Një video e përbërë nga klipe të njerëzve që humbin ndjenjat nuk provon se vaksina anti-Covid është e dëmshme. Verifikimi i Faktoje i vendos këto klipe në kontekstin e munguar.

—————————————————————–

Një video që tregon njerëz të ndryshëm, përfshi prezantues, gazetarë dhe komentatorë sporti, duke humbur ndjenjat po qarkullon në rrjet me pretendimin se humbja e ndjenjave ka ardhur si pasojë e vaksinimit anti-Covid. 

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se cili ishte konteksti i klipeve që përbëjnë videon.

Gruaja bjonde në klipin e parë të videos është Alissa Carlson Schwartz, meteorologe me KCAL News. Ajo humbi ndjenjat gjatë transmetimit në 18 mars 2023. Disa ditë më vonë, Schwartz lajmëroi se ishte në shëndet të mirë dhe gjasat janë që i kishte rënë të fikët sepse nuk kishte ngrënë asgjë atë ditë dhe kishte pirë “shumë kafe.”

Gazetarja në klipin e dytë të videos është Jessica Robb me CTV Edmonton. Ajo humbi ndjenjat gjatë transmetimit në Janar 2023. Pas incidentit, faqja zyrtare në Twitter e CTV Edmonton përcolli një mesazh nga Robb, ku ajo shpjegonte: “Megjithëse nuk do t’i bëj publike të dhënat e mia personale mjekësore, mund të them se nuk ka shkak për shqetësim, dhe se të kuptuarit tim për sfondin tim mjekësor jep një shpjegim të arsyeshëm për atë ç’ka ndodhi. Mund, megjithatë, të konfirmoj se situata nuk ishte në asnjë mënyrë e lidhur me vaksinën Covid-19.”

Një tjetër person që humb ndjenjat në video është komediania Heather McDonald. Ajo humbi ndjenjat gjatë një shfaqjeje në Gusht 2022. Më pas, McDonald tha se nuk kishte ngrënë atë ditë dhe kishte pirë vetëm një pije energjike dhe ujë.

Gazetarja gjermane Clara Pfeffer nga RTL humbi ndjenjat në transmetim në Shkurt 2022. Ajo shpjegoi në Twitter se nuk kishte ngrënë mëngjes përpara se t’i binte të fikët.

Politikania Eva-Maria Holzleitner humbi ndjenjat në parlamentin austriak në Tetor 2021. Në 13 tetor 2021, ajo postoi në Twitter për të lajmëruar se ishte në shëndet të mirë. Një zëdhënëse e partisë së saj, SPO, tha për AFP se incidenti nuk kishte lidhje me vaksinën, por ishte pasojë e dehidratimit.

Komentatori amerikan i sportit Bob Rathbun humbi ndjenjat gjatë transmetimit në dhjetor 2022. Skuadra e tij, Atlanta Hawks, shpjegoi në një deklaratë se shkaku për këtë ishte dehidratimi.

Klipi i mësipërm tregon një grua që humb ndjenjat menjëherë pas vaksinimit. Infermierja Tiffany Dover nga Tenessee ishte nga të parët punonjës shëndetësorë që morën vaksinën anti-Covid në 2020. Dover tha për mediat vendase se ajo vuan nga një sëmundje si pasojë e së cilës humb shpesh ndjenjat kur ndjen dhimbje. “Eshtë e zakonshme për mua,” tha ajo. “Ndihem mirë tani.”

Siç “Faktoje” ka theksuar më parë, fakti që dy fenomene janë të lidhur në kohë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ekziston një lidhje shkak-pasojë mes tyre. Për shembull, ka një lidhje 99.8% mes numrit të vetëvarjeve në ShBA dhe shpenzimeve buxhetore të ShBA për shkencën, hapësirën dhe teknologjinë. A do të thotë kjo se një nga këto fenomene ka shkaktuar tjetrin?