të Gjithë”. Projekti megjithatë është zgjeruar duke përfshirë kontrollin e fakteve, raportimin dhe deklarimit publike gjatë pandemisë “Covid-19”, – thuhet në raportin e Komitetit të Parlamentit Europian.
Raporti citoi dy prej artikujve të Faktojes, (Si mund ta shmangte kryeministri Rama dezinformimin dhe përhapjen e panikut?) dhe “EEAS”, analizë të lajmeve dezinformuese në “epokën” e koronavirusit “COVID-19”), duke vlerësuar respektimin e metodologjisë dhe etikën e raportimit korrekt gazetaresk.
“Politikanë të shumtë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama akuzohen se kanë përdorur “fake news” për të rritur shikueshmërinë e tyre, por ndonjëherë raportohet se ka ndodhur edhe pa ndonjë qëllim të veçantë. Rama u detyrua të kërkonte një falje publike në Mars 2020 pas pretendimeve se zyrtarët spanjollë po përdornin taktika të dhunshme policore për të ndaluar përhapjen e COVID-19. Pamjet e shpërndara prej tij rezultuan të ishin xhiruar gjatë trazirave në Algjeri. Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe qeveria shqiptare, të gjithë e kanë identifikuar dezinformimin si një kërcënim për sigurinë dhe Shqipërinë (edhe nëse vetë qeveria është akuzuar për përdorimin e dezinformimit),”- thuhet ndër të tjera në raport.
Raporti me 103 faqe u punua nga Samuel Greene, Gregory Asmolov, Adam Fagan, Ofer Fridman dhe Borjan Gjuzelov.