Për 4 ditë më radhë, mijëra qytetarë, kryesisht shqiptarë, mbetën të bllokuar në pikën kufitare të Kakavijës për shkak të masave anti-Covid nga ana e Greqisë. Pala greke, në një njoftim të datës 5 gusht njoftoi masat e reja, që u përcollën nga institucioni përgjegjës shqiptar, 8 ditë me vonë, pra më 13 gusht. Opozita dhe Presidenti akuzuan qeverinë për paaftësi dhe neglizhencë duke argumentuar se situata mund të parandalohej, por kjo e fundit u përgjigj me “justifikimin” se situata u shkaktua si pasojë e vendimeve të palës greke. Por a mund të ishte parandaluar kriza në Kakavijë?
Mijëra qytetarë, kryesisht shqiptarë mbetën të bllokuar për 4 ditë në pikën kufitare të Kapshticës për shkak të masave anti-Covid të marra nga Greqia, duke rrezikuar jetën.
U bëjmë thirrje autoriteteve përgjegjëse shqiptare të mbështesin nevojat e familjeve, që kanë në përbërje në një pjesë të madhe, të mitur apo të moshuar dhe që po qëndrojnë në temperatura mjaft të larta prej gati 48 orësh për të siguruar shërbimet bazë si furnizimin me ujë, ushqime, ndihmë mjekësore, shërbime higjieno-sanitare dhe respektimin maksimal të masave parandaluese dhe mbrojtëse për “COVID 19 – thuhej në reagimin e Avokatit të Popullit më 14 gusht.
Kryeministri Edi Rama e “justifikoi” situatën e krijuar me “vendimin e ‘pakuptimtë’ të Greqisë” për të kryer tamponin anti-Covid në kufi.
Unë nuk e di çfarë kuptimi ka vendosja e detyruar e tamponimit të çdo individi që hyn në një shtet të caktuar, sepse të gjithë e dimë që tamponimi nuk tregon asgjë kur virusin mund ta kesh marrë një ditë më parë dhe në fazën disa ditore të inkubimit ai nuk shfaqet – shkroi kryeministri, Edi Rama në një postim në Facebook më 15 korrik.
Presidenti Ilir Meta akuzoi qeverinë se kishte braktisur qytetarët duke argumentuar se situata mund të ishte parandaluar.
Kakavija, kriza që mund të parandalohej! – shkroi presidenti Meta në një postim në Facebook të shoqëruar nga një analizë të analistit Artan Hoxha.
A mund të ishte parandaluar kriza në Kakavijë?
Në një komunikim të Ambasadës së Shqipërisë në Greqi më 5 gusht, njoftohej se Athina zyrtare kishte bërë përditësime për sa i përket kalimeve në kufij.
Nga ana tjetër, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, njoftimin mbi “kushtet” e reja të kalimit për në Greqi e ka publikur në Facebook më 13 gusht, fill pasi në doganën e Kakavijës kishte filluar kriza.
Po ashtu, asnjë njoftim nuk u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Diasporës
Në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk jepen të dhëna të përditësuara lidhur me kushtet që qytetarët duhet të përmbushin për të kaluar në kufijtë e vendeve të tjera.
*Foto ballore e marrë në web