BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checking550 kamera të çmontuara | Big Brother-i i bandave, pa gjurmë pas prerjes së "Fijeve"

550 kamera të çmontuara | Big Brother-i i bandave, pa gjurmë pas prerjes së “Fijeve”

Në Janar të 2023-shit Policia nisi operacionin “Fijet” për çmontonimin e kamerave të sigurisë të vendosura nga grupet kriminale në rrugët e Shqipërisë. Rreth 550 kamera të çmontuara në gjithë Shqipërinë, ku Shkodra dhe Tirana mbajnë rekord. Qyteti i Shkodrës i ngjan një “Big Brotheri”, ku lëvizja e qytetarëve mund të kontrollohet përmes celularëve të kriminelëve. Më shumë sesa operacion i koordinuar ndaj kërcënimit të sigurisë së qytetarëve, aksioni ishte një fushatë propagandistike. Ekspertët theksojnë se gjurmimi i “Vëllait të Madh” duhet bërë pa u hequr kamerat. Pas prerjes së “fijeve”, kjo ka pak shanse të ndodhë.

Jona Plumbi

Në datë 13 janar, dhjetë minuta përpara se akrepat të shënonin orën 4 të mëngjesit, në vilën verdhoshe trikatëshe në lagjen Dobraç në Shkodër, shpërtheu një sasi tritoli. Shënjestër e sulmit ishte Pëllumb Shpati, shef sektori për hetimin e krimit në drejtorinë e Policisë Shkodrës. Lajmi u pasqyrua gjerësisht në media, ku njoftohej se pista e hetimit lidhej me detyrën e tij.

Një ditë më vonë, në 14 janar, në një ngjarje në dukje pa lidhje me të parën, Policia në Shkodër njoftoi çmontimin e 21 kamerave të vendosura në shtyllat elektrike të qytetit, me argumentin se kamerat ishin vendosur për qëllime kriminale. Njoftimi sqaronte se policia e Shkodrës kishte marrë informacione nga agjentët e saj për vendosjen e kamerave në shtyllat elektrike nga rruga “5 Heronjtë” deri te bajpasi i Shkodrës (8 kamera) dhe nga rruga “5 Heronjtë” deri tek rrethrrotullimi i Dobraçit (13 kamera).

Nga ky njoftim i parë i Policisë u shpërnda vetëm përmes njoftimit për media. Njoftimet për operacionin “Fijet” nga policia nisi të shpërndahet në datën 25 Janar në formën e një “lumi” statistikash.

Propagandë me operacionin “Fijet“?

Njoftimi i parë publik i organeve të rendit mbi këtë ngjarje u bë 11 ditë pas njoftimit të parë për media për çmontimin e kamerave në Shkodër. Me një lëvizje të sinkronizuar, të gjitha faqet në rrjetin social facebook të organeve të rendit, qendrore dhe vendore, publikuan një njoftim ku përmblidheshin punët e kryera nga Policia e Shtetit në 24 orët e fundit.

Pjesë e punëve të listuara ishte edhe njoftimi: “38 kamera të tjera të vendosura në lagjet e Shkodrës, që i shërbenin informimit të kontigjentit kriminal, u çmontuan nga Policia, gjatë fazës së dytë të planit operacional policor të koduar “Fijet”. Pra, nëse operacioni i parë në Shkodër ishte ai i datës 14 Janar, i dyti ndodhi në 25 Janar dhe u shpërnda në 14 faqe të ndryshme Policisë së Shtetit, drejtorive vendore të policisë madje edhe Ministrisë së Brendshme.

Prej publikimit të parë në rrjetet sociale, shpërndarja e koordinuar e informacionit mbi operacionin “Fijet” vijoi çdo ditë për të paktën një javë.

*Imazh i kërkimit përmes CrowdTangle për shpërndarjen në facebook të njoftimeve mbi operacionin “Fijet”

Të gjitha njoftimet e policisë në rrjetin social Facebook për operacionin “Fijet”, janë shpërndarë në mënyrë të koordinuar ndërmjet 14 faqeve të institucioneve të rendit në vend:

Publikimet online të Policisë së Shtetit për këtë operacion filluan në datën 25 janar dhe përfunduan në 5 Mars 2023.

Si duket edhe në grafikun më poshtë, publikimet kanë nisur në 25 Janar. Kanë vijuar intensivisht deri në 3 shkurt, për të rinisur në datën 19 shkurt dhe përmbyllur në 5 Mars.

*Të dhënat e gjeneruara nga motorri i kërkimit të Facebook, CrowdTangle

Informacioni i fundit që Policia e Shtetit i dha qytetarëve për “megaoperacionin” që u shtri në të gjithë Shqipërinë, ishte një video që përmblidhte në 8 minuta punën e policisë gjatë një muaji.

Nën ritmin e një muzike motivuese me doza epike, videoja tregon pamje të operacioneve të ndryshme të policisë dhe një narrativë të arritjeve të tyre. Edhe në këtë rast, operacioni “Fijet” u njoftua në nivel statistikor me një total prej 548 kamerash të çmontuara në të gjithë vendin.

Me çfarë kamerash na vëzhgojnë kriminelët?

Kamerat e çmontuara nga rrugët e qyteteve të ndryshme janë të llojit CCTV, që do të thotë “televizor me qark të mbyllur” pasi sinjali i shkon vetëm personit që ka vendosur kamerën. Këto kamera vendosen në pozicione strategjike për të vëzhguar pamjet që ajo transmeton në një monitor diku. Kamerat komunikojnë me monitorët apo videoregjistruesit përmes kabllove private apo valëve, duke e kufizuar shpërndarjen e sinjalit vetëm tek ata që kanë vendosur kamerën.

*Imazh shpjegues për mënyrën si lidhen kamerat e sigurisë

Kamerat moderne CCTV janë me ngjyra, kanë rezolucion të lartë të imazhit, mund të zmadhojnë imazhe apo të gjurmojnë veçori të ndryshme si psh. targat e makinave. Për të parë pamjet e kësaj kamere në një ekran ka dy mënyra. E para është ajo offline, që kërkon lidhjen e kompiuterit me kamerën, përmes kabllove fizike. E dyta, është lidhja përmes internetit. Për të parë live pamjet e kamerës në telefon apo kompiuter, duhet marrë shërbim interneti.

Njoftimi i policisë për çmontimin e kamerave theksonte se ato ishin të lidhura me celularët. Kjo do të thotë se 548 kamerat e çmontuara nga Policia e Shtetit, ishin të gjitha të lidhura me një operator interneti, që mundëson transmetimin e pamjeve të kamerës. Operatori i internetit, mund të gjurmojë pajisjen ku përfundojnë pamjet e regjistruara nga kamera CCTV.

Çfarë thonë ekspertët


Në teknologji nëse është dëshira dhe vullneti çdo gjë mund të gjurmohet edhe të gjindet, pavarësisht sa e vështirë është.”

— Besmir Semanaj, Inxhinier i Teknologjisë së Informacionit

Besmir Semanaj, ekspert i inxhinierisë së teknologjisë shpjegoi për Faktoje mënyrën sesi mund të gjurmohet teknologjia e përdorur në rastin e kamerave të sigurisë. Sipas tij ka disa skenarë. Më i thjeshti prej tyre është bashkëpunimi me operatorin e internetit.

“Që të kemi internet, kuptohet që duhet një kontratë me një nga kompanitë që e ofrojnë atë shërbim. Mjafton që policia t’i drejtohet kompanisë që ka kryer shërbimin e internetit për këto kamera dhe të kërkojë emrin e personit që ka lidhur kontratën.” – tha Semanaj.

Njëkohësisht, këto kamera kanë edhe një regjistër të aktiviteteve, të quajtur “log” ku regjistrohen pajisjet që janë lidhur me kamerën si dhe adresat fizike (mac address) të këtyre pajisjeve.

“Përsëri përmes kompanive telefonike mund të identifikohet numri që ka përdorur këtë pajisje telefonike. – tha Semanaj i cili parashikoi edhe një skenar të tretë. Kamerat mund të kenë përdorur lidhje interneti të bizneseve apo njerëzve që janë pranë, duke hyrë në rrjetin e tyre. Por gjithsesi edhe kjo mund të gjurmohet, sipas ekspertit të inxhinierisë së teknologjisë, Besmir Semanaj.

Fakti qëndron se pas çmontimit të kamerave dhe prerjes së fijeve që e lidhin atë me internetin, gjurmimi është shumë herë më i vështirë. “Hetimi pas heqjes së kamerave është shumë herë më i vështirë. Do ishte shumë më e thjeshtë nëse ato kamera do liheshin për 6 muaj apo 1 vit dhe hetimi të niste ndërkohë që kamerat janë funksionale dhe të ndiqej komunikimi i internetit në bashkëpunim me kompanitë që e ofrojnë atë.” – përfundoi Semanaj.

Dr. Elton Tomorri, ekspert IT

Këtë mendim ndau me Faktojen edhe Dr. Elton Domnori, pedagog i inxhinierisë së teknologjisë. Ai shpjegoi se pas këputjes së lidhjes mes kamerës dhe pajisjes përmes së cilës ajo lidhet me internetin, gjurmimi është i pamundur. Mënyra për të gjetur pajisjet ku shihen pamjet e kamerave të sigurisë është pikërisht hetimi në fshehtësi, në bashkëpunim me operatorët e internetit që kane mundësuar lidhjen, i kamerave ndërkohë që ato janë ende në punë.

Si nisi operacioni i policisë?

Faktoje iu drejtua me kërkesë zyrtare Policisë së Shtetit lidhur me të dhënat e operacionit “Fijet” për të kuptuar më mirë situatën.

Në përgjigjen e pyetjes se si nisi operacioni i quajtur “Fijet”, Policia e Shtetit sqaroi:

Policia e Shtetit me qëllim hartimin e një strategjie të re në luftë ndaj krimit, ka analizuar situatën e sigurisë, gjatë periudhave shtator-dhjetor 2022 dhe janar-gusht 2022 dhe më gjerë. Një nga komponentët për hartimin e kësaj strategjie ishte edhe verifikimi i zbatimit të ligjit nr.19/2016 “Për masat shtesë të sigurisë publike”, pasi u konstatua një keqinterpretim i këtij ligji.”

Policia tha se strategjinë e ka sekret dhe nuk tregoi se ku qëndron keqinterpretimi i ligjit. Një kërkim në rrjet tregon se në media, nisja e operacionit u lidh drejtpërdrejt me vendosjen e tritolit në shtëpinë e Pëllumb Shpatit, shefit të hetimit të krimit në Shkodër. Kjo sepse policia vuri re se nuk kishte akses tek kamerat e sigurisë të vendosura në lagjen Dobraç ditën e atentatit me tritol dhe nga ku u hoqën 13 kamera sigurie të nesërmen.

Siguria e qytetarëve në pikëpyetje, por “pa gajle”

Qytetarët në Shkodër, pyetur nga Faktoje se sa të sigurt ndihen në lagjet e tyre, shfaqën frikë për të folur dhe zgjodhën të mos komentojnë. Në artikullin e publikuar në Shkurt 2023 nga BIRN, gazetarët Emi Kalaja dhe Geri Emiri pasqyruan mungesën e sigurisë që qytetarët e ndjenin edhe në shprehjen e problemit. Një mësuese 42 vjeçare foli me BIRN në kushtet e anonimatit për gjendjen në qytet.

“Në Shkodër jetohet me frikën pas veshit. Tani del që ata na ndjekin hap pas hapi, ma keq nuk bahet,” tha mësuesja. “Prandaj kanë ik njerëzit e bizneset, ka gjoba, kërcënime e frikë”

Artikulli i BIRN, Shkurt 2023

Shifrat e raportuara në njoftimet e policisë për kamera të vendosura në rrugët e qyteteve nga kriminelët, do trembnin çdo qytetar të zonës së “prekur”. Nisur nga njoftimet e policisë, harta që gjeni më poshtë, tregon vendndodhjen dhe numrin e kamerave të vendosura nga kriminelët për të vëzhguar qytetin e Shkodrës.

Pamje grafike e rrugëve dhe zonave në Shkodër ku janë çmontuar kamerat e sigurisë

Njëkohësisht, sipas statistikave të dhëna nga Policia e Shtetit pas kërkesës zyrtare për informacion, pamja e Shqipërisë së vëzhguar nga krimi i ngjan një shtëpie “Big Brother” të vëzhguar nga dhjetëra kamera:

Çfarë thotë ligji?

Ligji që përcakton mënyrën dhe rregullat e vendosjes së kamerave në rrugët e qyteteve është “ligji për masat shtesë të sigurisë publike”. Sipas këtij ligji, çdo person fizik ose juridik, shtetas shqiptar apo i huaj, ka të drejtë të vendosë kamera në ambjentet e jashtme të biznesit apo banesës së vet, pas një vlerësimi të rrezikut që e kryen Policia e Shtetit.

Ministri i Brendshëm bashkë me Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, miratuan edhe një udhëzim për ngritjen e një regjistri me të dhëna në nivel vendor dhe qendror të subjekteve që marrin masa shtesë të sigurisë publike, siç është instalimi i kamerave të sigurisë.

Ligji (neni 5 pika 3) ngarkon Policinë e Shtetit të identifikojë të gjithë ata që instalojnë kamera dhe ruajnë imazhet filmike, me qëllim njoftimin dhe ruajtjen e tyre në regjistër.

Sipas parashikimit ligjor, procedura për vendosjen e një kamere sigurie në rrugë është kjo:

  1. Subjektet që vlerësohen nga Policia si burim rreziku të shtuar, njoftohen nga drejtoria vendore e Policisë për masat që duhet të marrin.
  2. Subjekti merr masat e sigurisë brenda 2 muajsh nga marrja e njoftimit të policisë.
  3. Brenda 15 ditëve nga marrja e masave nga subjekti, policia kontrollon nëse janë plotësuar masat e përcaktuara dhe brenda 15 ditëve nga kryerja e këtij kontrolli, lëshon “Vërtetim sigurie” për subjektin.

Çfarë ndodhi në të vërtetë?

Edhe pse Policia e Shtetit e quajti pjesë të strategjisë së saj nisjen e operacionit “Fijet”, në përgjigjen zyrtare për Faktoje, faktet tregojnë se ky nuk ishte një operacion i planifikuar, por që “lindi rrugës”, për inerci të hetimeve pas atentatit me tritol në shtëpinë e shefit të hetimeve në Shkodër, Pëllumb Shpati.

Faktet që çojnë në këtë përfundim janë disa, përshembull koha e nisjes së operacionit, vendndodhja dhe mungesa e organizimit në aksionin fillestar.

Për të kuptuar më shumë rreth ngjarjes, Faktoje bisedoi me gazetarin investigativ Artan Hoxha, i cili në komentet e tij në media e ka lidhur në formën shkak-pasojë nisjen e operacionit “Fijet”.

Sipas tij, arsyeja e vërtetë e nisjes së aksionit është sepse policia nuk arriti të merrte pamjet e kamerave që ishin të vendosura në lagjen e Dobraçit, pas atentatit me tritol në shtëpinë e Pëllumb Shpatit. Kjo është raportuar edhe në mediat ndërkombëtare si arsyeja e nisjes së operacionit “Fijet”.

Një tjetër faktor që tregon se operacioni nuk ishte planifikuar nga Policia e Shtetit, ndryshe nga pohimi i institucionit për Faktojen, është mungesa e organizimit dhe sinkronizimit në zbatim.

Hoxha shpjegoi për Faktoje, se operacionet e policisë nuk zbatohen ashtu siç ndodhi me “Fijet” pasi aksioni kërkon organizim dhe sinkronizim që të ketë efekt.


Ata që kanë shkelur ligjin, nëse e shohin në televizor që policia po heq kamerat nëpër qytete të ndryshme, i heqin vetë kamerat përpara se të shkojë policia aty. Prandaj operacionet nisen njëkohësisht në të gjitha qytetet e vendit, që të mos dekonspirohet aksioni.

— Artan Hoxha, gazetar investigativ

Kjo nuk ndodhi me operacionin “Fijet” për të cilin Policia bëri aksionin e parë në datën 14 Janar në Shkodër. Aksioni i dytë, po në Shkodër, ndodhi në 25 Janar, për të vijuar në qytete të tjera ditë pas dite.

Përfundim

Në komunikimet e saj publike Policia e ka trajtuar operacionin fijet si mjet për të propaganduar punën e saj, dhe jo si një operacion për të garantuar sigurinë e qytetarëve.

Kjo vërtetohet nga forma dhe përmbajtja e komunikimit të këtij rasti, ku policia numëron fazat e aksionit, numrin e kamerave të çmontuara dhe numrin e personave që po hetohen, pa dhënë asnjë informacion mbi sigurinë e qytetarëve të cilët kanë jetuar pa dëshirën e tyre të “vëzhguar” nga kriminelët.

Prej sa kohe janë vendosur kamerat? Kjo nuk dihet. A janë të sigurtë sot qytetarët? As kjo nuk dihet. A ka ndërmarrë ndonjë veprim policia për të parandaluar vendosjen e kamerave të tjera? As kjo nuk është sqaruar për qytetarët.

“Jo më larg se tri javë më parë, isha në një dhomë, muri i së cilës kishte të paktën 25 ekrane ku shfaqeshin pamje të drejtpërdrejta të rrugëve të qytetit” – tha Artan Hoxha për Faktoje.

Kamerat kanë vizion nate, aftësi për njohjen e targave, madje disa prej tyre kanë edhe audio, shpjegon Hoxha, duke theksuar se kjo teknologji e përparuar e vëzhgimit duhet t’i përkasë vetëm policisë.

Në përgjigjet për Faktoje, Policia e Shtetit shpjegon se operacioni “Fijet” vijon, edhe pse nuk dihet çfarë veprimesh konkrete po bëhen dhe çfarë masash po merren për të zbardhur një nga ngjarjet më të rëndësishme për sigurinë e qytetarëve, e cila po kalon pa u vënë re përmes tymnajës së dendur të lajmeve të ditës dhe skandaleve të njëpasnjëshme politike në vend.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img