BallinaFaktometerPa kategoriShqipëria, i vetmi vend në rajon që nuk raporton të dhëna në Eurostat mbi turizmin

Shqipëria, i vetmi vend në rajon që nuk raporton të dhëna në Eurostat mbi turizmin

Shqipëria konsiderohet ndër vendet që e kanë më shumë të lidhur ekonominë me turizmin. Sipas përllogaritjeve, ky sektor kontriubon me rreth 25 për qind në Prodhimin e Brendshëm Bruto. Mungesa e transparencës në publikimin e të dhënave vijon të konsiderohet si një problem ende i pazgjidhur. Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk raporton të dhëna në Eurostat. Informaliteti, siç e ka pranuar edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pritet ta përkeqësojë edhe më shumë këtë sektor, si pasojë e pandemisë “Covid-19”.


Shqipëria renditet ndër vendet me varësi më të lartë nga turizmi në botë. Visual Capitalist, duke përpunuar të dhënat nga Organizata Botërore e Turizmit e renditi Shqipërinë në vendin 30-ë në botë, sa i përket peshës së turizmit në punësimin total.

Të dhëna nga Organizata Botërore e Turizmit, burimi: Visual Capitalist

Por, edhe pse konsiderohet si një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së vendit, turizmi vlerësohet gjithashtu si sektor me informalitet të theksuar. Shqipëria është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk ka raportuar të dhëna mbi kapacitetet e sektorit, sidomos ato  akomoduese të pasqyruara në Institutin Europian të Statistikave, Eurostat.

Për Shqipërinë mungojnë edhe shifrat e kohës së qëndrimit nëpër hotele, sidomos për të huajt, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit i raportojnë këto të dhëna, e madje vende si Mali i Zi i raportojnë rregullisht, çdo muaj.

Instituti vendas i Statistikve, Instat gjithashtu nuk raporton të dhëna mbi sektorin e turizmit në Shqipëri, as në lidhje me strukturat akomoduese të tij.

Edhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit pranon informalitetin në të dhëna në sektorin e turizmit. Në strategjinë 2019-2023 për Zhvillimin e Qendrueshëm të Turizmit, MTM evidenton problemin me informalitetin në turizm.

Shumë nga strukturat akomoduese, por edhe ofrues të tjerë shërbimesh, si restorante apo udhërrëfyes turistikë, operojnë në informalitet të plotë duke krijuar terrenin për shërbime të një cilësie të ulët, duke ndikuar në sigurinë e turistëve dhe në imazhin e vendit”, thuhet në raportin e MTM.

Sipas ekspertit të ekonomisë Zef Preç, informaliteti në tërësi e në turizëm në veçanti sjell probleme të kosiderueshme.

Mungesa e të dhënave që vijnë si fillim nga mosdeklarimi i operatorëve turistik e më pas nga vetë institucioni i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, krijon një zinxhir të informalitetit“, argumenton Preçi.

“Faktoje” pyeti edhe ministrin e Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi lidhur me mungesën e të dhënave të raportuara në Eurostat, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk mundëm të kishim një përgjigje.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img