Në një botë ku informacioni shpërndahet me shpejtësi të paimagjinueshme, e vërteta bëhet një mall gjithnjë e më i kushtueshëm. Edhe nevoja për burime të besueshme dhe të sakta të informacionit bëhet jetike. 5 vite më parë, kur teknologjia digjitale, informacioni i manipuluar dhe propaganda ende nuk kishin marrë fuqinë që kanë sot, nisi rrugëtimi i Faktoje fillimisht një projekt, që pakush e imagjinonte të kthehej në një far ndriçues në errësirën e dezinformimit të përditshëm.
Viola Keta
Themeluar në Shqipëri me mbështetjen e projektit Justice for All, i financuar nga USAID dhe i zbatuar nga EWMI, Faktoje i hodhi hapat e parë si një nismë për të përmirësuar standardet e performancës publike në vend, me fokus nxitjen e llogaridhënies dhe përgjegjësisë së zyrtarëve publikë përmes verifikimit të deklaratave dhe premtimeve të tyre për qytetarët. Kontrolli i fakteve nisi nga një grup të diplomuarish për gazetari, të trajnuar për gazetarinë fact-checking dhe me kureshtjen për të eksploruar të parët një mënyrë inovative të të bërit gazetari.
Brenda vitit 2019 Faktoje mori formën e një burimi të besueshëm informacioni, duke u njohur edhe ligjërisht në gjykatën e Tiranës si organizata e parë për verifikimin e fakteve në Shqipëri. Kjo njohje ishte një sukses jo vetëm për Faktoje, por edhe një ftesë për të vazhduar rrugën drejt pavarësisë së medias dhe nxitjes së transparencës.
Në vitin 2020 Faktoje u bë organizata e parë mediatike në Shqipëri dhe deri më sot e vetmja që aderon në Rrjetin Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN) dhe prej 2023 në Rrjetin Europian të Kodit të Standardeve (EFCSN), duke plotësuar parimet më të larta të gazetarisë dhe integritetit të medias.
Në 3 prill Faktoje festoi 5 vjetorin si organizatë e shërbimit fact-checking në eventin “Mos u mashtro nga informcioni i rremë“, ku u përcollën mesazhet mbi rëndësinë e verifikimit të fakteve.
“Në një treg mediatik si Shqipëria dhe Ballkani, ku pasiguria, propaganda, lajmet e rreme janë me bollëk, e vërteta me fakte, larg propagandës dhe dezinfomimit, janë me pikatore“ – Klodiana Kapo, drejtuese ekzekutive e Faktoje.
Peshorja e politikanëve anon nga e pavërteta dhe premtimet e shkelura
Të kontrollosh një zyrtar publik dhe politikan në Shqipëri, se sa i vërtetë dhe përgjegjës është për premtimet dhe deklarat e tij, kërkon një mendësi ndryshe prej asaj që ka trashëguar shoqëria jonë, me një histori gati 45 vjeçare diktature dhe propagande. Në 5 vitet e para të jetës Faktoje ka matur vërtetësinë e të paktën 1230 deklaratave dhe premtimeve të zyrarëve që nga niveli lokal tek ai ekzekutiv duke e shtrirë verifikimin në të gjithë spektrin e partive politike, si një detyrim për ruajtjen e paanshmërisë.
Një gjysmë dekade verifikimesh me metodologjinë e Faktoje pasqyron nivelin e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së zyrtarëve publikë. Diferenca mes të vërtetës dhe të pavërtetës, premtimit të mbajtur dhe të pambajtur anon dukshëm nga këto të dytat.
362 deklarata të paverteta 107 deklarata të vërteta
399 premtime te pambajtura 47 të mbajtura
Trokit që të të hapin derën!
5 vite më parë numëroheshin me gishtat e njërës dorës gazetarët që vilnin informacion duke iu drejtuar zyrtarisht institucioneve publike, përmes ligjit “Për të drejtën e informimit“ 119/2014. Në kulturën e punës së një gazetari, veçanërisht të televizionit, ku koha është një luks dhe lajmi një mall që konsumohet shpejt, dërgimi i një kërkese për informacion mun të konsiderohet mund i vajtur dëm.
Nisma e Faktoje në 2019-n duke ‘trokitur‘ dhe kërkuar zyrtarisht llogari 14 institucioneve më të larta publike se si dhe sa shpenzonin titullarët në udhëtimet jashtë vendit, i dha shtysë një mendësie dhe kulture ndryshe në nxitjen e llogaridhënies dhe sigurimin e informacionit, një e drejtë që i takon çdo qytetari, jo vetëm gazetarit. Një seri artikujsh për “Faturat e akomodimit të Ministrave dhe drejtuesve të lartë të shtetit“ dhe këmbëngulja për të marrë informacionin, shpërblyen durimin dhe sollën impaktin. Dyert e institucioneve që u mbyllën për të mos dhënë informacionin, u hapën pas një beteje të gjatë dhe të paprecedentë ligjore me 11 institucione që u paditën njëkohësisht në gjykatën administrative, ku media u përball me pushtetin shpesh nën presion dhe justifikimin se këto informacione nuk mund të jepeshin për shkak të ruajtjes së privatësisë dhe të dhënave personale. Beteja u fitua në gjykatë me 8 institucione, një pjesë e të cilave e respektuan vendimin, ndërsa pjesa tjetër ende sot refuzon t‘i verë në dispozicion Faktojes faturat e titullarëve. Një informacion që rrezikon të kalbet deri në përfundimin e procedurave dhe shqytimin në Apel. Por beteja arriti të ndryshojë qasjen në shtet, me një ministër që kthen paratë e biletës së klasit të parë, apo pasardhës ministrash që tregohen modestë në shpenzimet për akomodimin në hotele gjatë vizitave zyrtare jashtë vendit.
S’ka luftë kundër dezinformimit pa gazetarë të fuqizuar
Dedikuar në projekte për të forcuar gazetarinë e verifikimit të fakteve dhe rritjen e kapaciteteve tek gazetarët e rinj, Faktoje e ka ndarë misionin e saj në disa arterie.
Trajnimi dhe edukimi mediatik konstant të dhjetëra studentëve në departamentet e gazetarisë nga e gjithë Shqipëria dhe një kurs të posaçëm në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës me ambicien për hapjen e një laboratori të mirëfilltë për gazetarinë fact-checking për të fuqizuar gazetarët e ardhshëm.
Vetëm gjatë 2023, të paktën 300 studentë dhe gazetarë të rinj u trajnuan nga ekipe të përbashkëta të Faktoje me ekspertë të komunikimit dhe gazetarisë fact-checking nga universite dhe media holandeze, ndërsa prej 2022 deri sot janë mbajtur rreth 20 trajnime ku për herë të parë u bënë bashkë gaztarë dhe koordinatorë për zbatimin e ligjit për të drejtën e informimit.
Këto trajnime u mbështetën nga ambasada e Holandës përmes projektit për „Forcimin e gazetarisë fact-checking“.
“Jam shumë mirënjohës që Faktoje po lufton problemin me dezinformimin këtu në Shqipëri. Ne duhet të sigurohemi që gazetarët të kenë kushtet ekonomike për të jetuar dhe për të qenë të sigurtë“- Reinout Vos, ambasador i Mbretërisë së Vendeve të Ulta.
-Prodhimi dhe publikimi i rreth i 450 videove, mjeteve edukuese dhe shpjeguese, të thjeshtuara se si të mos biem pre e manipulimit apo mashtrimit, duke pajisur me aftësi njohëse një komunitet që nuk kufizohet vetëm te gazetarët por te audienca e moshave të ndryshme, sidomos atyre që shpenzojnë kohë të gjatë në rrjetet sociale, për të kuptuar dhe dalluar lajmet e rreme dhe propagandën. Zbulimi dhe raportimi i informacioneve të manipuluara për Inteligjencës Artificiale, është ndër ekspertizat që Faktoje zotëron prej gati një viti. Ajo mban të informuar audiencën mbi trendet e manipulimit dhe mënyrat se si t’i dallojnë ato, veçanërisht në situata krizash apo luftërash.
Këtë qasje vlerësoi edhe ambsadori i delegacionit të BE në Tiranë Gonzato duke folur në eventin e Faktoje.
“E vlerësoj partneritetin që kemi me ju dhe mendoj se vërtetë keni zgjedhur qasjen e duhur. Duke rrënjosur në komunitetet tona frymën kritike, i lejojmë ata të dallojnë atë që bazohet në fakte.“- Silvio Gonzato, ambasador i Delegacionit të BE.
-Rritja e kapaciteteve të gazetarëve lokalë kundër dezinformimit, nisi si një bashkëpunim për verifikimin e deklaratave dhe premtimeve të drejtuesve vendorë. Me nisjen e pandemisë Covid, të paktën 20 gazetarë nga 12 qarqet e Shqipërisë verifikuan edhe pretendime që lidheshin me këtë situatë duke kontribuar në informimin e saktë të komuniteteve që në periudha infodemie u përballën me rreziqe të reja për shëndetin dhe sigurinë e tyre.
–Konkursi kombëtar “Fatos Baxhaku“ për promovimin e gazetarisë Fact-checking është një tjetër produkt i Faktoje prej 2022, ku çdo vit garojnë 10 gazetarë profesionistë dhe të rinj nga e gjithë Shqipëria, me artikuj dhe verifikime sipas metodologjisë së Faktoje për temat me interes të lartë dhe ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarit.
Gjurmojmë trendet e dezinformimit me partnerët në rajon
Titujt bombastikë për luftëra në Ballkan apo ndasi dhe konflikte etnike janë vetëm maja e ajsbergut të një ndikimi gjithnjë e në rritje që ka depërtuar më herët tek fqinjët tanë ballkanas, por ka kaluar tashmë edhe pragun e “shtëpisë sonë“. Ndaj përshirja e Faktoje në rrjetet Ballkanike kundër dezinformimit, përkrah organizatave fact-checking në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë Hercegovinë, Serbi, Mal të Zi dhe Kroaci, erdhi natyrshëm dhe si një domosdomshëri e kohws dhe rrethanave. Si pjesë aktive e këtyre rrjeteve, Faktoje kontribuon në identifikimin dhe studimin e mënyrës se si po ndryshojnë trendet e dezinformimit në Shqipëri dhe rajon. Në më pak se 4 vite ekipi i Faktoje, gazetarë profesionistë në konsultim me ekspertë dhe studiues kanë publikuar rreth 160 artikuj mes të cilëve verifikim të narrativave kryesore dezinformuese, investigime dhe raporte.
Advokim për lirinë e medias bashkë me shoqërinë civile
E renditur e 96-a në listën e 180 shteteve në indeksin e lirisë së shtypit, Shqipëria është në ’alarm’ portokalli dhe me probleme të mprehta kur vjen fjala te pavarësia e gazetarëve, mbrojtja dhe siguria e tyre në punë apo në terren.
Faktoje i është bashkuar nismave dhe advokimit të këtyre çështjeve si pjesë e komunitetit të gazetarëve dhe shoqërisë civile në të gjitha format që i shërbejnë dhënies zë të këtyre kauzave, qofshin konsultime, protesta, tryeza me grupe të interesit.
Faktoje afër publikut
Me një faqe online informuese dhe me transparencën se si punojmë, si financohemi dhe si angazhohemi në luftën kundër dezinformimit, jemi të arritshëm për lexuesit edhe në platformat sociale. Pikërisht kanalet ku qarkullojnë në masë më të madhe lajmet e rreme, duke e sjellë Faktojen më afër një spektri të gjerë audiencash. Para se t’i besoni lumit të informacionit që qarkullon në rrjetet tuaja sociale dhe dhjetëra mediave që joshin me tituj dhe imazhe jo gjithnjë të vërteta, klikimi i Faktoje dhe verifikimi i informacionit, është gjithmonë i dobishëm!
Dy fjalë për ata që mbështesin Faktoje
Misioni për gjetjen dhe thënien e të vërtetës publikut në epokën e dezinformimit të sofistikuar, bëhet i mundur vetëm me mbështetje dhe besim. Në rrugëtimin e saj 5 vjeçar Faktoje u formësua si një shërbyes i publikut dhe të vërtetës, sepse u mbështet nga partnerë dhe aktorë që i besuan punës së saj (SHBA, BE, Mbretëria e Holandës, Britania e Madhe, Gjermania, Suedia), përkrah një grushti mediash që kanë zgjedhur të ruajnë dhe promovojnë gazetarinë cilësore, verifikimin e fakteve, përgjegjësinë dhe transparencën në peisazhin mediatik të vendit tonë.
“Faktoje është një shembull i mirë dhe jam këtu për t’ju uruar për 5-vjetorin”- Karl Bergner, ambasador i Gjermanisë.
Vazhdimi i mbështetjes dhe angazhimit në misionin dhe nismat e Faktoje është jetik, për të siguruar që sa më shumë qytetarë të kenë qasje në informacion të saktë dhe të besueshëm, në mjedisin kaotik që krijon dezinformimi dhe manipulimi mediatik.