Pretendimi: Turistët izraelitë janë përgjegjës për 80% të zjarreve pyjore në vitin 2026
Verdikti: E paprovuar
————————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se turistët izraelitë janë përgjegjës për 80% të zjarreve pyjore në vitin 2026. Pretendimi shoqërohet me një video që duket se tregon zjarre nga vende të ndryshme, mes tyre edhe Shqipëria.

Megjithatë, postimet nuk ofrojnë asnjë provë, burim apo referencë për të mbështetur këtë narrativë që po qarkullon në rrjet së fundmi ku turistët izraelitë fajësohen për zjarret në pyje.
Këtë gusht, një turist izraelit u arrestua në Kretë i dyshuar për shkaktim të një zjarri pasi ndezi skarën e barbekysë në një vilë me qira, pavarësisht se ishte paralajmëruar shprehimisht të mos e bënte. Shkëndijat e sjella nga era ndezën bimësinë e thatë dhe zjarri u përhap shpejt në zonën e hapur përreth. Mbi 60 zjarrfikës u dërguan në vendngjarje, së bashku me tre njësi speciale për zjarret, dhjetëra automjete, helikopterë zjarrfikës, cisterna uji dhe vullnetarë. Zjarrfikësit e vunë flakën nën kontroll pas rreth katër orësh.
Megjithatë, ky është një incident i vetëm dhe nuk provon se shumica e zjarreve të 2026 u vendosën nga turistët izraelitë.
Një nga sekuencat e videos shfaq imazhe të zjarreve në zonën malore të Krujës dhe më pas një kopertinë artikulli që flet për investimin e dhëndrrit të presidentit Trump, Jared Kushner në Sazan dhe Zvërnec dhe protestën që shoqëroi këtë zhvillim. Pretendimi për besimin fetar hebre të Kushner dhe zjarreve të shtuara në pyjet në Shqipëri këtë verë është një narrativë e hasur më parë në rrjet dhe e provuar si e pabazë.
Gjithashtu, në janar të këtij viti qarkulluan në rrjet pretendime se zjarret në Patagonia, Argjentinë, ishin vendosur qëllimisht nga turistë izraelitë. Zyra e Prokurorit Publik të Chubut deklaroi në atë kohë se “ka prova të mjaftueshme për të supozuar ndërhyrje të qëllimshme njerëzore.” Megjithatë, kryeprokurori i Lago Puelo, Carlos Díaz Mayer, siguroi kolegët e Chequeado se teoria e zjarrvënësve turistë izraelitë ishte “një trillim” dhe se “hetimi nuk po shkon në atë drejtim.”
Një klip i videos pretendohet se tregon një turist izraelit duke vendosur zjarre në Kolumbi. Megjithatë, në versionet fillestare të videos, shpërndarë në media dhe rrjete sociale vendase, nuk përmendet se personi në video është turist apo izraelit.
Video përfshin gjithashtu një artikull të Al Jazeera që raporton arrestimin e një turisti izraelit në Kili për neglizhencë dhe zjarrvënie. Megjithatë, ajo që nuk duket në video është data e artikullit, i cili ështa botuar gati 15 vite më parë, në janar 2012.
Një tjetër artikull që shfaqet në video raporton në gusht 2026 se sipas zajrrfikësve, Izraeli ka ndezur qëllimisht zjarret në Libanin jugor. Megjithatë, siç shpjegon artikulli i The Guardian, zjarrfikësit dhe banorët e Libanit jugor kanë akuzuar ushtrinë izraelite për ndezjen e zjarreve në rajon, pasi zonat pyjore u dogjën nga flakët e shkaktuara nga bombardimet izraelite. Kjo nuk ka të bëjë me turistët, por me ushtrinë izraelite, e cila hodhi fishekzjarrë në një zonë të pyllëzuar jashtë Khiam, në jug të Libanit, duke shkaktuar flakë. Kur zjarrfikësit u përpoqën të shuanin flakët, një dron goditi afër, duke i detyruar ata të tërhiqeshin, tha kreu i mbrojtjes civile në rajonin Nabatieh, Hussein Fakih.
Si përfundim, nuk ka prova se turistët izraelitë janë përgjegjës për 80% të zjarreve pyjore në 2026.






