BallinaDeklarataBlendi Klosi: Të rinjtë që dalin nga arsimi profesional në Lezhë janë 100% të punësuar

Blendi Klosi: Të rinjtë që dalin nga arsimi profesional në Lezhë janë 100% të punësuar

INVA HASANALIAJ

Punësimi i të rinjve të cilët zgjedhin arsimin profesional ka qenë dhe mbetet një prej prioriteteve të qeverisë shqiptare. Vetëm pak vite më parë, sipas Kryeministrit Rama, arsimi profesional ka qenë thjesht një zonë dëshpërimi dhe një element i diskriminuar i sistemit tonë.

Por çfarë është bërë sot në lidhje me këtë çështje?

I ftuar në studion e televizionit News24 gjatë një interviste, Ministri i Turizimit dhe Mjedisit Blendi Klosi tha qartë se të rinjtë që dalin nga arsimi profesional janë të gjithë të punësuar 100%. Ai shtoi se nuk ka djalë apo vajzë në vitin e tretë apo të katërt në këtë shkollë që të jetë i papunë.

Ministri Klosi e dha këtë shifër në kuadër të punësimeve që shkolla profesionale e Lezhës “Kolin Gjoka” ka bërë.

Sot që flasim shkolla e Lezhës, “Hoteleri-Turizëm’’ ka 3% më shumë kërkesa. Të rinjtë që dalin nga arsimi profesional janë të gjithë të punësuar 100%. Nuk ka një djalë apo vajzë në vitin e tretë apo të katërt të papunësuar”- tha Klosi.

“Faktoje” menjëherë pas kësaj deklarate komunikoi me sekretarinë e shkollës “Kolin Gjoka” për të marrë informacione konkrete në lidhje me punësimin përgjatë dy viteve të fundit, konkretisht 2017-të dhe 2018-ë.

Nga të dhënat mësuam se shkolla ndjek studentët të cilët mund të jenë të punësuar apo jo përmes një pyetësori. Për vitin 2017 në total janë pyetur 66 të diplomuar. Nga këta, 36%  janë punësuar, 44% kanë qenë pa punë, ndërsa 20% kanë qenë ende studentë.

Për vitin 2018-të shkolla na konfirmoi se 50% e studentëve kanë oferta pune dhe kontrata pune (38 % janë femra dhe 62% janë djem). Natyrisht kjo panoramë shifrash na lë të kuptojmë se pjesa tjetër e mbetur, pra 50% janë pa oferta pune dhe punë konkrete.

Nisur nga të dhënat që morëm nga shkolla profesionale deklaratën e ministrit Blendi Klosi do ta konsiderojmë GËNJESHTËR.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img