KLEVIS PALOKA
Në tre kantieret e punëve publike në Tiranë, bashkia vendosi tabelat informuese pas shkrimit të “Faktoje” për mungesën e tyre. Bashkia i ktheu përgjigje kërkesës zyrtare të “Faktoje” vetëm një muaj më vonë dhe pas ankimimit te Komisioneri për të Drejtën e Informimit.
Një shkrim i redaksisë “Faktoje” në 30 gusht tregoi se në dy kantiere ndërtimi për punë publike në Tiranë, mungonin tabelat informuese siç kërkohet nga ligji, ndërsa në një tjetër tabela ishte e paplotë me të dhëna. Nga verifikimi në terren në 28 gusht 2019 rezultonte se vetëm në Parkun “Rinia” ku ende kryhen punime ishte e vendosur tabela me informacionin për afatin e punimeve, ndërsa në bulevardin “ Zogu i Parë” dhe “ Rruga e Elbasanit” nuk kishte asnjë të tillë, ndërsa trafiku për disa javë ishte i rënduar.
Pas verifikimit në terren, “Faktoje” në bazë të ligjit nr. 119/2014 Për të Drejtën e Informimit iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë se përse mungonin tabelat informuese në këto kantiere. Bashkia e Tiranës nuk u përgjigj në afatin e parashikuar mbi këtë interesim, ndaj më 17 shtator 2019 “Faktoje”, bëri një ankimim tek Komisioneri për të Drejtën për Informim. Vetëm pas ankimimit, Bashkia Tiranë në 25 shtator 2019 ktheu përgjigjen e kërkuar. Përgjigja shoqërohej me disa foto bardhezi të tabelave në tre kantierët e ndërtimit, por jo datën e vendosjes së tyre.
Ajo çfarë bie në sy është fakti se tabelat informuese tek “ Rruga e Elbasanit” dhe tek Bulevardi “ Zogu i Parë” janë vendosur pas publikimit të lajmit nga “Faktoje”. Megjithatë edhe në tabelat e vendosura “Faktoje” vëren se ato nuk i përfshijnë të gjithë informacionin që është një detyrim ligjor. Ndërkohë në “Rrugën e Elbasanit” rezulton se tabela është vendosur pas ditëve kaotike, pasi punimet kanë përfunduar.
Lexo lajmin e Faktoje të datës 30 gusht:
Rehabilitimi i zonave publike në Tiranë, pa tabela informuese
KLEVIS PALOKA Në 3 kantiere ndërtimi të hapura në zonat më të ngarkuara me trafik në Tiranë, qytetarët përballen jo vetëm më stresin e kaosit e të vonesave, por edhe me mungesë të informacionit se kur nisin e kur përfundojnë këto punime edhe pse është detyrim ligjor për Bashkinë e Tiranes.