BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookZvicra nuk ofron shpërblim për “spiunët e energjisë”

Zvicra nuk ofron shpërblim për “spiunët e energjisë”

Një poster po qarkullon nëpër rrjetet sociale shqipfolëse me pretendimin se në Zvicër ofrohet shpërblim nëse raporton dikë që ka ngritur temperaturën e termostatit mbi 19 gradë celsius. Vërtetimi i “Faktoje” zbuloi se bëhet fjalë për një foto të rreme. As ky poster dhe as kjo politikë nuk ekzistojnë në Zvicër.

———————

Facebook, një foto e një posteri gjasme i sponsorizuar nga qeveria zvicerane po përdoret për të ngritur alarme të qeverisjes autoritare. 

Foto që po qarkullon nëpër media sociale

Në poster përdoret stema zyrtare e shtetit zviceran dhe shkruhet: “A e ngroh fqinji banesën mbi 19 gradë? Ju lutem na njoftoni.” Në cep të posterit premtohet një shpërblim prej 200 frangash. Numri që shfaqet në të është numri i Departamentit të Energjisë.

Por, ky poster nuk është i vërtetë. Madje, as foto e tij nuk është e vërtetë. Foto duket se është marrë nga interneti dhe në të është vendosur më pas posteri.

Kjo foto ka qenë në qarkullim që në Shtator, dhe është deklaruar si e rreme që atëherë. Një zëdhënëse e Departamentit të Energjisë tha për gazetën zvicerane “20 Minuten” se qeveria zvicerane nuk kishte të bënte me këtë poster. “Qeveria nuk ka prodhuar postera të tillë, dhe ne nuk i kërkojmë qytetarëve të raportojnë për të tilla raste,” tha Simone Hug.

Në 14 shtator 2022, Policia Federale deklaroi se kishte nisur një hetim mbi keqpërdorimin e stemës qeveritare në këtë foto.

Lajme për masa ekstreme të marra nga qeveria zvicerane kundër atyre që supozohet që shpërdorojnë energjinë janë përgënjeshtruar nga “Faktoje” më parë. Viktimë e këtij dizinformimi ranë madje edhe ministrja e Energjisë Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img