Kryeministri Edi Rama vijon të shprehet i bindur se menaxhimi i situatës së krijuar nga koronaviruisi në vend ishte një “histori suksesi”. Ndërkohë që Rama ia atribuon meritat kryesore menaxhimit të ardhur nga institucionet shetërore, “Forbes”, nga një studimim i “Deep Knowledge Group” e rendit Shqipërinë mes vendeve me menaxhimin më të dobët të situatës. Nga ana tjetër edhe raportet e Bankës Botërore dhe BERZH, në parashikimet për ekonominë dhe nivelin e varfërisë shfaqin tregues për një situatë jo të të mirëmenaxhuar nga qeveria.
Sigurisht që asgjë nuk është perfekte, por doni, nuk doni ju që insistoni të flisni nga distanca sociale, ndërkohë që unë përgjigjem, ky është një sukses i madh fare i shtetit shqiptar, i shëndetësisë shqiptare dhe i popullit shqiptar, padiskutim – deklaroi kryeministri Rama gjatë një konference për shtyp më 2 qershor.
Sipas tij, numri i ulët i vdekjeve si pasojë e koronavirusit “Covid-19” shërben si tregues i mirëmenaxhimit të situatës.
Për fat të mirë, kemi pasur një pozicion jashtëzakonisht të favorshëm, sepse kemi vendosur bazën shumë poshtë, falë mbylljes së fortë e falë faktit që shqiptarët e respektuan rregullin. Pra, ne dolëm, por nuk dolëm si në një vend tjetër që del nga një bazë shumë e lartë. Ne dolëm nga një bazë shumë e ulët. Me një numër humbjesh jete që është ndër më të ulëtit në planet për 100 mijë apo 1 milionë banorë, numërojini si të doni – shtoi Rama.
Revista analitike “Forbes“, të hënën publikoi një studim të “Deep Knowledge Group”, lidhur me pandeminë “Covid-19” e më konkretisht me përhapjen, reagimin, efikasitetin e masave të marra nga qeveritë si dhe aftësinë reaguese të sitemeve shëndetësore.
Shqipëria, sipas studimit të publikuar nga “Forbes” renditet ndër vendet me “të dhëna të pafavorshme sa i takon efikasitetit të qeverisë, karantinimit, monitorimit, zbulimit si dh menaxhimit të riskut, gatishmërisë së shëndetësisë , qëndrushmërisë rajonale dhe përgatitjes për emergjenca”.
Shqipëria kategorizohet në grupin e vendeve me eficencë të ulët në menaxhimin e “Covid-19”
Në renditjen e kontinentit Europian, për sa i përket menaxhimit të situatës, Shqipëria vjen e treta nga fundi duke lënë pas Ishullin e Njeriut (Isle of Man) dhe Maqedoninë e Veriut. Shqipëria klasifikohet më dobët se çdo vend i Bashkimit Europian e njëherazi në raport me vendet e rajonit, përjashtuar Maqedoninë e Veriut.
Shqipëri renditet në vendin e 41 në renditjen në Europë
Për sa i përket eficencës së qeverisë, Shqipëria klasifikohet në vendin e 95 në renditjen e 100 vendeve të botës. Në klasifikimin e kryesuar nga Gjemania, Shqipëria klasifikohet më dobët se Bosnja dhe Hercegovina apo Serbia.
Efikasiteti i qeverisë në menaxhimin e “Covid-19”, Burimi: DKG
Shqipëria ndërkohë nuk bën pjesë në 40 vendet e sigurta në botë gjatë e pandemisë “Covid-19”. Zvicra është vendi i parë në listë si vendi më i sigurtë, ndërsa pas tij vijnë Gjermania dhe Korea e Jugut. Vendet u vlerësuan duke përdorur 24 parametra specifikë në 4 kategori të veçanta: Efikasiteti i karantinës, efikasiteti i menaxhimit të qeverisë, monitorimi dhe zbulimi dhe gatishmëria për trajtimin e urgjencës.
Vendet më të sigurta sipas “Deep Knowledge Group”
Banka Europiane për Rindëritim dhe Zhvillim, më herët parashikoi në një raport se ekonomia shqiptare do të tkurrej me 9% gjatë 2020-s, tkurrja më e madhe ndër vendet e rajonit.
Drejtori i zyrës së Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në Tiranë, Matteo Colangeli, argumentoi se ekonomia e Shqipërisë pritet të goditet më së shumti në raport me ekonomitë e vendeve të rajonit duke u bazuar në problemet ekzistuese para pandemisë.
Borxhi publik, relativisht i lartë, si dhe likuiditeti i ulët me të cilin po përballej Shqipëria në fillim të krizës nuk e ka ndihmuar atë të ofrojë një paketë ndihme, si në nivelet rajonale, u shpreh Matteo Colangeli.
Colangeli shtoi se arsyet pse ekonomia në Shqipëria parashikohet nga BERZH të bjerë me 9%, lidhen me varësinë e saj nga turizmi, por dhe me faktorë të tjerë si informaliteti apo pritshmëria për dërgesat e emigrantëve, pasojat e tërmetit, si dhe fakti që Shqipëria hyri në krizë me një ekonomi tashmë të ngadalësuar.
Sipas Bankës Botërore, Shqipëria konsiderohet si një nga vendet më të cënuara nga pasojat e “Covid-19”, që lidhen me karakteristikat e ekonomisë së saj, si niveli i lartë i vetëpunësimit dhe informalitetit. Shkalla e papunësisë pritet të arrijë nga 40% që është sot, deri në 48%.
Ndërkohë që kryeministri Rama, vijon të shprehë bindjen se situata e krijuar nga pandemia “Covid-19” është mirëmenaxhuar, treguesit e raportuar nga institucionet dhe studime ndërkombëtare tregojnë të kundërtën.
Por pakënaqësitë, lidhur me menaxhimin e situatës nuk vijnë vetëm nga raportet ndërkombëtare. Me mijëra qytetarë shqiptarë vijojnë të ankohen se ende nuk kanë marrë pagën 40.000 lekë, pjesë e “paketës së zgjeruar të ekonomisë”, ndërkohë që vetëm në Tiranë, brenda dy muajve janë mbyllur mbi 220 biznese.