Kryeministri Edi Rama prezantoi piketat kryesore të Programit të ri Kombëtar të Strehimit, i cili sipas tij synon të ndryshojë qasjen ndaj politikave të strehimit, duke zgjeruar instrumentet e mbështetjes për familjet, të rinjtë dhe familjet e reja.
Programi, i cili pritet të marrë formën e një draftligji që do të kalojë në konsultim publik dhe më pas në Parlament, është konceptuar në gjashtë piketa kryesore.
Sipas Ramës, objektivi nuk është vetëm strehimi social për kategoritë më vulnerabël, por edhe mbështetja e shtresës së re të mesme, çifteve të reja dhe kategorive të tjera që kanë të ardhura, por e kanë të vështirë të blejnë ose të përballojnë një banesë.
1. Banesa sociale me qira
Programi i parë parashikon zgjerimin e skemës së banesave sociale me qira. Përveç ndërtimeve të reja, qeveria synon të përdorë edhe banesa të blera drejtpërdrejt nga tregu, objekte shtetërore ose objekte të konfiskuara.
Në këtë skemë do të përfshihet edhe bonusi i qirasë dhe partneriteti publik-privat. Sipas Ramës, synimi është që shteti të krijojë një ofertë më të gjerë për familjet dhe individët që kanë të drejtë të përfitojnë banesa sociale me qira.
2. Banesa me kosto të ulët
Programi i dytë lidhet me banesat me kosto të ulët. Në këtë rast, shteti do të subvencionojë kredinë e marrë për blerjen e një banese që përmbush kriteret për t’u klasifikuar si banesë me kosto të ulët.
3. Përmirësimi i banesave ekzistuese
Programi i tretë synon përmirësimin e banesave ekzistuese për grupet vulnerabël. Krahas kësaj, qeveria parashikon edhe një program të veçantë infrastrukture në zonat informale, për të mundësuar përshtatjen e banesave të caktuara në banesa sociale.
4. Zhvillimi i zonave të reja të strehimit
Një tjetër komponent është zhvillimi i zonave të reja të strehimit. Sipas Ramës, këto zona nuk do të konceptohen vetëm si hapësira për familjet me të ardhura të ulëta, por si lagje për shtresa të ndryshme të shoqërisë.
“Ne nuk duam të ndërtojmë një bllok banimi vetëm për njerëz të varfër, por duam që të kemi blloqe banimi dinjitozë për të gjitha shtresat”, tha Rama.
Sipas tij, në këto zona familjet me të ardhura më të ulëta do të kenë mbështetje më të madhe, ndërsa familjet me më shumë mundësi do të blejnë banesa në treg.
Programi do të nisë fillimisht në Tiranë, ndërsa janë në shqyrtim edhe zona të tjera në bashki të ndryshme.
5. Banesa të përkohshme
Programi i pestë parashikon krijimin e banesave të përkohshme për njerëzit që preken nga fatkeqësitë natyrore.
Rama tha se shteti synon të ketë një infrastrukturë të gatshme për familjet të cilave banesa u bëhet e pabanueshme nga përmbytjet, zjarret apo fatkeqësi të tjera, në mënyrë që ato të kenë një zgjidhje strehimi për një periudhë të përkohshme.
6. Banesa të përshtatura për personat me aftësi të kufizuara
Programi i gjashtë lidhet me banesat e veçanta, të përshtatura për familjet ku ka persona me aftësi të kufizuara ose për individët me aftësi të kufizuara.

Çfarë parashikohet për çiftet e reja në 2027?
Përtej gjashtë piketave, Rama njoftoi edhe masa konkrete për vitin 2027. Sipas tij, qeveria synon t’u japë 4 mijë çifteve të reja mundësinë për të siguruar një banesë përmes kredive të subvencionuara.
Nga këto: 2 mijë kredi do të jenë me interes zero, për apartamente deri në 60 mijë euro dhe 2 mijë kredi të tjera do të kenë interes 3%, për apartamente mbi 60 mijë euro.
Rama njoftoi se tavani i të ardhurave të çiftit për përfitim do të rritet në 280 mijë lekë.
Krahas kredive, ai tha se do të ketë edhe 3 mijë çifte të tjera që do të përfitojnë qira të subvencionuar me 50%. Për këtë skemë, qiraja do të jetë me një tavan prej 400 eurosh, ku gjysmën, deri në 200 euro, do ta paguajë shteti.
Sipas Ramës, skema e qirasë së subvencionuar do të ketë prioritet për çiftet e reja dhe emigrantët që rikthehen në Shqipëri me të njëjtat karakteristika familjare.
Në total, Rama e përmblodhi objektivin për vitin 2027 në 7 mijë “çelësa”, duke llogaritur 4 mijë kreditë dhe 3 mijë skemat e qirasë së subvencionuar.






