BallinaPremtimeUlja e çmimit të naftës për fermerët premtim " i kultivuar" në vite

Ulja e çmimit të naftës për fermerët premtim ” i kultivuar” në vite

INVA HASANALIAJ

Përmirësimi i kushteve për fermerët, ulja e çmimit të naftës apo heqja e akcizës janë disa nga premtimet e shumta dhënë herë pas herë nga qeveri apo pushtetarë të ndryshëm. Të tilla premtime janë dhënë nga parti e politikanë të djathtë, parti e politikanë të majtë apo ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë fushatave elektorale apo kohës që kanë qenë në pushtet. Disa prej tyre po ua rikujtojmë.

Nëse i rendisimin në mënyrë kronologjike, “Faktoje” gjeti në arkivat mediatike fillimisht premtimin e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhënë në 11 shtator të vitit 2012 i cili tha: “Në qoftë se nuk ulet çmimi i naftës për bujqësinë ne do ta heqim akcizën. Por në qoftë se nuk hiqet edhe TVSH-ja për inputet, për farat, për plehrat dhe njëkohësisht nuk mbështetet fuqishëm nisma private, në gjithë sektorin e fshatit, duke mbështetur njerëz me talent dhe me kurajë si ju, nuk ka asnjë shans që fshati të dalë nga kjo prapambetje dhe nga kjo gjendje skandaloze varfërie ku e zhyt përditë braktisja e shtetit.”

2 qershor 2013 Gramoz Ruçi, i cili udhëhiqte skuadrën e kandidatëve për deputetë në qarkun Fier, u  angazhua në emër të Partisë Socialiste për shëndetësi falas, për heqjen e akcizës së naftës dhe për heqjen e taksës së qarkullimit të naftës për bujqësinë. “Që çmimet e plugimit, të frezimit, të korrjes të bien 35% duke ulur çmimin e naftës për fermerët në bujqësi brenda 100 ditëve të para të qeverisjes, votoni numrin 29, votoni Partinë Socialiste të Shqipërisë. Do të merrni 35% më lirë litrin e naftës se sa ai, që e merr për veturën e tij.. Saliu,”- u shpreh Ruçi gjatë ndalesave në komunat Cakran dhe Levan të qarkut Fier.

5 qershor 2014 ministri i Bujqësisë asokohe Edmond Panariti në një konferencë për shtyp deklaroi: “Do të inkurajojmë prodhuesit e serave me ngrohje të zgjerojnë aktivitetin. Mbajmë një premtim për mbështetje me naftë pa akcizë të prodhimit bujqësor.”

Vitet kaluan dhe premtimet ende mbetën të tilla pasi nga vëzhgimet e drejtpërdrejta  në terren apo edhe nga konfirmimet e atyre që duhet të përfitonin një lehtësim të tillë, fermerët, situata vazhdon të jetë po e njëjta. Në këtë konkluzion arritëm pas kontakteve që patëm me fermerë nga Fieri, Lushnja e Kukësi  të cilët i pyetëm nëse kanë patur lehtësira në këtë sektor dhe nëse kanë përfituar prej vitit 2013 deri në 2019. Përgjigja që morëm në të gjitha rastet ishte se prej 5  vitesh  nuk  kishte pasur asnjë ulje çmimi për  naftën ose heqje të akcizës së këtij produkti. U ndalëm në këtë periudhë kohore pikërisht për faktin se qeveria aktuale disa herë e përqëndroi vëmendjen tek ky sektor dhe tek kjo kategori, duke premtuar se do të ndryshonte situatën meqë një gjë e tillë nuk ishte bërë më herët.

Muhamed Zaçli, fermer nga Devolli tregon se deri tani asgjë nuk është bërë pavarësisht se ai duhet të përfitonte nga ky shërbim (nëse do të ishte ofruar) pasi ishte i regjistruar me NIPT. Më tej ai shtoi se edhe për çmimet e plehrave kimike apo farave të ndryshme bujqësore ai shkonte në Greqi pasi ishin më të sigurta dhe më me leverdi, duke nxjerrë në pah një tjetër problematikë.

Saimir Shahu, fermer nga Fieri po ashtu pohoi se asnjëherë nuk kishte përfituar nga ulja e çmimit të naftës apo heqja e akcizës. Shahu tha se nga situata e vështirë me të cilën përballej çdo ditë do  të detyrohej shumë shpejt të tërhiqej nga kjo lloj pune.

Pas Fierit ne iu drejtuam qytetit të Kukësit për të pyetur fermerët e zonës. Bekim Lekica ishte fermeri i parë i cili takuam dhe pohoi se, ka dëgjuar shumë herë se do të jepej subvencion për naftën që përdorin fermerët por asgjë sipas tij, deri tani nuk është realizuar.

“Ne e marrim me të njëjtin çmim, siç është tregu për të gjithë. Furnizohemi me karburant por asnjë lloj politike nuk është zbatuar nga institucionet e ministrisë së Bujqësisë” – shtoi ai.

Por “Faktoje” nuk u mjaftua me kaq pasi kontaktuam edhe me vetë ministrinë e Bujqësisë, por kjo e fundit jo vetëm që nuk na dha një përgjigje konkrete, por ktheu përgjigje e cila kishte të bentë me uljen e çmimit të naftës për peshkatarët, gjë e cila nuk është përmendur asnjëherë në kërkesën tonë për informacion. Nëse fermeri/ët është koncept tërësisht i njëjtë me peshkatar/ët, atëherë ministria e ka kryer misionin e saj, por druajmë se një gjë e tillë është kështu.

                                                                                                                                                                      Përgjigjja nga Ministria e Bujqësisë

Nisur nga deklaratat e bëra nga përfaqësues të forcës politike që është aktualisht në pushtet, deklaratat për uljen e çmimit të naftës apo heqjen e akcizës për fermerët, do ta kategorizojmë PREMTIM TË PAMBAJTUR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img