BallinaAktualitetEdhe mirësjellja është zgjidhje kundër bullizmit...

Edhe mirësjellja është zgjidhje kundër bullizmit…

Besmira Xhaferrasi

Identifikimi me gisht, që në moshë të vegjëlisë, ishte nje peshë e rëndë për t’u mbajtur mbi supe. Për shkak të asimetrisë së hundës që në lindje, Labinot Azemi është ndjerë gjithmonë i diferencuar nga pjesa tjetër e shoqërisë. Sot 37 vjeç, gazetari nga Ferizaj i Kosovës, e kupton shumë mirë që bullizmi i përjetuar në fëmijëri e ka shoqëruar gjithë jetën dhe e ka shtyrë që të bëjë dhe një ndërhyrje plastike.

Historia e tij është rrëfim personal, por që sot, me zërin e një gazetari, synon që të vijë si një dëshmi për brezat e ardhshëm, për të thënë se dhuna e ushtruar ndaj një fëmije lë gjurmë të thella.

Më kujtohet se në fillim isha i lumtur që po nis një rrugëtim të ri shkollor, por në fakt ndodhi ajo që ndodhi dhe përjetova atë që në fillim s’po e kuptoja, që u prita nga fëmijët me shumë shikime, me shumë duar e gishta që ishin karshi meje. U mërzita, shumë!…”, – shprehet Labinoti për Faktoje.al.

Ai kujton se në vitet e para të shkollës fillore, frika dhe pasiguria e shoqëronin çdo mëngjes, aq sa deri në klasën e pestë, në rrugën drejt shkollës kishte pranë vetes gjyshen.

Edhe në vitet e universitetit, përballja e vazhdueshme me paragjykimet i dha forcën  dhe besimin tek vetja. Sot Labinoti jep një mesazh të rëndësishëm për të gjithë: “Duaje shumë veten dhe, nëse pasqyra të gënjen se nuk je i bukur, në fund kuptoje thellë se ajo që ndriçon është zemra e pastër, e jo defekti yt. Lufto për çdo dëshirë dhe ëndërr dhe duaje shumë veten! Mos i jep dashni askujt para vetes sate, puno fort, lufto prapë dhe kujdesu për veten!”, – shprehet Labinoti.

Sa i rrezikshëm është bullizmi dhe si ndikon sot tek të rinjtë?

Psikologia dhe psikoterapistja Anxhela Peza tregon në një intervistë për Faktoje se arsyet që i shtyjnë të rinjtë të priren drejt  fenomenit të bullizmit mund të jenë të ndryshme.“Bullizmi është dhuna e qëllimshme, e përsëritur dhe me pabarazi fuqie midis personave. Kjo do të thotë që një individ ose grup ushtron presion apo dëmtim ndaj një tjetri që e ka më të vështirë të mbrohet p.sh. për shkak të moshës, statusit social, vetëbesimit, etj.. Të rinjtë kanë një papjekuri të përgjithshme për të kuptuar se çfarë dëmi mund të shkaktojnë me gjuhën e tyre. Ata kanë prirje të ndjekin rregullat që vendosen brenda në grupet që krijojnë dhe të sulmojnë atë që devijon prej tyre.  Ai/ajo që perceptohet si “ndryshe” është më lehtë për t’u etiketuar dhe ngacmuar qëllimisht. Shikohet si qënie e pafuqishme për t’u vetëmbrojtur. Pasiguritë personale të atij që bullizon mund të projektohen tek dikush tjetër që perceptohet si i ndryshëm.  Sot reklamohet një rini me standarte të kornizuara mbi suksesin, bukurinë, dhe sjelljen e tyre.”, – shprehet psikologia Anxhela Peza.

Ndërsa flet  për këndvështrimin psikologjik të disa formave dhe  pasojave të bullizmit në shoqëri, psikologia Peza thekson ndër të tjera  se bullizimi formon “zërin e brendshëm kritik” tek njeriu edhe kur dhuna ka mbaruar.

“Mund të them se në aspektin kulturor ne (në shoqërinë tonë) përdorim terma klishe si: janë të vegjël, do kalojë edhe pse shahen. Fëmijë janë dhe do zihen ndonjëherë. Bullizmi fizik shfaqet në forma të tilla si goditje, shtyrje, dëmtim të sendeve personale. Bullizmi verbal përfshin fyerjet, talljet apo nofkat e ndryshme  poshtëruese, që mund të përdoren. Bullizmi social (relacional) përfshin përjashtimin nga grupi, përhapjen e thashethemeve etj., ndërsa bullizmi kibernetik (online), zakonisht kjo si  urrejtje e drejtpërdrejtë, shprehet përmes  komenteve fyese nga grupmosha të ndryshme, shpërndarje fotosh pa leje, turpërim në rrjete sociale. Bullizmi kibernetik gjen shumë shtrirje sot, për shkak të përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale dhe anonimitetit që ato mundësojnë. Bullizmi, për fat të keq, përcakton shpesh mënyrën se si individi e percepton veten dhe si e përcakton vendin e tij në botën ku jeton.”, – thotë Peza për Faktoje.al.

Si e shikojnë të rinjtë sot këtë problematikë?

Bullizmi është një problematikë gjithmonë e më shumë në rritje sot në Shqipëri, si në jetën e përditshme, edhe atë online.

Sipas studimit të iSIGURT.al, viti 2024 regjistroi 66.8% raste të abuzimit të formave të ndryshme krahasuar me 2023.

Sipas një studimi të ri nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, një në 5 të rinj shqiptarë ka përjetuar bullizëm online dhe këtë përvojë nuk e ka ndarë me askënd.

Por, shpesh herë, ndarja e problemeve dhe përvojave personale dhe bisedat me të tjerët mund të jetë një mënyrë e duhur për të mos qënë pre e bullizmit. “Mendoj që bullizimi është një problem serioz në shoqëri, sidomos tek ne të rinjtë. Shpesh, ndodh që dikush të ofendohet, të përjashtohet ose të tallet vetëm sepse është ndryshe. Në shkollë kam vënë re raste kur nxënës të tjerë janë tallur me dikë për pamjen ose mënyrën si flet. Zakonisht, disa qeshin ose nuk reagojnë, por unë mendoj që kjo nuk është e drejtë. Kur kam parë situata të tilla, jam munduar të mos bashkohem me ta dhe, ndonjëherë, kam mbështetur personin që po bullizohej. Për shembull, një shoqja ime ka kaluar situata të tilla. Nuk ka qenë gjithmonë diçka shumë e rëndë, por prapë e ka bërë të ndihet keq dhe e pasigurt. Në fillim i mbante për vete këto gjëra, por më pas ka folur me prindërit e saj dhe kjo e ka ndihmuar shumë të ndihet më mirë. Kjo tregon që është e rëndësishme të flasim me dikë kur ndihemi kështu.”, – shprehet Ejona, 15 vjec, nga Tirana.

Problematikat

Sipas studimeve të specialistëve të fushës së sociologjisë dhe psikologjisë, disa nga pasojat e kësaj problematike shumë të ndjeshme në botë tek individët që bien pre e këtij fenomeni, janë të ndryshme. Ndikimi që ka bullizmi në zhvillimin socio-emocional të këtyre individëve mund të përfshijë ulje të vetëbesimit, ndjenja turpi dhe sikleti, përjetime ankthi, frikë nga gjykimi i të tjerëve, izolim dhe tërheqje sociale nga grupet shoqërore, vështirësi në përqendrim dhe performancë (në shkollë apo punë), vetëvlerësim i ulët kronik, formim i një identiteti të brishtë etj.

A jemi empatikë aq sa nevojitet?

Por, sa empatikë jemi ne si shoqëri për të reaguar  ndaj fenomeneve të tilla të dhunës dhe a kemi tendencë ta minimizojmë këtë problematikë? Sociologia Marsi Simo shprehet për Faktoje.al se studimet sociologjike tregojnë se shoqëritë me strukturë individualiste ose që nuk e vlerësojnë diversitetin si një vlerë, shpesh tregojnë nivel të ulët empatie ndaj viktimave.

 “Reagimi i shoqërisë ndaj rasteve të dhunës dhe të bullizmit është shpesh momental dhe jo i vazhdueshëm. Publikimi i rasteve mund të nxisë debate shoqërore, por rrallë prodhon ndryshime të qëndrueshme në normat apo institucionet sociale. Nga një perspektivë sociologjike, kjo lidhet me mungesën e normave të forta për pranimin e ndryshimeve, kur shoqëria nuk promovon diversitetin dhe tolerancën. Sjellja diskriminuese shpesh perceptohet si “normale” ose e falshme. Pa aftësi të buta si empatia, zgjidhja e konflikteve dhe menaxhimi i emocioneve, fëmijët ose bullizojnë, ose lejojnë që të bullizohen.”, – thotë Simo.

Teksa ofron zgjidhje alternative se si mund të minimizohet sadopak ky fenomen shoqëror i përhapur kudo në botë, sociologia Simo, mes të tjerash, thotë se familja dhe shkolla janë dy institucione kyç në formimin e një shoqërie me vlera të shëndosha.

Familja është institucioni bazë që edukon fëmijët dhe modelon sjelljet sociale. Shkolla, si sistem social, transmeton norma dhe rregulla; programet anti-bullizëm dhe ndërhyrja e mësuesve krijojnë një klimë ku dhuna nuk tolerohet. Rrjetet sociale, nëse përdoren me mbikëqyrje dhe për qëllime edukimi, mund të nxisin respektin, tolerancën dhe bashkëpunimin, duke shmangur bullizmin online.”, – shprehet sociologia Marsi Simo.

Nga ana tjetër, edhe Ejona ka një mesazh për të rinjtë dhe bashkëmoshatarët e saj.

 “Unë besoj që të rinjtë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm dhe të mos heshtin, kur shohin bullizim. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe të tregojmë respekt. Edhe mësuesit dhe prindërit duhet të flasin më shumë për këtë temë dhe të krijojnë një ambient të sigurt në shkollë. Nëse të gjithë bashkëpunojmë dhe nuk e tolerojmë bullizimin, mund ta zvogëlojmë shumë këtë fenomen.”, – thotë Ejona.

Në një shoqëri ku bullizmi vazhdon të lërë gjurmë të thella në jetën e shumë fëmijëve dhe të rinjve, lufta kundër tij nuk mund të mbetet vetëm një thirrje morale, por duhet të kthehet në përgjegjësi të përbashkët. Minimizimi i këtij fenomeni nis aty ku formohet njeriu: në familje, në shkollë dhe në mjedisin shoqëror që na rrethon.

Ky shkrim është realizuar me mbështetjen e iniciativës rajonale të Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, i financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP.

Përmbajtja e këtij shkrimi dhe opinionet e shprehura në të, janë përgjegjësi e autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara, përfshirë UNDP, UNFPA, UNESCO, UN Women, ose Fondit të Kombeve të Bashkuara për Ndërtimin e Paqes.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img