BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashI pasaktë lajmi për furnizimin me naftë ruse të Serbisë nga Shqipëria

I pasaktë lajmi për furnizimin me naftë ruse të Serbisë nga Shqipëria

Lajmi për furnizimin me naftë rusë të Serbisë përmes Shqipërisë është një keqintepretim. Vendi ynë vijon të mbështesë sanksionet e ndërmarra nga Bashkimi Europian, mes të cilave është edhe importi i naftës ruse.

Jona Plumbi

Shqipëria është bashkuar me sanksionet ekonomike të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Rusisë prej shkurtit të këtij viti. Ndalimi i importit të naftës është një nga sanksionet kryesore që synon të godasë regjimin e Putin pas agresionit ushtarak në Ukrainë. Megjithatë, një artikull i publikuar nga portali “zgjohushqiptar.net” në 2 nëntor, me titullin “A do ta çojë gazsjellësi i ri naftën ruse në Serbi – duke kaluar edhe nga Shqipëria?”, hedh dyshime mbi zbatimin e këtyre sanksioneve nga vendi ynë.

Në brendësi të tij, artikulli flet për problemet me të cilat do të përballet Serbia, e cila megjithëse nuk është bërë pjesë e bllokadës ndaj Rusisë, nuk mund të sigurojë furnizimin e nevojshëm me naftë (rreth ¼ e totalit) për shkak të bllokimit nga Kroacia të tubacionit kryesor që sjell naftën ruse në Ballkan.

Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky lajm është një përkthim jo i saktë i një analize të publikuar në Radio Evropa e Lirë, ku trajtohet problematika që do të hasë Serbia në javët në vijim për sigurimin e burimeve të saj energjitike.

Në datën 5 dhjetor 2022 do të hyjë në fuqi paketa e sanksioneve që Bashkimi Europian ka vendosur për Rusinë, ku përfshihet edhe ndalimi i importit të naftës. Përveç Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë, vende të cilat kanë kërkuar edhe një vit tjetër kohë për t’u shkëputur nga kjo varësi, të gjitha vendet e tjera të BE-së, do të duhet të gjejnë alternativa të tjera për furnizimin e tyre më karburante.

Pjesë e tyre, është edhe Kroacia, vend nga ku furnizohet me naftë Serbia. Artikulli origjinal i “Radio Evropa e Lirë”, trajton alternativat përmmes të cilave Serbia mund të përballojë nevojën për furnizim me naftë pas hyrjes në fuqi të sanksioneve.

Një mënyrë është ndërtimi i një linje të re që lidh Serbinë me tubacionin ‘Druzhba’ në Hungari. Alternativa tjetër është një linjë që kalon përmes Maqedonisë së veriut dhe Shqipërisë. Pikërisht, këtu duket se është zanafilla e keqinterpretimit të portalit ZgjohuShqiptar.

Segmenti i gazsjellësit nga Pançeva në Shkup do të ishte rreth 400 kilometra i gjatë dhe 300 kilometra të tjerë do të nevojiteshin për ta lidhur prej andej me Durrësin.  Nga aty ajo mund ta lidhë më pas edhe me TAP-in (Transatlantik Pipeline)”. – shkruan artikulli, duke lidhur ndërtimin e tubacionit të ri të naftës me atë të gazit të TAP (Trans Adriatik Pipeline).

Por nëse Serbia do të realizojë lidhjen me TAP, ajo do të mund të sigurojë gaz dhe jo naftë, lëndë djegëse me origjinë nga Azerbajxhani dhe jo nga Rusia, ashtu siç prezantohet nga portali shqiptar.

Gjithashtu, duhet të mos harrojmë, se Shqipëria, ashtu si Kroacia, do të bllokojë pas datës 5 dhjetor importin e naftës me origjinë ruse, pra edhe në rast të ndërtimit të një tubacioni nga Shqipëria në Serbi, ai nuk do të bënte të mundur kalimin e naftës ruse për sa kohë do të jenë në fuqi sanksionet e miratuara nga BE.

Nga nisja e luftës ruse në Ukrainë në shkurt 2022, Shqipëria ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, duke iu bashkuar vendimeve të Këshillit të Bashkimit Europian për Masat Kufizuese Ndërkombëtare. Vendimi i këshillit të BE-së, që ndalon importin e naftës ruse në Shqipëri, është miratuar në Shqipëri përmes Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 715 të datës 11 Nëntor 2022.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img