Jared Kushner nuk është tërhequr nga Sazani

19

Më 7 qershor 2026, ditën e tetë të protestave kundër projektit që planifikohet të ndërtohet në peizazhin e mbrojtur Zvërnec-Nartë, lajmi se dhëndri i presidentit amerikan Trump, Jared Kushner, një prej investitorëve të lidhur me projektin, do të tërhiqet nga një resort i projektuar në Sazan dhe simotra e tij në Zvërnec, për ta dërguar investimin në ishullin grek Mykonos nisi të qarkullonte gjerësisht në rrjetet sociale dhe mediat shqipfolëse.

Deputeti i Partisë Socialiste për Vlorën, Ardit Bido, postoi gjithashtu pretendimin në rrjete sociale, duke qesëndisur se “tani që doli lajmi se Kushner do tërhiqet nga Sazani e Zvërneci për të investuar miliarda euro në Mykonos, çfarë do të thonë ata që thoshin se Greqia nuk ka dorë pas?”

Megjithatë, në rrëmbimin për të bërë lajm sensacional, për këtë pretendim nuk jepet ndonjë provë e qenësishme. 

I vetmi burim i cituar është një artikull i vetëm, i botuar më 7 qershor nga portali grek Greek City Times, që mban titullin “Ekskluzive: Jared Kushner braktis Sazanin e Shqipërisë për stimujt grekë të Mykonosit.”

Ndërkohë, vetë artikulli i mësipërm citon “burime të besueshme,” por anonime. I vetmi burim i verifikueshëm që ai citon është një postim në Twitter të një gazetari kosovar që jeton në ShBA të quajtur Fitim Çeku, i cili ka shkruar më 7 qershor:

“Ekskluzive: Kompania e Jared Kushner po planifikon të tërhiqet nga investimi në Sazan. Burime të Gazeta Journal thonë se Greqia ka ofruar kushte të veçanta për të investuar në Mykonos. Detaje ekskluzive nesër nga burimet tona.”

Ndërsa postimi i tij ka marrë shumë vëmendje, 24 orë më pas, “burimet” e Çekut duket se ende nuk kanë ofruar “detajet ekskluzive” të premtuara. 

Postimi më i fundit i Çekut ishte një imazh i gjeneruar me inteligjencën artificiale që tregonte presidentin amerikan Trump duke mbajtur në dorë një hartë të Shqipërisë me mbishkrimin: “Shqipëria, shteti i 51 i Amerikës,” të cilin Çeku e shoqëron me përshkrimin: “Mirë se vini në Shqipëri President Trump. Shqipëria e re.”

Vlen të përmendet se më herët këtë muaj, gjatë protestave masive në Tiranë, Çeku ka postuar pretendime se ato po nxiten nga “e majta” për të sulmuar administratën Trump dhe i ka quajtur ato propagandë kundër “zhvillimit të Shqipërisë.”

Në një tjetër postim ai pretendon se “investimet e mëdha ndërkombëtare kanë shkuar gjithmonë në Mal të Zi dhe Greqi. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një investim masiv,” duke falenderuar Ivanka Trump dhe të shoqin Jared Kushner për këtë.

Kjo nuk është hera e parë që Çeku bën parashikime të bujshme, pa asnjë provë.

Në Qershor të vitit 2025, ai deklaroi se “në ditët në vijim” pritej që Trump do të kërkonte personalisht dhe publikisht lirimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga paraburgimi në Hagë. Sigurisht, asgjë e tillë nuk ndodhi.

Sa i përket projektit të Sazanit, Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) tha më 8 qershor për Faktoje se “kompania “Atlantic Incubation Partners LLC”, e cila ka shfaqur interes për ishullin e Sazanit, nuk ka depozituar ndonjë shkresë për tërheqje nga ky proces.”

Përgjigja zyrtare e AIDA mbi kërkesën e Faktoje për investimin në Sazan

Një largim i investimit në ishullin e njohur grek ka pak gjasa të ndodhë edhe për faktin se në Mykonos aktualisht nuk ka sipërfaqe të reja të lira për zhvillim, ndërkohë që ndërtimet e reja janë të kufizuara deri në vitin 2030 nga rregulloret e planifikimit. Investimet fokusohen kryesisht tek vilat ekzistuese dhe pronat me leje të vlefshme, të cilat kanë vlerë të lartë për shkak të mungesës së ofertës.

Bazuar në verifikimet e mësipërme, deri në momentet e publikimit të këtij shkrimi, rezulton se frika për një braktisje të investimit miliardësh në ishullin e Sazanit nga Jared Kushner në këmbim të lehtësive fiskale në Mykonos nuk ka ndonjë bazë reale. Deklaratën e deputetit Bido e vlerësojmë si të pavërtetë.