Dezinformimi në rrjetet sociale nga llogaritë antisemite të huaja

Narrativat e rreme nxisin urrejtje ndaj turistëve dhe punonjësve të huaj

122

Nga teoria e zjarreve të ndezuara në Dajt nga turistët izraelitë te akuzat për krime nga punonjësit e huaj në Durrës, narrativat e reja që rrezikojnë rritjen e tensioneve sociale dhe ngritjen e forcave ekstremiste

Elkan Velo

Djegia e një kabine elektrike të ujësjellësit të Vlorës në 11 gusht 2026 do të kishte pak gjasa të bëhej lajm ndërkombëtar nëse pamjet e flakëve nuk do të keqinterpretoheshin si pjesë e një narrative antisemite. Pavarësisht se autoritetet nuk raportuan shenja të një zjarrvënie të qëllimshme në kabinë, pak ditë më vonë, në 22 gusht, video e zjarrit u publikua nga një profil i huaj në platformën X, i quajtur “Parody Jeff”, nën shpjegimin e rremë: “Një grup izraelitësh në Shqipëri u nxorën nga një Airbnb pasi pronari zbuloi se ishin ushtarë që shërbenin në IDF. Të nesërmen, vendi u përfshi nga flakët. Rastësi?”.

Postimet e zjarrit pranë Ujit të Ftohtë të interpretuara si hakmarrje e ushtarëve izraelitë 

Postimi nuk ofron asnjë provë që lidh turistë izraelitë me zjarrin në Vlorë. Ky profil, që e paraqet veten si një llogari satirike, dhe ka mbi 178 mijë ndjekës, rezulton i regjistruar në Norvegji dhe ndan kryesisht materiale kundër Izraelit. 

Në ditët në vijim, video dhe i njëjti njoftim i rremë për një hakmarrje izraelite ndaj pronarit shqiptar të Airbnb, u shpërnda nga disa llogari të huaja (link, link, link) në rrjetet sociale në Facebook dhe Instagram, duke zgjeruar audiencën ndërkombëtare të këtij dezinformimi.  

Izraelitët në shënjestër edhe në Shqipëri

Narrativa e izraelitëve që ndezin zjarre të qëllimshme, një teori konspirative që po gjen terren në këto ditë të nxehta vere dhe me zjarre masive në pyje kudo në Evropë, për fat të keq ka ndjekësit e saj edhe në portale dhe profile shqipfolëse. 

Në mesin e muajit gusht, ndërsa në malin e Dajtit përballë kryeqytetit u ndezën disa vatra zjarri, në rrjetet sociale u publikuan dyshimet se ato ishin vendosur qëllimisht nga grupet e turistëve izraelitë që po vizitojnë së fundi vendin tonë. 

Një foto e një grupi burrash të veshur me bluza të bardha dhe tuta të zeza, duke u konsideruar si uniforma, u publikua me tekste që ngrinin dyshimet për qëllimet e vizitës së turistëve izraelitë ultraortodoksë. Komentues të shumtë në gjuhën shqipe shprehin shqetësimin për ardhjen e këtyre grupeve të panjohura apo edhe zemërim ndaj Izraelit në përgjithësi.

Në disa komente ndahet gjithashtu lajmi i arrestimit të një turisti izraelit në Greqi, nën akuzën e ndezjes së një zjarri për shkak të përdorimit të zgarës në shtëpinë e marrë me qera në Kretë. Ky lajm pretendohet si një provë e mëtejshme e narrativës që i shikon turistët izraelitë si zjarrvënës të pyjeve shqiptare.

Përtej antisemitizmit, rritet urrejtja ndaj të huajve

Me rritjen e numrit të punonjësve të huaj në vendin tonë, shqiptarët po përballen për herë të parë me stereotipet që nxisin gjuhën e urrejtjes ndaj emigrantëve. Në një shoqëri të mbyllur si ajo shqiptare, këto paragjykime duket se janë edhe më të forta. 

Në 23 gusht 2026, portali DurrësLajm publikoi videon e vjedhjes të një celulari të një moshuari nga një i ri, duke ngjallur reagimin të shumta në rrjet. Në vijim, video u publikua nga një faqe tjetër në Durrës nën shpjegimin se bëhej fjalë për një emigrant indian, një prej shumë të huajve që punojnë në Durrës si shpërndarës të kompanive që transportojnë ushqime në banesë.

Video e incidentit ndahet nën pretendimin e paprovuar se vjedhësi është nga India

Cilësia e dobët e pamjeve nuk lejon identifikimin e ndonjë shenje dalluese që mund të konfirmojë shtetësinë e grabitësit apo faktin që është një prej punonjësve të huaj në qytet. 

Të nxitur nga postimet, qindra komente që shoqërojnë këtë lajm shfaqin pakënaqësitë për rritjen e numrit të punonjësve të huaj dhe frikën në rritje se qytetet shqiptare do të bëhen të pasigurta nga emigrantët. Një narrativë e njohur paragjykimi dhe fajësimi të emigrantëve për cdo problem social, që në qytetet e tjera evropiane ka ngjallur tensione shoqërore dhe rritjen e forcave politike ekstremiste. 

Një ditë më pas, një tjetër qytetar në Durrës kërkon ndihmën e faqes për të denoncuar aktivitetin online të një shtetasi indian që jeton dhe punon në Durrës.

Denoncimi për punëtorin indian që filmonte video ku shfaqeshin vajza dhe gra

Sipas denoncimit, personi regjistronte në celular në mënyrë të përsëritur gra dhe vajza në hapësira publike pa pëlqimin e tyre. 

Pavarësisht se filmimet nuk kanë ndonjë përmbajtje të dënueshme, pothuaj mbi 1900 komente që shoqërojnë postimin shprehin shqetësimin për të huajt që kanë ardhur në Shqipëri dhe kryesisht nxisin vetëgjyqësi të “djemve shqiptarë” ndaj të huajit. Denoncimi në fjalë ka detyruar policinë e Durrësit që të shoqërojë shtetasin e huaj dhe ta marrë atë në pyetje, sipas faqes në fjalë. 

 Rritja e klikimeve që sjell pasoja sociale

Pavarësisht se nxitja për të publikuar këto postime mund të shihet te rritja e klikimeve apo ndjekësve në rrjetet sociale, këto narrativa të rreme nuk janë thjesht keqinterpretime të rastësishme. Ato nxisin urrejtje ndaj grupeve të caktuara shoqërore duke i paraqitur si kërcënim dhe dëmtojnë kohezionin shoqëror në një periudhë kur Shqipëria po përballet me prani të shtuar të të huajve.

Problemet e këtyre tensioneve sociale janë të njohura në të gjithë qytetet evropiane që janë përballur më herët me emigracionin masiv në ngritjen e partive ekstreme dhe orientimin e politikave shtetërore sociale dhe të zhvillimit urban. Verifikimi i informacionit në rrjetet sociale dhe kundërshtimi i narrativave që deformojnë faktet bëhet më i nevojshëm se kurrë për të mos përsëritur gabimet e vendeve të tjera të zhvilluara.