Pretendimi: Flamujt izraelitë që u shfaqën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” më 9 qershor u vendosën si provokim për protestuesit
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————–
Më 8 qershor, ditën e nëntë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, në rrjetet sociale shqipfolëse nisi të qarkullonte paralajmërimi se flamuj izraelitë ishin vendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë si provokim ndaj protestuesve.


Narrativa e zaptimit të tokave nga Izraeli për të ndërtuar një enklavë izraelite në Zvërnec, e promovuar në rrjete sociale, i ka shërbyer kryeministrit Rama për të portretizuar e tallur protestat si të fryra nga teori konspirative anti-semite që në fjalimin e tij të 1 qershorit kur ai mohoi se shteti po ia fal atë tokë Izraelit për të sjellë palestinezë në Zvërnec.
Megjithatë, shfaqja e flamujve izraelitë në bulevard ishte planifikuar përpara nisjes së protestave masive, si pjesë e Javës Kulturore të Izraelit.
Sipas faqes zyrtare të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, java e Izraelit ishte planifikuar për 9-11 qershor, fill pas Javës Kulturore të Italisë, e cila ndodhi nga 31 maji në 6 qershor.

Vjet, gjithashtu, Java Kulturore e Izraelit ndodhi në 9-12 qershor 2025, sërish fill pas Javës Kulturore të Italisë.
Disa prej postimeve në rrjete sociale kanë vërejtur se, megjithëse pjesë e Javës Kulturore izraelite, flamujt ishin varur shumë ulët për t’i bërë lehtësisht të kapshëm. Për të evituar incidente, protestuesit kishin vendosur pankarta në shtyllat ku ishin varur flamujt duke paralajmëruar të tjerët të mos preknin flamujt.

Të ndodhur në një situatë që mund të përshkallëzohej, autoritetet u kujdesën që punonjësit e dekorit të bashkisë Tiranë t’i hiqnin flamujtë izralitë përpara nisjes së protestës në orën 18:00.






