Reforma zgjedhore, kyçe për mënyrën se si do mbahen zgjedhet në vend është ende në fazë diskutimesh, edhe pse afati i 31 majit u tejkalua. Ngërçi mes palëve politike po tentohet të zgjidhet me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të diplomatëve, por një çështjeje ende nuk i është dhënë zgjidhje. Ndryshimi i sistemit zgjedhor, është artikuluar shpesh si kërkesë emergjente, sidomos nga opozita, por sa më shumë përparojnë bisedimet, aq më pak flitet për realizimin e këtij ndryshimi nga dy partitë e mëdha.
Ndryshimi i sistemit zgjedhor është diskutuar në mënyrë sistematike, qëkur përvoja e zgjedhjeve me lista të mbyllura rezultoi me probleme, sidomos sa i përket cilësisë së përfaqësuesve të popullit në parlament. Ulja në dialog e aktorëve politikë për një reformë “të kënaqshme” zgjedhore ishte një mundësi edhe për ndryshimin e sistemit zgjedhor, që kërkohet me ngulm nga partitë e vogla, por që kishte përkrahjen edhe të partive të mëdha.
Edhe pse më 11 janar kryetari i PD Basha u shpreh se nuk kishte rëndësi sistemi, 2 muaj më vonë ai ndryshoi qëndrim. Më 6 mars, ai erdhi me një propozim pikërisht për sistemin zgjedhor, i cili duhej ndryshuar nëpërmjet reformës zgjedhore.
“Sistemi duhet të mundësojë që të ketë ndarje dhe balancim të pushteteve, kontroll dhe transparencë, që pushteti të mos jetë i gjithi në një dorë. Prandaj unë kam propozuar ndryshime duke nisur me ngritjen e një senati, një dhome të lartë që ka mandat llogaridhënien e qeverisë. Dyzetë anëtarët e senatit zgjidhen bashkë me 100 anëtarët e parlamentit.” – tha zoti Basha.
Ndërsa Këshilli Politik i angazhuar në tryezën e reformës zgjedhore rifilloi takimet, pas ndërprerjes për shkak të pandemisë, përfaqësuesja e opozitës brenda parlamentit, zonja Rudina Hajdari ishte e vetmja që u shpreh në mënyrë të prerë për ndryshimin e sistemit, më 6 maj.
“Beteja ime që ka qenë për ndryshimin e sistemit do vazhdojë sërish, sepse unë mendoj thellësisht se shqiptarët sot duan të zgjedhin jo vetëm partitë, por edhe përfaqësuesit e tyre të drejtpërdrejtë.” – tha ajo.
Përfaqësuesi i mazhorancës socialiste në Këshillin Politik, zoti Damian Gjiknuri argumentoi se bazuar në opinionin e ekspertëve çdo ndryshim i sistemit zgjedhor kërkon ndërhyrje në Kushtetutë, gjë që kërkon kohë. Më 30 maj, zoti Gjiknuri saktësoi axhendën e reformës zgjedhore duke përmendur edhe çështjen e sistemit.
“Faza e parë do të jetë miratimi i gjithë paketës ligjore që i përket legjislacionit zgjedhor dhe do të fillojë pika e parë e fazës së dytë, që kemi rënë dakord me shkrim, të gjithë bashkë, do të jetë trajtimi i çështjes së sistemit ku të gjitha palët duhet të shprehen. Sepse akoma, një pjesë e mirë e politikës nuk ka shprehur dëshirë për ndryshimin e sistemit.” – tha ai.
Më 30 maj pas takimit të radhës të Këshillit Politik, përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh:
“Unë erdha në këtë tryezë me synimin që të ndryshoj sistemin zgjedhor. Nuk kuptoj pse Partia Demokratike nuk e përqafon këtë ide. Sot i propozova një formulë e cila është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga ambasada amerikane, edhe nga shumë faktorë të tjerë të shoqërisë civile, që është një formulë e cila e hap listën pjesërisht. Edhe këtë ma hodhën poshtë. Po mirë, a më thoni ju pse këta njerëz kanë kaq frikë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, për të hapur listat?
Këta duan ta mbajnë kështu siç është sistemin sepse iu konvenion Edi Ramës dhe Lulzim Bashës.” – tha zonja Hajdari.
Më herët edhe përfaqësuesi i PD në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi, shprehej i interesuar mbi çështjen e sistemit zgjedhor, duke artikuluar madje edhe preferencat e tij.
“Unë vetë preferoj mazhoritarin. Për çfarë arsye? Përballem drejtpërdrejtë. Nuk më vjedh shoku im i listës hapur me korrupsion, por unë përballem me atë që kam kundërshtar. Kam një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me territorin dhe me elektoratin tim dhe nuk bëhem deputet Facebooku duke ndenjur nga shtëpia, mbledh vota në të gjithë Shqipërinë sepse them gjëra të bukura.”- tha ai.
Që prej kësaj kohe, sistemi zgjedhor artikulohet gjithnjë e më pak, ndërsa intensifikohen takimet e të mandatuarve në Këshillin Politik për reformën zgjdhore.
“Faktoje” kontaktoi me zv. Rektorin e Universitetit të Nju Jork në Tiranë, zotin Ilir Kalemaj, dhe i kërkoi një opinion nëse mund të konsiderohej e plotë reforma zgjedhore pa një ndryshim të sistemit zgjedhor.
“Ndryshimi i sistemit zgjedhor duhet të jetë pjesë thelbësore e reformës zgjedhore. Kjo për arsye se është mbështetur njëzëri nga ekspertët të cilët kanë kritikuar defiçencat e sistemit aktual, ndërkombëtarët të cilët kanë paraqitur dhe alternativa si për shembull modeli danez dhe pjesa më e madhe e opinionit publik që kërkon garë dhe përfaqësim. Por edhe absolutizmi i sistemit zgjedhor si i vetmi mekanizëm që shpëton demokracinë është i gabuar, pasi elementë të tillë si salamandra elektorale, identifikimi biometrik për të shmangur votimet e shumëfishta, financimi i partive politike dhe demokratizimi i brendshëm i tyre janë po aq, në mos më shumë të rëndësishme.” – tha eksperti i shkencave politike.
Më 2 qershor, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shqyrtoi kërkesën e 12 nismëtarëve nga shoqëria civile për referendum, me qëllim ndryshimin e sistemit zgjedhor, por nuk u shpreh me vendim për shkak të mungesës së kuorumit.
*Foto e parë është marrë nga The Heritage Foundation
JOEL ÇELA