BallinaPertejA po respektohet protokolli anti-Covid në autobusët e transportit publik në Tiranë?

A po respektohet protokolli anti-Covid në autobusët e transportit publik në Tiranë?

EDIT NIKOLLI

Ndërsa qeveria urdhëroi mbajtjen e detyruar të maskave në mjediset e jashtme, edhe në rrugë, prej kësaj të enjteje, rezulton se kjo masë ende nuk respektohet në mjetet e transportit urban. Sipas një komunikimi me bashkinë, në Tiranë kryhen mesatarisht 20 kontrolle në ditë, në linjat e transportit urban, të paktën prej qershorit deri në shtator, por në këto 3 muaj ishin vendosur vetëm 4 gjoba. Nga një anketë e Faktoje në rrjetet sociale, një pjesë e votuesve pranojnë se nuk e përdorin maskën në autobus. Çfarë nuk shkon me respektimin e rregullave që ndikojnë drejtpërdrejtë në shëndetin e komunitetit?


Transporti publik urban ishte ndër aktivitetet e fundit që u rihap pas periudhës së karantinimit të detyruar dhe emergjencës, për shkak të rrezikut të përhapjes në masë të virusit Covid-19. Rinisja e transportit urban u shoqërua me një protokoll të detyruar, i cili nga vëzhgimi i Faktoje, rezulton se nuk respektohet nga të gjithë.

Më datë 2 shtator “Faktoje” iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Tiranë ku e pyeti për numrin e kontrolleve që janë kryer në autobusët e transportit urban dhe numrin e gjobave që i janë vendosur pasagjerëve apo punonjësve që nuk kanë respektuar protokollet anti-COVID.

                  Kërkesë për informacion drejtuar Bashkisë Tiranë

Bashkia Tiranë dha këtë përgjigje:

“Shërbimet e Policisë Bashkiake, që nga hyrja në fuqi e aktit të sipërcituar, kanë ushtruar kontrolle çdo ditë në orare të ndryshme në linjat e transportit urban të qytetit Tiranës konkretisht, linjat e Selitës, Saukut, Sanatoriumit, Tegut, Laprakës, Kombinat-Kinostudio, Porcelanit, Tufinës, Qyteti i studentit, Sharrës, Unazës dhe Tiranës së Re, mbi zbatimin e protokollit të masave anti-Covid dhe ka rezultuar se masat respektohen, si nga qytetarët ashtu edhe nga drejtuesit e mjeteve dhe faturinot.

Specialistët e Sektorit të Kontrollit të Shërbimit të Transportit Publik gjatë periudhës korrik 2020 dhe shtator 2020 kanë ushtruar 1860 kontrolle. Gjithashtu ju bëjmë më dije se deri tani, janë vendosur katër masa administrative. Ndërsa në periudhën në vazhdim, shërbimet e Policisë Bashkiake do të ushtrojnë kontrolle të përditshme dhe do marrin masa administravtive ndaj subjekteve apo qytetarëve.

                                                    Përgjigje e Bashkisë Tiranë

Ndryshe nga çfarë konstaton bashkia, Faktoje vuri re gjatë një vëzhgimi në terren, duke nisur prej muajit shtator e në vazhdim se një pjesë e mirë e pasagjerëve nëpër autobusë nuk i respektonin rregullat.

                                       Autobus i linjës Qyteti Studenti, data 28 shtator

                                   Autobus i linjës së Saukut urban i linjës, data 5 Tetor

                                             Transporti urban i linjes së Urazës data 3 tetor

Në disa raste as faturinot nuk i respektonin këto rregulla.

                                           Transporti urban i linjes së Institutit data 29 shtator

Ministria e Shëndetësisë çdo ditë bën thirrje për ruajtjen e distancës dhe mbajtjen e maskës si mënyrat për shmangien e përhapjes së virusit. Por shifrat zyrtare tregojnë se nuk ka ulje të numrit të të prekurve nga Covid-19. Edhe epidemiologet bëjnë thirrje për ndergjegjësim të popullatës në respektimin e rregullave pasi stina e vjeshtës përkon me qarkullimin e virozave dhe rëndimin e situatës ndërkohë që është e pranishme edhe pandemia. Transporti urban, i cili vetëm në Tiranë qarkullon çdo ditë rreth 200 mijë pasagjerë, përbën një rrezik të përhershëm për përhapjen e virusit nëse nuk respektohet protokolli anticovid.

Kur Faktoje pyeti përmes një ankete në rrjetet sociale, nëse e mbajnë maskën gjatë udhëtimit në transportin urban, konstatoi se ¼ e atyre që votuan u përgjigjën se nuk e mbanin maskën.

Pyetësor  nga “Faktoje”

Çfarë ndikon në mosbindjen e një mase të konsiderueshme qytetarësh për zbatimin e rregullave me ndikim të drejpërdrejtë në shëndetin e gjithë komunitetit? Ne pyetëm sociologen Entela Binjaku e cila ka këtë këndvështrim:

Mosbindja jonë lidhet me disa faktorë: së pari ne si shoqëri jemi mosbesues.

Jemi skeptikë për veprimet ose mosveprimet ligjore.

Në sistemin tonë kulturor ka ndikuar mjaft edhe sfondi ynë i edukimit nga i cili vijmë. Nga ajo kohë sot përjetohen së paku dy pasoja: dyshimi dhe mosbesimi. Edhe në këtë rast ne dyshojmë ose jemi mosbesues ndaj ekzistences se virusit, apo seriozitetit të gjendjes që ky virus mund të shkaktojë.

Studimet tregojnë se jemi thellësisht të ndikuar nga mjedisi ku jetojmë. Kjo do të thotë se marrim më shumë nga bindjet e të tjerëve dhe nga pasiguritë e të tjerëve dhe kemi fare pak bindje tonat, edhe pse nuk na pëlqen ta pranojmë. Pra nuk jemi të ndërgjegjësuar si për rrezikun, ashtu edhe për seriozitetin e ndëshkimit ligjor. Shohim të tjerët që në një shumicë të madhe nuk i respektojnë kërkesat për masat e kërkuar nga Ministria dhe bëjmë njëlloj.

Kultura shëndetësore është e ulët dhe kjo luan rolin e saj në marrjen me seriozitet të situatës. Edhe nëse mësojmë për shembuj ndëshkimi, për shkak se nuk besojmë se gjobat shkojnë në drejtimin e duhur, nuk ndjejmë as përgjegjësinë për t’i marrë ato seriozisht”.

 

 

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img