Pretendimi: Policia rrethoi ambasadën serbe në Tiranë pas alarmit për bombë

Verdikti: E pavërtetë

Një njoftim për vendosjen e një bombe në ambasadën ukrainase në Tiranë më 14 tetor, u trajtua me seriozitetin e duhur nga policia dhe njësitë antieksploziv. E gjithë zona pranë kryesisë së Kuvendit dhe një sërë institucionesh të tjera u rrethua duke ngjallur kureshtje tek kalimtarët e shumtë në këtë orë të ditës.

Lajmet e para që u raportuan në portale identifikuan si objektiv të alarmit ambasadën e Serbisë, e cila ndodhet në të njëjtën rrugë me atë ukrainase.

Ky informacion u përhap menjëherë në disa media të tjera pa u verifikuar, duke krijuar një situatë të tensionuar.

Pas një inspektimi të detajuar, autoritetet policore konfirmuan se alarmi ishte drejtuar ndaj ambasadës ukrainase dhe se bëhej fjalë për një njoftim të rremë.

Edhe pas këtij sqarimi zyrtar, disa prej portaleve vijojnë ende të mos e saktësojnë lajmin për ambasadën serbe, gjë që ka sjellë vijimin e komenteve më përmbajtje urrejtjeje etnike nga përdorues të ndryshëm. Këto komente, të nxitura nga lajme të pasakta dhe një klimë tensioni, kontribuojnë në një atmosferë polarizimi dhe ndarjeje, duke njohur historikun e trazuar të marrëdhënieve mes dy vendeve tona. Më shqetësuese është situata duke menduar që mediat serbe mund të përdorin si burim këto portale dhe të transmetojnë për publikun vendas një kërcënim të paqenë për selinë e tyre diplomatike në Tiranë.

Shënim:

Data 19 tetor 2024 faqja joqalbania ne Instagram ka korrigjuar tekstin e postimit duke ndryshuar informacionin pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar.