BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDrejtuesja e SHISH nuk qëndroi 10 ditë për vizitë në Serbi

Drejtuesja e SHISH nuk qëndroi 10 ditë për vizitë në Serbi

Në datën 29 Maj, mediat online shpërndanë një informacion lidhur me kryetaren e Shërbimit Informativ të Shtetit Shqipëtar Vlora Hyseni. Sipas tyre, Hyseni kishte udhëtuar dhe qëndronte prej 10 ditësh në Serbi. Pamjet e ceremonisë së stërvitjes së NATO-s në Shqipëri në 22 Maj, rrëzojnë pjesërisht tezën e shpërndarë në portale se Hyseni ishte “prej 10 ditësh” në Serbi.

Jona Plumbi

Një informacion i ardhur në “Pamfleti”, ka bërë me dije se Drejtoresha e SHISH, kosovarja Vlora Hyseni, prej 10 ditësh ka shkuar në Serbi, ku qëndrimin e parë 3 ditor “të mbyllur” e ka pasur në Beograd, pa ditur nëse ka lëvizur në zonat të tjera të Serbisë.” Kështu shkruan artikulli i Pamfletit në datën 29 Maj.

Ky pretendim mori më shumë vëmendje pas angazhimit të opozitës demokrate në zbardhjen e të vërtetës. Anëtari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare nga opozita, Flamur Noka, ka kërkuar informacion nga Shërbimi Informativ i Shtetit, lidhur me “vizitën 10 ditore” të kreut të SHISH, Vlora Hyseni në Beograd.

Gjithsesi, data e publikimit të artikullit të Pamfleti.net mbi këtë lajm, është data 29 Maj ndërsa pretendimi i ngritur në artikull është se ajo ndodhet atje “prej 10 ditësh”. Ndërkohë, pretendimi i ngritur në kërkesën për informacion drejtuar SHISH nga opozita është se vizita “po zhvillohet pikërisht në një moment shumë të komplikuar e delikat për Kosovën”, që nënkupton se bëhet fjalë për javën e fundit të muajit Maj.

Në fakt, kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni në datën 22 maj, ishte e pranishme në ceremoninë e stërvitjes “Defender 23” organizuar në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë. Vlora Hyseni shfaqet krah presidentit Begaj, por edhe në foton “familjare” me kryeministrin Rama dhe ambasadoren e SHBA, Yuri Kim.

*Vlora Hyseni (e katërta nga e majta) në foton familjare në përfundim të ceremonisë për Defender 23, 22 Maj 2023
*Vlora Hyseni bisedon me presidentin Bajram Begaj në përfundim të ceremonisë për Defender 23, Tiranë, 22 Maj 2023

Këtë verifikim e ka bërë edhe televizioni Top Channel në një kronikë ku pretendon se “Vlora Hyseni nuk ka qenë në Serbi”. Si fakt për këtë lajmi jep pikërisht pjesëmarrjen e Vlora Hysenit në ceremoninë e Defender 23.

“Faktoje” dërgoi një kërkesë zyrtare për informacion pranë SHISH për të marrë një version zyrtar nëse zonja Hyseni ka udhëtuar apo jo gjatë këtyre ditëve në Serbi, por deri në botimi e artikullit nuk ka marrë ende një përgjigje.

Vlen të theksohet se pjesëmarrja e Vlora Hysenit në ceremoninë e datës 22 Maj në Tiranë, nuk përjashton mundësinë që kryetarja e SHISH të ketë udhëtuar drejt Serbisë gjatë këtij muaji.

Ajo që vërtetohet përmes këtyre pamjeve, në fakt është se pretendimi i artikullit të Pamfleti.net i datës 29 Maj se Hyseni ishte “prej 10 ditësh” në Beograd, rezulton i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img