Pretendimi: Elon Musk prezantoi avionin supersonik që udhëton kudo në botë për një orë
Verdikti: E pavërtetë
Një foto e miliarderit Elon Musk duke qëndruar pranë një avioni supersonik po bën xhiron e rrjeteve sociale. Sipas postimit që shoqëron këtë foto, Musk ka zbuluar teknologjinë më të fundit të ndërtuar për të mundësuar xhiron e planetit në më pak se një orë. Një zbulim i tillë sigurisht që nuk do të kalonte pa u vënë re.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/01/image-36.png)
Në të gjitha burimet serioze të informimit nuk rezulton të jetë publikuar ndonjë njoftim zyrtar për një avion supersonik që mund të udhëtojë me shpejtësi të jashtëzakonshme nëpër botë.
E njëjta “heshtje” konstatohet edhe në faqen zyrtare të Tesla apo SpaceX, dy kompanive të njohura të zotëruara nga Elon Musk.
Një verifikim i mëtejshëm i fotos së ndarë zbulon se kemi të bëjmë me një manipulim vizual, ku imazhi i Musk është vendosur pranë një avioni futuristik, të ngjashëm me anijet hapësinore të SpaceX. Emërtimi i avionit të pretenduar supersonik është gjithashtu jo i qartë, duke krijuar dyshime për një gjenerim nga Inteligjenca Artificiale.
Deri më sot, një avion që mund të udhëtojë nga njëra anë e globit në tjetrën për më pak se një orë, mbetet vetëm një dëshirë e njerëzve, por nuk është realizuar deri tani. Ka shumë teori spekulative që lidhen me Elon Musk dhe shpikjet e tij. Disa nga këto teori, të cilat Faktoje.al i ka verifikuar, thonë se Musk ka krijuar teknologji kaq të avancuar si: “Elon Musk zbulon aeroplanin luftarak UFO që kundërshton fizikën” apo “Elon Musk shpall zyrtarisht modelin e telefonit Tesla Pi”.
Duket se kemi të bëjmë përsëri me një situatë ku emri dhe fama e Elon Musk është përdorur për të tërhequr klikime dhe shtuar audiencën e profileve të caktuara në rrjetet sociale.
![](https://faktoje.al/wp-content/uploads/2025/01/image-35.png)